Ministria e asfaltit, shkelje sistematike në tenderë

Ministria e Infrastrukturës nuk ka respektuar afatet e pagesave sipas marrëveshjeve me kompanitë përkatëse, tregojnë evidencat e Zyrës Kombëtare të Auditimit për këtë dikaster qeveritar.

E pasojat e keqmenaxhimit të pagesave nuk janë të pakta për buxhetin e shtetit.

Auditori në raportin e fundit për këtë ministri, ka dhënë detaje për pagesën e 53 milionë eurove për “Bechtel & Enka”.

Qeveria e Kosovës nuk i ka përfillur afatet e marrëveshjes së saj me konsorciumin “Bechtel & Enka” sa i përket pagesës së borxhit prej 53 milionë eurove për autostradën “Arbën Xhaferi”, Prishtinë – Hani i Elezit.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka nxjerrë raportin e auditimit për Ministrinë e Infrastrukturës ku ka përmendur edhe pagesën që Qeveria e Kosovës ia ka bërë konsorciumit “Bechtel & Enka” me vlerë prej 53 milionë euro.

Sipas Auditorit, pagesa e 53 milionë eurove ishte paraparë të bëhej në 12 këste me nga 4 milionë e 425 mijë euro për një këst.

Auditori ka gjetur se pagesat ndaj “Bechtel & Enka” janë kryer pas afatit kohor.

“Po ashtu, faturat apo obligimet ndaj furnitorit Bechtel Enka në vlerë totale 49,888,561€ ishin paguar pas afatit kohor ligjor prej 30 ditësh. Faturat ishin nga viti 2018”, thuhet në raportin e Auditorit.

Në marrëveshjen në mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe konsorciumit, përfundimi i pagesës së 12 kësteve ishte paraparë për jo më larg se 1 qershori i vitit 2019.

Auditori ka gjetur se deri në fund të vitit 2019 janë paguar vetëm 48 milionë euro, ndërsa kishin mbetur edhe 4 milionë e 425 mijë euro pa u paguar.

“Ne kemi vërejtur se, deri në fund të vitit 2019, pagesa e mjeteve për shlyerjen e obligimeve sipas marrëveshjes ishte ekzekutuar në shumën 48,675,000€, ndërsa vlera 4,425,000€ nuk është paguar ende”, thuhet në raport.

Sipas Auditorit kjo kishte ndodhur për shkak se Ministria kishte lidhur kontrata për projekte pa i siguruar fondet e mjaftueshme.

“Shkak për vonesat në pagesa ishin kryesisht mungesa e mjeteve financiare, pasi që për disa nga këto projekte në vitet e mëparshme ishin lidhur kontrata pa fonde të mjaftueshme”, thuhet tutje në raport.

Autostrada Prishtinë – Hani Elezit “Arbën Xhaferi” në bazë të kontratës fillestare do duhej të përfundonte më 1 janar të vitit 2018. Kontrata fillestare, në bazë të planit dinamik fillestar, do t’i kushtonte shtetit 608 milionë euro (pas rritjes së TVSH-së nga 16 në 18%).
Mirëpo shteti i Kosovës ishte detyruar të paguante 53 milionë euro shtesë për shkak të zvarritjes së pagesave nga ana e Qeverisë.

Mangësi në menaxhimin e obligimeve, Auditori në këtë ministri kishte gjetur edhe në raportin për vitin 2018.

Sipas ZKA-së, gjatë vitit 2018, me vendime të Thesarit dhe vendime gjyqësore janë paguar mbi 4.5 milionë obligime të pa paguara gjatë vitit 2018 dhe nga vitet paraprake.

Ministria e Infrastrukturës dha 156 mijë euro paga për 32 zyrtarë që nuk dolën në punë

Ministria e Infrastrukturës ka ekzekutuar paga me vlerë prej 156 mijë e 151 euro për 32 zyrtarë të cilët nuk kanë dalë në punë gjatë vitit 2019.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se Ministria e Infrastrukturës kishte angazhuar 32 punonjës në njësitë e saja në komuna, për të cilët nuk ka asnjë dëshmi që konfirmon vajtje-ardhjen e tyre në punë, ashtu siç e konfirmon rregullorja.

“Ministria kishte bërë pagesën e rregullt të pagave të tyre gjatë tërë vitit, dhe vlera totale e pagave të paguara për këta zyrtarë ishte 156,151€”, thuhet në raportin e auditorit.

Mos vijueshmërinë e këtyre 32 zyrtarëve në punë e ka konfirmuar vet ministria për Zyrën Kombëtare të Auditimit.

ZKA i ka rekomanduar ministrit të Infrastrukturës që të ndërmarrë të gjitha veprimet për të siguruar vijueshmërinë e rregullt në punë të këtyre punonjësve.

“Ministri duhet të ndërmerr të gjitha veprimet për të siguruar vijueshmërinë e rregullt në punë të këtyre punonjësve, duke bërë monitorimin e tyre të vazhdueshëm ashtu siç parashihet me aktet ligjore”, thuhet tutje në raport.

Kompensimi i punonjësve pa vijueshmëri në punë dhe pa realizim të detyrave ishte gjetur në këtë ministri edhe sipas raportit të ZKA-së për vitin 2017.

Sekretari i Ministrisë së Infrastrukturës ndërroi komisionin që gjeti se punët nuk janë kryer si duhet

Zyra Kombëtare e Audtimit ka gjetur se zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës që kryejnë punën e menaxherit të projektit kanë pranuar projektin si të përfunduar, ndonëse disa punë nuk ishin kryer si dhe projekti kishte pësuar ndryshime.

