Ministri i Qeverisë Haradinaj PRO shkëmbimit të territoreve me Serbinë

“Mjedisi i pastër për Kosovën”, është kauza të cilën do ta ndjek kandidati i Aleancës Kosova e Re (AKR) për deputet të Kuvendit të Kosovës, Fatmir Matoshi, aktualisht ministër në detyrë i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, në rast se merr mandat në legjislativ.

Në një intervistë për KALLXO.com, Matoshi ka thënë, se nuk varet prej tij nëse do të mbes deputet apo do  të kalojë në ndonjë post tjetër, në rast se siguron vota të mjaftueshme pas zgjedhjeve të 6 tetorit.

“Fondi i gjelbër. Mbështetje pak më të madhe për kompanitë që promovojnë energji të pastër, lirim taksash. Dhe e treta ndoshta fuqizimi i mëtejmë i ligjit për ajrin”, thotë Matoshi, teksa rendit tri amendamentet që do t’i propozojë në rast se bëhet deputet.

Po çfarë do të bënte ai për përmirësimin e ambientit, gjatë mandatit të mundshëm si deputet i Kuvendit të Kosovës.

“Të flasë në secilën seancë të Kuvendit. Të kërkoj llogari, të kërkoj shtytje, të kërkoj bashkim të gjithë faktorëve politik e shoqëror të Kosovës për një ajër më të shëndetshëm e më të pastër”, thekson Matoshi për KALLXO.com.

Ministri në detyrë ndër të tjerash ka thënë se është për shkëmbimit të territoreve me Serbinë.

“Veç të kuptohemi. Për sipas modelit tem. Modeli sipas meje do të ishte që Presheva, Medvegja dhe Bujanoci të jenë pjesë e Kosovës dhe në këmbim të saj nuk do të ishte problem nëse japim një ose dy komuna”, theksoi ai.

Ndërkaq sa i përket taksës 100 për qind ndaj produkteve serbe e boshnjake, Matoshi thotë se është kundër heqjes së saj, në situatën aktuale.

Matoshi thotë të jetë kundër djegies së qymyrit nëpër shtëpi gjatë dimrit dhe kundër përdorimit të plastikës, por thotë se është për ndërtimit të termocentralit të tretë me qymyr.

Kandidati i AKR-së për deputet, ka thënë se është për shitjen e Telekomit të Kosovës, ndërkaq e kundërshton ndërtimin e Autostradës së Dukagjinit.

I pyetur se a është për apo kundër ndërtimit të hidrocentraleve në lumenjtë e Kosovës, Matoshi ka abstenuar.

Në anën tjetër, ai përkrahë mbylljen e universiteteve publike nëpër komuna nëse nuk i akreditohen programet nga Agjencia e Akreditimit, si dhe është kundër monopolit në homologim.

Me “Për”, Matoshi është përgjigjur edhe për martesat në mes së gjinisë së njëjtë si dhe për bartjen e shamive në shkolla.

Në këtë intervistë për KALLXO.com, Matoshi ka treguar edhe për pasurinë e tij e të familjes, punësimet e tyre e shkollimin e fëmijëve.

Në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 6 tetorit, Nisma Socialdemokrate garon në një listë të përbashkët me Aleancën Kosova e Re (AKR) dhe Partinë e Drejtësisë (PD), pas nënshkrimit të koalicionit parazgjedhor.

Më poshtë e gjeni të plotë intervistën me kandidatin e AKR-së për deputet, Fatmir Matoshi:

Kallxo.com: Cila është kauza që keni me e shty nëse boheni deputet?

Fatmir Matoshi: Mjedisi i pastër për Kosovën.

Kallxo.com: Nëse e merrni mandatin a keni me vazhdu me qenë deputet apo keni me kalu me ndonjë post tjetër?

Fatmir Matoshi: Nuk varet prej meje.

Kallxo.com: Cilat taksa mendoni se duhet me u ulë dhe cilat me u rritë në Kosovë?

Fatmir Matoshi: Taksat e prodhuesve duhen me u ulë mendoj, ato të importit ndoshta mund të rriten.

Kallxo.com: Cilat janë tri amendamentet e para që keni me i propozu?

Fatmir Matoshi: Fondi i gjelbër. Mbështetje pak më të madhe për kompanitë që promovojnë energji të pastër, lirim taksash. Dhe e treta ndoshta fuqizimi i mëtejmë i ligjit për ajrin.

