Miliona Euro Donacione për Energji (TV)

Për mbylljen e Kosovës A, që duhet të përfundojë më 31 dhjetor 2017, Komisioni Europian (KE) ka dhënë donacion prej 60 milionë eurosh.

Tanimë grupet punuese të qeverisë dhe Bashkimit Europian kanë një plan operativ dhe kanë filluar me përgatitjet teknike e ligjore për ta mundësuar mbylljen e termocentralit të stërvjetëruar.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik  Besim Beqaj tha se në fillim të vitit 2018 ne do të kemi kapacitetet tona të reja të Kosovës B dhe nuk do të mbesim pa furnizim të energjisë elektrike.

“Në në ndërkohë jemi duke punuar shumë që të kemi burime të ripërtërishme të cilat do të mundësojnë mbulimin e kësaj hapësire”, tha ai.

Komisioni Europian ka dhënë donacion prej 40 milionë eurove të tjera për energjitë e ripërtërishme, programin e efiçiencës së energjisë dhe çështje rregullatore.

Në këtë konferencë, shteti amerikan ka dhënë donacion prej 15 milionë dollarësh për pesë vitet e ardhshme. Ky donacion do të shkojë për konsulencë në fushën e rregullimit të bazës legjislative dhe rregullatore.

Banka Botërore ka zotuar donacione prej 55 milionë dollarësh për energjinë e ripërtërishme në ndërtesat e sektorit publik, efiçiencën e energjisë dhe menaxhimin mjedisor të lidhur me sektorin energjetik.

Po ashtu, Banka Botërore ka miratuar një financim shtesë prej 4.2 milionë dollarëve javën e kaluar për projektin e pastrimit dhe rifitimit të tokës në Sektorin Energjetik të Kosovës.

Ky financim do të synojë edhe adresimin e çështjeve mjedisore afër Kosovës A dhe heqjen e kimikateve të rrezikshme nga fabrika e vjetër e gasifikimit.

Konzorciumi i organizatave të shoqërisë civile, KOSID, ka reaguar për moslejimin e paraqitjes së pikëpamjeve të tyre zhvillimore të energjisë në këtë konferencë.

“Kosova nuk mund të zhvillohet vetëm me konferenca të donatorëve por duke krijuar projekte konkrete për zhvillim të qëndrueshëm, e në këtë rast edhe të sektorit të energjisë”, tha Visar Azemi koordinator në KOSID.

Nikoqiri i konferencës së donatorëve, ministria e zhvillimit ekonomik, kishte ndarë pjesën e fundit të ditës për brifing me shoqërinë civile.

Po ashtu, edhe akterët e rëndësishëm të tregut të energjisë nuk ishin të ftuar në këtë konferencë.