Michael Roth

Ministri gjerman: Kundër "ujdive" të rrezikshme Kosovë - Serbi që kërcënojnë ta hapin "Kutinë e Pandorës"

Korrik, 1995: Miliona njerëz vështrojnë me admirim Reihstagun e mbuluar nga veprimtari artistik Christo në Berlin. Çifti mbretëror belg viziton Bonin. Ndërkohë larg në Lindje të Bosnjes dhe Hercegovinës ndodhin krimet më të tmerrshme të luftës në tokën evropiane që nga Lufta e Dytë Botërore: Gjenocidi i Srebrenicës. Në ditët nga 11 korriku në vazhdim forcat e armatosura serbe të Bosnjës vranë atje mijëra djem dhe burra të paarmatosur myslimanë në mënyrën më mizore. Këtë vit shënohet përvjetori i 25-të i gjenocidit të Srebrenicës.

Pas përfundimit të Luftës së Ftohtë shumë njerëz në mbarë botën kishin besuar se demokracia liberale ishte një marsh triumfal. Në hije të kësaj fryme të optimizmit, nacionalizmi që ishte konsideruar tashmë si i tejkaluar, kishte çarë sërish rrugën e përgjakshme në Ballkan. Srebrenica përbën një kapitull veçanërisht të errët të atyre luftërave dhe konflikteve, të cilat e kthyen ish-Jugosllavinë në një fushëbetejë të tmerrshme. Ky qytet idilik në mënyrë emblematike përfaqëson një rënie të paparamendueshme në barbari, në shkatërrim të ekzistencës njerëzore dhe vuajtje të pafund. Gra dhe fëmijë janë përndjekur, dhunuar dhe dëbuar, djem dhe burra të pambrojtur janë ndarë në mënyrë sistematike për t‘u vrarë dhe groposur më pas – vetëm pse ishin myslimanë boshnjakë.

Por Srebrenica është bërë edhe mishërim i dështimit kolektiv të bashkësisë ndërkombëtare, sepse vrasjet ndodhën para syve të Kombeve të Bashkuara dhe opinionit botëror. Bashkësia ndërkombëtare me helmetëkaltërit e stacionuar në rajon nuk ia doli t’i mbrojë civilët dhe t’ia ndal hovin trupave vrastare të gjeneralit Ratko Mladiq. Srebrenica shënon jo vetëm pikën më të thellë, por edhe një pikë kthese në historinë më të re të Evropës. Masakra më e tmerrshme e ka tronditur deri në palcë identitetin tonë dhe përceptimin për vetëveten tonë dhe ka shkaktuar një ndryshim të të menduarit, jo vetëm në Gjermani. E ka ndryshuar këndvështrimin tonë për përgjegjësinë në rajon, në konfliktet ndërkombëtare dhe përdorimin edhe të mjeteve ushtarake për ruajtje të paqes dhe mbrojtje të civilëve. Shpresa që nuk duhet të zhvillohet „kurrë më luftë“, marrë parasysh masakrat në oborrin e Evropës, doli të jetë thjeshtë një iluzion. Paqja dhe pajtimi në Ballkanin Perëndimor përfundimisht janë bërë një test real për suksesin e qëndrueshëm të modelit evropian.

Plagët e rënda të gjenocidit të Srebrenicës dhembin akoma edhe sot. Vazhdimisht zbulohen varre të reja me mbetje mortore të të vrarëve. Edhe këtë vit në memorialin e ngritur në vitin 2003, viktimat varrosen nga familjarë të tyre. Nuk është për t’u përjashtuar ballafaqimi ligjor përkitazi me masakrat – jo në Hagë, ku ende nuk është marrë një vendim përfundimtar në procesin rishqyrtues kundër Mladiqit; jo në vendet e rajonit, ku proceset kundër krimeve të luftës përparojnë vetëm pjesërisht dhe kryesit e veprave janë ende larg ballafaqimit me drejtësinë. Derisa juridiksioni ndërkombëtar krimet i konsideron si gjenocid, Serbia dhe serbët e Bosnjës me këmbëngulje refuzojë ta njohin gjenocidin si të tillë. Për më tepër, në Bosnje dhe Hercegovinë deri sot nuk ka një ligj vendor që parasheh dënim për mohimin e krimeve të luftës. Përpjekje të vazhdueshme nevojiten edhe për zbardhjen e fatit të të zhdukurve. Për ta arritur këtë, të gjitha shtetet në rajon duhet t’i hapin arkivat e tyre dhe të bashkëpunojnë në mënyrë aktive. Këtë detyrim e kanë marrë përsipër shefat e qeverive të vendeve të Ballkanit Perëndimor në „Deklaratën e Londrës“, brenda Procesit të Berlinit në vitin 2018.