Kallxo.com: Cilat janë tri problemet/nevojat kryesore e komunës prej nga vini?

Fatmir Matoshi: Mungesa e ujit, mungesa e impianteve për trajtim të ujërave të zeza dhe zhvillimi ekonomik.

Kallxo.com: A ka gjasa me e ndërru partinë ku jeni tash?

Fatmir Matoshi: Nuk e mendoj asnjëherë.

Kallxo.com: A ka gjasa me votu kundër qëndrimit të grupit tuaj parlamentar?

Fatmir Matoshi: Ka mundësi.

Kallxo.com: Cili grup i diskriminuar do ta ndjenë më së shumti përkrahjen tuaj si deputet?

Fatmir Matoshi: Mendoj se grupi më i diskriminuar i shoqërisë që kish me pas mbështetjen time, do të ishin personat me aftësi të kufizuara.

Kallxo.com: Çka do të bëni për përmirësimin e ambientit (mjedisit) dhe ajrit të ndotur në Kosovë?

Fatmir Matoshi: Të flasë në secilën seancë të Kuvendit. Të kërkoj llogari, të kërkoj shtytje, të kërkoj bashkim të gjithë faktorëve politik e shoqëror të Kosovës për një ajër më të shëndetshëm e më të pastër.

Kallxo.com: A jeni PËR apo KUNDËR ndërtimit të termocentralit të tretë me qymyr?

Fatmir Matoshi: Për.

Kallxo.com: A jeni PËR apo KUNDËR djegies së qymyrit nëpër shtëpi gjatë dimrit?

Fatmir Matoshi: Kundër.

Kallxo.com: A jeni PËR apo KUNDËR përdorimit të qeseve të plastikës?

Fatmir Matoshi: Kundër.

Kallxo.com: A jeni PËR apo KUNDËR shitjes së Telekomit të Kosovës?

Fatmir Matoshi: Për.

Kallxo.com: A jeni PËR apo KUNDËR ndërtimit të autostradës së Dukagjinit?

Fatmir Matoshi: Kundër.

Kallxo.com: A jeni PËR apo KUNDËR shkëmbimit të territoreve me Serbi?

Fatmir Matoshi: Për. Veç të kuptohemi. Për sipas modelit tem. Modeli sipas meje do të ishte që Presheva, Medvegja dhe Bujanoci të jenë pjesë e Kosovës dhe në këmbim të saj nuk do të ishte problem nëse japim një ose dy komuna.

Kallxo.com: A jeni PËR apo KUNDËR heqjes së tarifës me Serbinë?

Fatmir Matoshi: Kundër, në situatën aktuale.

Kallxo.com: A jeni PËR apo KUNDËR ndërtimit të hidrocentraleve në lumenjtë e Kosovës?

Fatmir Matoshi: Abstenoj.

Kallxo.com: A jeni PËR apo KUNDËR mbylljes së Universiteteve Publike nëpër komuna nëse nuk i akreditohen programet nga Agjencia e Akreditimit?

Fatmir Matoshi: Për.

Kallxo.com: A jeni PËR apo KUNDËR monopolit në homologim?

Fatmir Matoshi: Kundër.

Kallxo.com: A jeni PËR apo KUNDËR martesave në mes të gjinisë së njëjtë?

Fatmir Matoshi: Për.

Kallxo.com: A jeni PËR apo KUNDËR bartjes së shamive në shkolla?

Fatmir Matoshi: Për.

Kallxo.com: A jeni PËR apo KUNDËR kuotës për deputetë nga diaspora?

Fatmir Matoshi: Për.

Kallxo.com: A je PËR apo KUNDËR ridizajnimit të skemës për veteranët e luftës me të cilën është abuzu?

Fatmir Matoshi: Jam për.

Kallxo.com: A jeni PËR apo KUNDËR heqjes së kartonit të gjelbër për diasporën?

Fatmir Matoshi: Për.

Kallxo.com: Kush po ua financon fushatën?

Fatmir Matoshi: Nuk jam në fushatë tash. (Kush do t’ua financojë fushatën?). Mendoj që partia.

Kallxo.com: Sa vende pune i keni momentalisht dhe sa vende pune keni me i mbajt gjatë kohës kur jeni deputet/ministër?

