Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ministria e Ekonomisë me standarde të dyfishta, lejon Bordin e përkohshëm të zgjedh kryeshefin e Postës

Bordi i përkohshëm i Postës së Kosovës po vazhdon me procedurat e përzgjedhjes së zyrtarëve të lartë të kësaj ndërmarrje, bazuar në konkursin e hapur pas rënies së Qeverisë Hoti dhe shpalljes së zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Bordi i përkohshëm i Postës së Kosovës, në janar ka shpallur konkurs për Kryeshef Ekzekutiv; Zv. Kryeshef  Ekzekutiv; Këshilltar/e i/e Përgjithshëm/ Sekretar/e i/e Korporatës; Zyrtar/e Kryesor i Financave dhe Thesarit dhe Zyrtar/e për Auditim të Brendshëm. Ky konkurs ka qenë i hapur deri më 15 shkurt 2021.

Ministria e Ekonomisë dhe e Ambientit që ka obligim ligjor monitorimin e bordeve të ndërmarrjeve publike e ka lejuar bordin që të vazhdojë me procedurat e rekrutimit, duke përdorur kështu standarde të dyfishta ndaj bordeve të përkohshme.

E njëjta ministri, në kohën kur udhëhiqej nga Blerim Kuçi kishte kërkuar me ngulm nga bordet e përkohshme të emëruara nga Qeveria Kurti të anulojnë konkurset për zyrtarë të lartë të ndërmarrjeve publike.

Zëdhënësi i Postës së Kosovës, Arsim Mehmeti ka thënë për KALLXO.com se konkursi për zyrtarë të lartë në Postën e Kosovës nuk është anuluar dhe po vazhdon sipas procedurave ligjore.

“Konkursi për Zyrtarët e lartë, nuk është anuluar, përkatësisht më 15.02.2021 ne ora 16:00 ka qenë afati i fundit për aplikim, dhe procesi i përzgjedhjes dhe intervistimit të të gjithë kandidatëve po vazhdon sipas rregullave dhe procedurave ligjore”, ka thënë Mehmeti.

Bordi i përkohshëm i Postës së Kosovës është emëruar nga Qeveria Hoti me 19 tetor 2020. Në këtë bord është emëruar Fadil Aliu – Herticën, ish-kandidatë i LDK-së për deputet në zgjedhjet e vitit 2019. Gjithashtu, në bord është emëruar Leonard Shabanin, ish-zyrtar i AAK-së në degën e Pejës, si dhe Elda Malokun është parë në tubimet e partisë Nisma Socialdemokrate.

Në ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit kanë thënë se është përgjegjësi e Bordit të drejtorëve të ndërmarrjeve publike të përzgjedh zyrtarët e lartë të ndërmarrjes.

“Një ndër përgjegjësitë e Bordit të drejtorëve të ndërmarrjeve publike, është përzgjedhja e zyrtarëve të lartë të asaj ndërmarrje. Ne, si aksionar do të ushtrojmë mbikëqyrje të vazhdueshme dhe rigoroze të veprimtarisë së Bordit të drejtorëve, por pa ndërhyrë në përgjegjësitë e tyre”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Ekonomisë për KALLXO.com.

Por tjetër qasje kishte kjo ministri në kohën kur bordet e përkohshme të emëruara nga Qeveria Kurti kishin hapur konkurse për zyrtarë të lartë të ndërmarrjeve.

Në muajin qershor 2020, ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, gjatë raportimit në Komisionin për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike në Kuvendin e Kosovës kishte thënë se ka rekomanduar Njësinë Monitoruese të Ndërmarrjeve Publike, që të pezullohen konkurset e kryeshefave dhe pozitave tjera të larta, pasi Ndërmarrjet Publike janë duke funksionuar me borde të përkohshme.

Madje, refuzimi për t’i bërë presion bordeve që t’i pezullojnë konkurset për zyrtarë të lartë të ndërmarrjeve i kishte kushtuar me vend pune tash ish-udhëheqëses së Njësisë për Politika dhe Monitorim  të Ndërmarrjeve Publike, Fikrije Buzuku-Fejza.

Ajo ishte shkarkuar nga pozita nga ish-ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi me arsyetimin se “më nuk përfaqëson interesat dhe politikat e ministrit”.

Derisa ministria kërkoi që këto konkurse të stopohen për një kohë, Udhëheqësja e Njësisë për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike, Fikrije Buzuku – Fejza, e cilësoi atë si ndërhyrje në punët e Bordeve të Përkohshme nëpër këto Ndërmarrje Publike.

Bordi i përkohshëm i KRU “Prishtina” i emëruar nga Qeveria Kurti kishin shpallur konkurs për pozita të larta më 3 korrik 2020. Ministria i kishte kërkuar kryesuesi të bordit, Menot Hyseni që të anulojnë konkursin, por bordi kishte vazhduar me procesin për zgjedhjen e kryeshefit ekzekutiv të KRU “Prishtina”. Bordi i përkohshëm kishte zgjedhur Fadil Abdullahun si kandidatin më të vlerësuar nga bordi për këtë pozitë.

Më pas, Qeveria Hoti e kishte shkarkuar bordin e përkohshëm të KRU “Prishtina” dhe e kishte anuluar vendimin për zgjedhjen e Fadil Abdullahut si kryeshef ekzekutiv.