Situata në Ballkanin Perëndimor edhe më tej mbetet e brishtë. Politikanët qëllimshëm nxisin përçarje në mes grupeve etnike dhe fetare, i hedhin benzinë zjarrit nacionalist dhe mbjellin paragjykime raciste dhe urrejtje. Retorika nxitëse nuk ndalet edhe para admirimit të të dënuarve për krime lufte. Ata përçajnë në vend se të pajtojnë. Ende kanos rreziku që të njomen plagët e vjetra dhe të ringjallen konfliktet etnike. Prandaj shumë të rinj nuk shohin perspektivë në atdheun e tyre dhe vihen në kërkim të një të ardhmeje të re, jashtë vendit – për shkak se pajtimi dhe ndryshimi atje, iu ngjet se po ecin tejet ngadalë.

Pajtimi në rajon është faktor kyç për paqen dhe ndryshimin, për një perspektivë të mirë në Ballkanin Perëndimor. Mirëpo pajtimi është një rrugë e vështirë që kërkon forcë dhe guxim nga të gjitha palët. Lajm i mirë është që gjithandej në rajon ka personalitete që angazhohen me mish e shpirt për të realizuar atë. I tillë është kreu i Bashkësisë Myslimane në Bosnjë dhe Hercegovinë, Kryemyftiu Husein Kavazoviq, i cili angazhohet për pranimin e krimeve të kryera, në mënyrë për të trasuar rrugën e pajtimit; nxënëset dhe nxënësit e një gjimnazi në qytetin boshnjak Jajce, të cilët prej vitesh kundërshtojnë ndarjen etnike që e dëshirojnë institucionet; organizatat e shumëta të shoqërisë civile, të mbledhura rreth Iniciativës për Pajtim RECOM dhe të cilët nëpërmjet mbajtjes gjallë të kujtimeve për viktimat e luftrave në Ballkan duan të ndërtojnë një të ardhme të përbashkët; Iniciativa Rinore RYCO, brenda së cilës guximtare dhe guximtarë së bashku shtyejnë përpara shkëmbimin dhe bashkëpunimin. Dhe kush deri para pak kohësh do ta kishte imagjinuar një dakordim për një mosmarrëveshje 27-vjeçare rreth emrit në mes të ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, sot: Republika e Maqedonisë Veriore dhe Greqisë? Politikane dhe politikanë të guximshëm përmes angazhimit të madh personal kanë arritur një akt të tillë historik. Me këtë vepër të pajtimit ata kanë dërguar edhe porosi kristal të qarta në mbarë rajonin: nacionalizmi dhe popullizmi çojnë në qorrsokak, e ardhmja e përbashkët konsiston në bashkëpunim dhe kompromis!

Për sa i përket rolit të BE-së, është e qartë: Ne kemi një përgjegjësi të veçantë për oborrin e shtëpisë evropiane. Ne duhet të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë për hir të paqes, pajtimit dhe demokracisë në Ballkanin Perëndimor. Posaçërisht kur bëhet fjalë për të rinjtë, Evropa e bashkuar e vlerave të përbashkëta nuk e ka humbur shkëlqimin. Prandaj ne duhet që fuqinë tonë transformuese ta shfrytëzojmë me mençuri dhe t’iu tregojmë njerëzve në rajon, se mund të llogarisin në ne. Edhe më e rëndësishme ishte që në Samitin e BE-së në maj – përkundër që u gjendëm në mes të provës stretuese të krizave që shkaktoi Corona – edhe një herë pangatërrueshëm dhe shumë qartë e theksuam që: E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në BE!  Drita e gjelbër për nisje të negociatave për anëtarësim që iu dha Shqipërisë dhe Maqedonisë Veriore ishte hapi i duhur dhe i tejkaluar prej kohësh. Tani duhet që sa më parë të jetë e mundur të pasojnë konferencat e para të anëtarësimit me të dyja shtetet, në qoftë se janë përmbushur parakushtet për këtë. Dhe duke hedhur shikimin nga Kosova, ne si BE duhet të japim atë që kemi premtuar dhe më në fund të përparojmë në rrugën e liberalizimit të vizave.