Fatmir Matoshi: E kam një vend pune dhe një do ta mbaj gjithmonë.

Kallxo.com: Sa janë të hyrat mujore dhe çfarë pasurie keni?

Fatmir Matoshi: Të mijat janë rreth dy mijë euro. Janë edhe 500 euro të gruas, 2500 euro.

Kallxo.com: A e keni pasurinë të përbashkët me gruan/burrin? Nëse jo, a keni me e regjistru bashkarisht?

Fatmir Matoshi: Të përbashkët. Po jemi në proces të regjistrimit.

Kallxo.com: Herën e fundit kur jeni sëmurë, ku jeni shëru, në spital privat apo publik?

Fatmir Matoshi: Në privat dhe publik. Nuk e mbaj mend, por nuk e di edhe kur jam kanë te mjeku herën e fundit.

Kallxo.com: Ku keni me shku kur të bëheni deputet, nëse sëmureni?

Fatmir Matoshi: Te mjeku. Te doktor Gani Krasniqi, që është mjeku jem. Në spital.

Kallxo.com: Fëmijët tuaj a janë në shkolla publike apo private?

Fatmir Matoshi: Publike.

Kallxo.com: Sa familjarë i keni të papunë dhe a keni me i punësu gjatë kohës që e merr mandatin?

Fatmir Matoshi: Mbi 10 familjarë i kam të pa punë. I kam 6 vllazni, katër motra. Motrat kanë burra, vllaznit kanë gra, kam kunata. Prej këtyre 20 sa jemi, ndoshta nja 10 janë të pa punë. Nëse para intervistave ku aplikojnë dikun m’vesin diçka ju tregoj, për atë çka e di. Por jo me ndiku që ata m’u pranu.

Kallxo.com: Qysh keni me votu për fatin e Trepçës, me u privatizu apo me mbet nën qeverisjen shtetërore?

Fatmir Matoshi: Me një përqindje të aksioneve të shtetit dhe me një dorë të privatit.

Kallxo.com: Me cilin projekt keni me e kushtëzu votën tuaj për buxhet?

Fatmir Matoshi: Me Digën e Projektin e Kremenatës, Hidrosistemit Ki-Kremenatë.

Kallxo.com: Cili ka me qenë projekti/puna me të cilën keni me lanë gjurmë/trashëgimia juaj si deputet?

Fatmir Matoshi: Mendoj se do të jetë prapë projekti Ki-Kremenatë. Hidrosistemi Ki-Kremenatë që jep mundësinë e zhvillimit edhe rajonit të lindjes së Kosovës.

Kallxo.com: Sa pyetje parlamentare keni me i parashtru brenda një viti?

Fatmir Matoshi: Nuk e di. 12.

Kallxo.com: Sa takime me qytetarë keni me i mbajt gjatë një viti/mandati?

Fatmir Matoshi: Shumë, shumë. Deputeti është përfaqësues i drejtpërdrejtë i qytetarëve, mendoj me qindra takime.

Kallxo.com: Makinat më të vjetra se cili vit nuk duhet të lejohen të importohen në Kosovë?

Fatmir Matoshi: 10 vjet.

Kallxo.com: Sa dëgjime publike keni me i iniciu ne komisionet ku keni me qenë pjesë?

Fatmir Matoshi: Varet nga tema. Sa të ketë nevojë.

Kallxo.com: A jepni dorëheqje nëse ju ngritet aktakuzë?

Fatmir Matoshi: Jo.

Kallxo.com: A e votoni rrëzimin e qeverisë nëse kryeministri ka aktakuzë?

Fatmir Matoshi: Jo.

Kallxo.com: A e votoni një qeveri që i ka mbi 15 ministri?

Fatmir Matoshi: Po.

Kallxo.com: Sa zv.ministra duhet t’i ketë një ministri?

Fatmir Matoshi: 1 ose 2.

Kallxo.com: A keni me i votu për anëtarësim në borde të ndërmarrjeve publike & shoqërore njerëzit që nuk i plotësojnë kushtet për emërim?

Fatmir Matoshi: Jo.

Kallxo.com: A keni me i bo transparente fondet e partisë?

Fatmir Matoshi: Po.

Kallxo.com: A keni me i hapë dokumentet/faturat në kuvend/ministri?

Fatmir Matoshi: Gjithmonë.