Mimoza Kusari- Lila

Kontribuuesja e Qendrës

Mimoza Kusari – Lila është nominuar sërish nga Aleanca Kosova e Re për të sfiduar Lekajn. 

Ajo ishte mposhtur nga Lekaj, por beson që kësaj here do të triumfojë kundër tij. 

Atëherë kërkonte votën me moton “Guximi për të vepruar” që gjasonte me titullin e librit të presidentit amerikan Barack Obama “Guximi për të shpresuar”. 

Përgjatë fushatës së këtij viti, nuk kanë munguar thumbimet ndaj njëri-tjetrit. 

Të dy kandidatët Kusari-Lila e Lekaj kanë thumbuar njëri-tjetrin edhe para nisjes së fushatës, në kohën kur e nominuara e AKR-së mbante pozitën e ministres për Tregti e Industri dhe zëvendëskryeministres së Republikës së Kosovës. 

Kusari Lila, e lindur më 1975, është e martuar me Arben Lilën dhe kanë dy djem.

Kandidatja e AKR-së ka dhënë dorëheqje nga postet qeveritare, me të nisur fushata me 3 nëntor të këtij viti. 

Kusari-Lila ka mbaruar studimet e larta në Universitetin e Prishtinës në Fakultetin Ekonomik, ku diplomoi më 1998, në Sistemet e Menaxhimit dhe Informimit. 

Ajo ishte fituese e bursës “Ron Brown” nga Departamenti i Shtetit, e cila i mundësoi asaj që të magjistrojë për Administrim Biznesi (MBA) në Universitetin Duquesne në Pittsburg, ku në 2001-ën u specializua në e-biznes.

Në zgjedhjet e jashtëzakonshme të dhjetorit 2010, Kusari – Lila ishte femra më e votuar politikane në Kosovë.

Mirëpo, jo rrallëherë, Kusari – Lila ishte kritikuar nga pushteti aktual në Gjakovë për jomungesë kontributi ndaj Gjakovës. 

Sipas Qazim Mehmetit, shef i shtabit zgjedhor të subjektit AAK në komunën e Gjakovës, Kusari-Lila si ministre në MTI dhe zëvendëskryeministre, nga viti 2009 nuk kishte vizituar  asnjë herë komunën.

“Qendra Inovative në Gjakovë, nuk ka qenë sukses i punës se saj, sepse kjo kur ka ardhur në pozitën e ministres, e ka gjetur vendimin për këtë qendër”, ka deklaruaar Mehmeti. 

Në anën tjetër, Mimoza Kusari – Lila, e konsideron ndërtimin e  Qendrës Inovative si sukses të saj. Qendra Inovative është tashmë funksionale në Gjakovë. 

Në debatin e së mërkurës mbrëma, Kusari – Lila u deklarua për sukseset e saj në pozitat e pushtetin qendror dhe për kontaktimin e shumë investitorëve edhe për Gjakovën.

Por, pushtetarët aktualë në Gjakovë nga AAK-ja, pohojnë se Kusari-Lila nuk ka ndihmuar në nxitjen e investimeve në këtë qytet. 

Zyrari i AAK-së thotë se një mbishkrim në kufirin e Shqipërisë “Rruga na bashkon-Mimoza na ndau”, e dëshmon më së miri nxitjen e investimeve nga ana e Kusari-Lilës. 

Kusari –Lila gjatë kohës sa ka qenë ministre,  ka marrë disa vendime për të cilat është kritikuar ose lavdëruar – si masat e reciprocitetit me Serbinë, “masat mbrojtëse” në importin e çimentos dhe moslicencimin e kompanisë së fuqishme Kosova Petrol . 

Kusari-Lila në premtimet e saj fokusohet në zhvillimin ekonomik që gjeneron rritje të vendeve të reja të punës. 

Premtimet e kësaj natyre kanë qenë premtime të rregullta të AKR-së së biznesmenit Behgjet Pacolli dhe është lëmi ku kryetari i Gjakovës Lekaj është kritikuar më së shumti, pasi nuk kishte arritur të zbatonte premtimin për të krijuar mijëra vende të punës. Lekaj vetë e kishte pranuar se nuk kishte mundur të realizonte premtimin.

Në anën tjetër, bashkëshorti i saj Arben Lila, përshkruan Mimozën si njeri familjar, dinamik dhe mjaft punëtor, e cila është dinamike edhe në familje dhe punët e shtëpisë.

Kusari – Lila gjithashtu është një anëtare aktive e shoqërisë për çështje të barazisë gjinore dhe është e angazhuar në aktivitete të ndryshme për pjesëmarrje më të madhe të gruas në rolin e vendimmarrjes, në veçanti në angazhimin më të madh të gruas në ekonomi. 

“Kthimi i Gjakovës në trendin pozitiv të zhvillimit”, është premtimi i Mimoza Kusari-Lilës që thotë se do ta realizojë.