Vendeve të Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre drejt BE-së ne do t’iu qëndrojmë përkrah. Ky është edhe një prioritet i Presidencës gjermane të Këshillit të Bashkimit Evropian, gjatë së cilës Gjermania ka marrë veçanërisht përgjegjësi! Në përpjekjet për pajtim në rajon, si dhe në kapërcimin e pasojave ekonomike dhe sociale të shkaktuara nga kriza e Coronës, ne do të jemi përkrah rajonit. Njerëzit duhet ta ndjejnë atë që përbën solidaritetin evropian dhe atë që e bën të veçantë dhe të vlefshme Evropën tonë të bashkuar. Para së gjithash, ne duam që me aq sa kemi fuqi, të mbështesim ndërtimin e një shoqërie civile të fortë dhe diverse, si dhe në mënyrë specifike t’i marrim në konsideratë perspektivat e të rinjve. Ne duhet për shembull të forcojmë Iniciativën Rinore RYCO që të fitojmë gjeneratën e re si ambasadore dhe ambasadorë të paqes dhe pajtimit. Dhe marrë parasysh tensionet rajonale, ne duhet t’i japim një frymë të re dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në mes Serbisë dhe Kosovës. Kjo për shkak se kemi nevojë për zgjidhje të qëndrueshme të konflikteve – dhe jo „ujdi“ të rrezikshme, të cilat me fantazi për shkëmbim kufijsh kërcënojnë të hapin sërish kutinë veçanërisht konfliktuoze të Pandorës.

Gjenocidi i Srebrenicës qe një pikë e tmerrshme kthese. Plagët e rënda akoma nuk janë shëruar, vragët dhembin dhe sot. Më 11 korrik heshtim dhe kujtojmë viktimat e kësaj barbarie dhe viktimat e

panumërta të luftërave në ish-Jugosllavi. Kujtimi viktimave iu jep një imazh dhe një zë. Është tejet e rëndësishme që tregimet për vuajtjet e viktimave dhe familjarëve të tyre të jenë të qasshme për gjeneratat e ardhshme. Sepse ky është një parakusht i detyrueshëm që kurrë më të mos ndodhë diçka si kjo. Mirëpo është larg të qenit një garanci.

Presidenti ynë federal, Frank-Walter Steinmeier ka të drejtë kur thotë që kujtimi nuk na bën imun ndaj të keqes dhe që fantazma ogurzeza sot shfaqen me një pamje të re. Edhe në Gjermani dhe gjithandej në BE. Këto fantazma përbuzin demokracinë dhe kanë frikë nga diversiteti. Ato besojnë në përçarje, izolim dhe cytje si përgjigje ndaj çështjeve më urgjente të kohës tonë, dhe jo në bashkim dhe dialog. Prandaj ne duhet që 11 korrikun ta kuptojmë si thirrje për zgjim dhe kërkesë për të bërë më shumë. Gjenocidi i Srebrenicës na paralajmëron për të qenë më vigjilent në jetën tonë të përditshme dhe më të vendosur për të vepruar kundër revizionizmit, nacionalizmit dhe secilës formë të racizmit. Dhe na merr përgjegjësinë që me vendosmëri ti tregojmë gjoksin virusit të përbuzjes së demokracisë dhe urrejtjes ndaj të huajve – në Srebrenicë dhe në mbarë Ballkanin, në Gjermani dhe në tërë Evropën, në SHBA dhe gjetiu. Përherë dhe kudo!

 

Michael Roth është Ministër i Shtetit për Evropë në Ministrinë e Jashtme Federale

Artikulli fillimisht është publikuar në gazetën gjermane “Die Welt”.

Titulli është i redaksisë.