Mimoza Rraci, artistja që jeton mes ngjyrave

Për një artist, brusha dhe ngjyrat janë forma më e mirë që ta shprehin dashurinë dhe dhimbjen ndaj botës dhe realitetit.

Pa marrë parasysh sfidat, mungesën e vlerësimit, shkatërrimit të përditshëm të veprave të artit, shumë artistë pasionin ndaj pikturës arrijnë ta shndërrojnë në profesionin e tyre jetësor.

Situata pandemike ka lënë pa punë, e pa aktivitete të përditshme shumë punëtorë. Por, ka edhe prej atyre që kohën e pandemisë e kanë shfrytëzuar për të japur maksimumin në punën e tyre artistike, dhe të punojnë intensivisht në ngritjen e kapaciteteve të tyre profesionale.

Pikturat, muralet në lokale, shtëpitë e në parqet e Kosovës,  skulpturat në miniaturë, punimet në rroba, portretet në pjata, e ilustrimet e ndryshme në materiale të pazakonshme si në trupa njerëzor, vezë, gjethe, janë vetëm disa nga veprat artistike që i realizon artistja Mimoza Rraci.

Rraci, nga qyteti i Gjakovës ka përfunduar fakultetin për dizajn grafik por ka 12 vite që pasionin e saj ndaj pikturës e ka shndërruar në profesion.

“E kam përfunduar dizajnin grafik, kam punuar një vit mbas fakultetit por me anë të kompujterit nuk po mundem me u shpreh lirshëm. Lapsi dhe brusha janë pasioni im. E kam lënë dizajnin, nuk merrem më me atë punë, se nuk më lejon të shprehem si dua”, u shpreh ajo.

Disa nga muralet, grafitet, ilustrimet në tabelat e lokaleve të kryeqytetit si në Bon Vivant,  Troshë, Apartament, Rooftop, One Way etj., janë të punuara nga duart e saj.

 

Sipas Rracit puna në lokalet e qyteteve të Kosovës, është një nga kërkesat më të mëdha për punë në katër vitet e fundit. Ajo tha se gjatë gjithë kohës ka kërkesa që të realizoj punime në hapësira të ndryshme në Prishtinë. Përpos kryeqytetit ku është më shumë e koncentruar puna e saj, ajo ka punuar në qytete të tjera si Gjakovë, Ferizaj, Pejë, Prizren dhe ka bashkëpunuar me Ambasadën Amerikane, USAID-in, etj.

Ajo tha se punën e merr me aq kënaqësi, përkushtim e vullnet sa që harron që ato orë të punës janë profesioni i saj.

“Edhe pse jemi në Kosovë dhe nuk është ekonomia aq e mirë, nuk është që punën e artit e bëj vec të fitoj diçka. Arti është luks për ata që e kërkojnë e për artistët është punë”, tha ajo.

Sipas saj  puna e pikturimit në ambiente të ndryshme është vetëm pasion, presion ka vetëm prej kohës.

“Kur punoj në lokale se duhet ta përfundoj mbrenda kohës të caktuar.Veç në një tavan që  e kam pikturuar kohën e fundit në një lokal në Prishtinë më ka zgjat shtatë ditë, shumë detaje, presion i kohës të punosh  kur punon në prani të njerëzve”, tha Rraci.

 

Ajo tha që përpos ngurrimit nganjëherë që ka të punoj nën sy të njerëzve, puna në prani të tyre i sjellë edhe shumë punë tjera sepse njerëzit janë shumë të interesuar që të realizojnë punime në muret e shtëpive të tyre.

Sipas saj viteve të fundit  ka filluar të vlerësohet më shumë arti, për shkak të rrjeteve sociale, njerëzit janë vetëdijësuar dhe kërkohet shumë që ambientet familjare të sjellin sa më shumë ngrohtësi edhe me punime artistike.

Se a e ka të vështirë të pikturoj diçka që i përcaktohet, ajo tha se nuk e ka problem edhe të bëj dicka që nuk është ide e saj sepse është mësuar me këtë punë.  Rraci rrëfej se në lokale arkitekti/ja propozon se çka duhet të bëjë sepse varet nga përshtatja me ambient, modifikim, por shpesh merret edhe mendimi i saj apo ka edhe  prej atyre që të gjithë skicën ia besojnë asaj.

“Punën e bëj veç vet, nuk mundem të punoj me një të dytë. Më pengon se nuk mundem të shprehem lirshëm. Nuk është punë egoje, por është punë me ndjenja që nuk mundesh ta ndash me askënd. Kam provuar, por nuk po mundem se jam shumë detajiste”, u shpreh Rraci.

 

Sipas definimeve mbi artin, në sens specifik, realizmi i referohet një lëvizje artistike të mesit të shekullit XIX të karakterizuar nga tema të pikturuara nga jeta e përditshme në një mënyrë natyraliste, por  megjithatë termi përdoret gjithashtu për të përshkruar veprat e artit të pikturuara në një mënyrë realiste gati fotografike.