Auditori ka hetuar projektin “Ndërtimi i rrugës Bardh i Madh – Lismir, Fushë Kosovë, L=3,521m” në vlerë 475 mijë e 904 euro, ku ka gjetur se nuk janë përfunduar të gjitha punët e parapara me kontratën e projektit.

“Punët tokësore Pozicioni 1.3.8.1 Humusim i skarpateve të rrugës me trashësi t=15cm, përfshihen edhe kyqjet, ishte paguar vlera 5,519€, ndërsa nuk ishte punuar fare ky pozicion. Punët tokësore Pozicioni 1.3.1 Gërmimi i dheut, vlera 30,266€, ishte kryer pjesërisht dhe jo sipas projektit”, thuhet tutje në raport.

Sipas raportit, edhe Sinjalizimi Horizontal (Termoplastikë)  nuk ishte bërë si duhet, edhe pse vlera e paguar ishte 19,522€, ndërsa është bërë furnizim me ngjyrë të thjeshtë (nuk ishte ngjyrë termoplastikë).

“Sinjalizimi Vertikal Pozicioni 2.1-2.4, furnizimi dhe vendosja e shenjave të udhëkryqeve, shkallët e lajmërimit dhe dimensionim sipas standardeve, vlera e paguar 1,760€, sinjalizimet ishin fiksuar shumë dobët (shumica e tyre me dorë mund të lëvizeshin nga vendi, dhe dy prej tyre ishin rrëzuar)”, ka gjetur auditori.

Mirëpo komisioni i formuar nga sekretari i Ministrisë nuk e kishte pranuar pranimin teknik të kryerjes së punimeve në këtë projekt.

Pas kësaj, sekretari kishte ndërruar anëtarët e komisionit me kërkesë të menaxherit të kontratës dhe kishte formuar një komision tjetër.

“Sekretari me datë 06.12.2019 me vendim kishte ndryshuar anëtarët e komisionit, dhe kishte kërkuar që të bëhet një vlerësim i ri për pranimin teknik”, thuhet në raport.

Ndërsa komisioni i ri i kishte pranuar punimet e kryera.

“Konkluzioni i komisionit ishte se pranohen punimet e kryera sipas kontratës, pasi që vërehet se punët janë kryer sipas kualitetit të kërkuar. Mirëpo, duhet të theksohet se në këtë periudhë, menaxheri i kontratës kishte ndryshuar situacionin final në disa pozicione nga ai që kishte pasur në dispozicion komisioni i parë”, thuhet në raport.

Sipas auditorit kjo kishte ndodhur pasi që menaxheri i projektit kishte nënshkruar se punimet janë kryer sipas kontratës, ndonëse sipas auditorit ato nuk ishin kryer.

Ngecjet në zbatimin e rekomandimeve

ZKA-ja në raportin për vitin 2018 Ministrisë së Infrastrukturës i kishte dhënë 16 rekomandime kryesore.

Sipas Auditorit, ministria kishte përgatitur një plan veprimi ku paraqitet mënyra se si do t’i zbatojë rekomandimet e dhëna.

Por, ministria nuk ka dorëzuar raportin e progresit mbi zbatimin e rekomandimeve (30 shtator dhe 15 mars) sipas kërkesave të dala nga Rregullorja e Punës për zbatimin e auditimit dhe planeve të veprimit.

Ndërkaq, deri në fund të auditimit për vitin 2019, sipas ZKA-së 7 rekomandime janë zbatuar; 1 ishte në proces dhe 8 nuk janë adresuar ende.

Ndërkaq, në vitin pararak auditori kishte bërë të ditur se në 2017-n MI-së i janë dhënë 19 rekomandime kryesore. Deri në fund të auditimit për vitin 2018, 9 rekomandime ishin zbatuar; 3 ishin në proces, 4  të mbyllura të pazbatuara, dhe 3 nuk ishin adresuar ende.

Ndërkaq, në raportin për vitin 2017 për MI-në, Auditori ka vlerësuar se në veçanti ka progres sa i përket adresimit të rekomandimeve në fushën e llogarive të arketueshme.

“Megjithatë, ka mungesë të zbatimit të plotë dhe mangësi tё njëjta vërehen në klasifikimin e shpenzimeve, menaxhimin e pasurive, menaxhimin e personelit dhe menaxhimin e obligimeve. Më tej, edhe rekomandimet e vitit 2015 nuk janë zbatuar plotësisht, rekomandimet e pazbatuar ndërlidhen me: klasifikimin e shpenzimeve, menaxhimi i shpenzimeve dhe pasurive, menaxhimi i rrezikut dhe raportimi i obligimeve”, thuhej në raport.

Mes tjerash, në raportin për vitin 2019, ZKA-ja në MI ka gjetur edhe shkelje të tjera si: Mangësi në procedura të rekrutimit, realizim i pagesave nga fondi i huamarrjes jo në pajtueshmëri me marrëveshjen, avanset e mbyllura pas afatit të lejuar ligjor, ndryshimi i projektit dhe pranimi i punëve jo sipas specifikacionit teknik, hyrje në obligime kontraktuese përtej ndarjeve të aprovuara buxhetore, pranimi teknik i punëve dhe projekteve nga komisionet me përbërje jo kompetente, si dhe dobësi të tjera.

Ndërkaq, mangësi në procedura të rekrutimit, Auditori ka gjetur në Ministrinë e Infrastrukturës edhe sipas raportit për vitin 2018.

Në Qeverinë e Ramush Haradinaj MI-ja është drejtuar nga Pal Lekaj (AAK), në Qeverinë në krye me Albin Kurtin, ky dikaster është udhëhequr nga Lumir Abdixhiku (LDK), ndërsa aktualisht ministër është Arban Abrashi (LDK).