Ministri Ramë Buja i Ndërron Fjalët Pas 24 Orëve

“Të regjistrohen vetëm ata kandidatë të cilët i janë nënshtruar provimeve pranuese sipas afateve zyrtare të shpallura nëpërmjet konkurseve për vitin akademik 2014/2015. Në pamundësi eventuale që të regjistrohen në programet ku kanë aplikuar, të regjistrohen në programe të përafërta”, thuhet në vendimin e MASHT-it.

Vendimi i ministrit Buja vjen vetëm 24 orë pasi ai kishte deklaruar se ditë më parë nuk i kishte bërë kërkesë por vetëm i kishte rekomanduar rektorit të UP-së, Ramadan Zejnullahu, që ta pranojë listën e servuar nga këto organizata.

Vendimi i sotëm paraqet ndryshim të madh të qëndrimeve të bartësit të arsimit në Kosovë.

Ky vendim i është dorëzuar Rektorit të UP-së, Ramadan Zejnullahu i cili ka thënë se do ta njoftojë Këshillin Drejtues për vendimin e MAShT-it dhe, sipas tij, pritet të merr hapa në “përputhje me moralin personal”.

Ai nuk ka përjashtuar mundësinë që të japë dorëheqje nga posti që e ka marrë dy muaj më parë, në rast se Këshilli Drejtues e miraton vendimin e ministrit.

“MASHT nuk ka kompetencë ligjore që të regjistrojë studentë”

Ndërsa Dukagjin Pupovci, njohës i çështjeve të arsimit, tha se Ministria e Arsimit nuk e ka asnjë kompetencë ligjore që të regjistrojë studentë në universitet.

Sipas tij, ky institucion në këtë rast mund të aprovojë vetëm kuotë në universitet.

“Në rrethanat e tanishme mendoj që marrja e një vendimi të tillë është i gabuar sepse këtu nuk bëhet fjalë për faktin se nuk është lejuar regjistrimi i fëmijëve por është kërkuar që të plotësohen disa parakushte ligjore- akademike, në të vërtetë të pranohen ata që kanë kaluar pragun në përputhje me  interpretimin e Memorandumit të Bashkëpunimit”, tha Pupovci.

Ai vlerësoi se ky vendim tanimë ka sjellë një situatë të re dhe organet e univeristetit duhet të reflektojnë dhe të marrin një vendim.

“Ose edhe një herë si në vitet e kaluara t’i shkelin kriteret dhe t’i bëjnë pranimet, ose do të vendosin që kjo është hera e fundit që po shkelin kriterin”, pohoi Pupovci.

Pupovci thotë se dorëheqja e rektorit Ramadan Zejnullahu ashtu siç ka paralajmëruar, do të ishte një dëm i madh për universitetin.

“Mendoj që  dorëheqja është zgjidhja më e lehtë por edhe zgjidhja më e papëlqyeshme e cila do të shkaktonte më pas një krizë të re në universitet sepse dy dorëheqje brenda një mandati do të ishte e paparë dhe atëherë do të vinte në pyetje legjitimiteti i të gjitha organeve të universitetit dhe jo vetëm i rektorit”, deklaroi Pupovci.

Ndaj këtij vendimi të ministrit Ramë Buja ka reaguar edhe Këshilli për Mbrojtjen e Lirive dhe ët Drejtave të Njeriut (KMDLNJ).

Ky këshill kërkon që të mos ndërhyhet në punën dhe pavarësinë e Universitetit “Hasan Prishtina” dhe kërkon që rektorati dhe rektori Ramadan Zejnullahu mos të pengohen në kryerjen e punëve për të cilën është mandatuar.