Puna realiste e cila njihet me artistin Gustav Coubert, ka të bëjë me skena të jetës së përditshme dhe të klasës punëtore, jetën e rrugëve të qytetit, kafenetë dhe argëtimet popullore dhe në trajtimin e trupit dhe subjekteve seksuale.

E në këtë stil të artit e gjen veten edhe Mimoza Rraci e cila detajin dhe lirinë mbrenda pikturës e ka fokus.

“Realizmin e praktikoj shumë se i pëlqej detajet, dhe e gjej veten më shumë në këtë stil që i bën gjërat të duken sa më reale. Kam dëshirë të eksperimentoj mbrenda artit, të përdor forma interesante”, tha ajo.

 

E koha që i duhet ta përfundoj një mural apo punim e gjitha varet prej dimensionit të punës. Ajo së pari shkon dhe e shikon punishten, e pastaj e cakton kohën në bazë të dimensioneve dhe kontributit që do jep për atë punë. Nga eksperiencat, ajo tha ka punë që i zgjasin dy deri në tri ditë, në një javë por ka pas rast që në një objekt ka punuar intensivisht një muaj të plotë për shkak se ka pas të realizoj punime në tulla, drunjë, në muri, dollap, etj.

Një kënd i zakonshëm në shtëpinë e saj, një zhveshje e vogël e murit, një figurë e zakonshme e frymëzon atë që të merr brushën dhe ngjyrat e ta shndërrojë atë në vepër arti.

Rraci e rrëfeu një rast kur në puntorinë e saj në Gjakovë ka qenë një pjesë e prishur, dhe asaj cope ia ka dhënë një formë duke e shëndrruar në një bjeshkatar.

“Në tulla në oborr të shtëpisë ka qenë  një vend që e kanë lënë puntorët keq, edhe e kam parë më është dukur  si një shpend, i kam kap ngjyrat edhe ia kam jep formën e një ilustrimi të zogut”.

 

Përpos këtyre, artistja punon punime me porosi me portrete e ilustime në pjata që sipas saj kërkohen shumë në Kosovë.

Ajo tha se puna në këto materiale merr kohë sepse njerëzit kërkojnë që ta realizoj në mënyrë identike, gjë që është e pamundur për një printer, e le më për duart e njeriut.

“Pjatat me portrete marrin shumë kohë se duhet të punohen shtresa-shtresa, plus njerëzit nganjëherë mendojnë që jam printer, dëshirojnë që identik njëqind përqind njëjtë që nuk ka mundësi të bëhet komplet e njëjtë. Ilustrimet janë më lehtë ndërsa portretet marrin ditë”, tha ajo.

Megjithatë, punimi në pjata është vetëm njëri ndër punët e saj. Rraci pikturon në trupa njerëzor, në rroba, çanta, xham, gjethe, me lëngje të ndryshme, piktura 3D të cilat marrin shumë kohë për t’u realizuar, murale nëpër ambiente të jashtme.

 

“Kam dëshirë të provoj gjëra të reja gjatë gjithë kohës, në mënyrë që mos të bëhem monton. Mua më kënaq procesi i punës dhe koncentrohem më shumë se njëqind përqind”, u shpreh me entuziazëm ajo.

Ndërsa për punën nëpër shtëpi ajo tha se kërkohet shumë piktura në muret e shtëpive dhe se gjatë gjithë kohës ka kërkesa.

Sekreti i punës së saj, është se asnjëherë nuk e planifikon punën e saj por e jeton dhe e shijon momentin. Punën me piktura tha që e ka pëvetësuar si autodidakte duke shikuar tutorials në YouTube, dhe në këtë mënyrë e ka ndjek dinamikën e artit.

Por, edhe pse nuk e planifikon të ardhmen ajo tregoi se gjithmonë ka menduar të realizoj një ekspozitë personale, por për shkak të punës së përditshme nuk ka hapësirë të mjaftueshme të përkushtohet.

Ndërsa, për vlerësimin e artit në Kosovë ajo tha se gjatë pandemisë, njerëzit e kanë vlerësuar shumë artin, për shkak se ka marrur hov të madh në rrjetet sociale. Por, për shkatërrimine muraleve, sikurse largimi i muralit të Fitore Berishës te “Sllovenia e Sporti” ajo tha se kur e sheh këtë degradim të artit dëshëprohet.

Rraci shpalosi një rast kur kishte punuar një mural në qytetin e Gjakovës për të cilin kishte dhënë aq shumë kontribut, mural i cili u shkatërua mbrenda një dite. Ajo tha se kishin realizuar një mural me dedikim ndaj dashurisë por ditën e nesërme, një person që kishte pasur lokalin afër, atë mural të punuar me aq përkushtim e kishte shëndrruar në një pikturë me fokus flamurin kombëtar.

“Kur e shoh se si shkatërrohet puna që aq shumë japim kontribut, është sikur të ma marrin një pjesë të trupit”, u shpreh e indinjuar Rraci.