Miliona Euro Dëm Nga “Zona Gri” e Veriut

Që nga viti 2008 deri në qershor të vitit 2011 buxheti i Serbisë u dëmtua në veri të Kosovës për më shumë se 90 milionë euro në bazë të TVSH-së së papaguar mbi produktet e naftës, 120 milionë euro për vetura dhe rreth 3 milionë në bazë telefonisë, sipas një studimi të kryer nga ana e OJQ-ve “Qendra për Rajonalizim” nga Novi Sadi dhe “Nëna Terezë” nga Prishtina.

Studimi nuk mbulon pjesën e mëparshme por TVSH duket se nuk është aplikuar nga Serbia për veriun prej vitit 1999 deri në qershor 2011 kur ajo filloi të zbatonte atë në masën prej 18 për qind.

Studiuesit kishin paralajmëruar edhe tani ish-shefin ekipit negociues të Serbisë, Borislav Stefanoviq. Studimi i kërkuar dhe financuar nga BE thotë se pas këtij paralajmërimi qeveria serbe, më 16 shtator të viti 2011, kishte suspenduar një pjesë të rregullores nga viti 2005 dhe kështu kishte kthyer pagesën e TVSH-së për qytetarët e veriut të Kosovës mbi produktet e naftës, veturat dhe telefonat celularë.

Studimi thekson se gjatë dekadës së fundit Kosova ishte e nënta me rend për tregun serb për nga rëndësia e eksportit, me qarkullim që përfshinë gati katër për qind të totalit të eksporteve të regjistruara apo afër 300 milionë euro në vitin 2012. Sipas hulumtimit në terren, e që përfshinte intervista me transportuesit, ndërmjetësuesit dhe prodhuesit, eksportet shtesë të paregjistruara nga Serbia vlerësohen në rreth 200 milionë euro, ndërsa kjo ngre Kosovën në listën e tregjeve të eksportit në mesin e pesë destinacioneve kryesore. Eksporti nga Kosova në Serbi është shumë i vogël dhe në vitin 2010 arriti në mes tre dhe katër milionë, ndërsa eksportet e paregjistruara vlerësohen në rreth 10 milionë euro.

“Nga kjo del se është në interes vital të Serbisë nga pikëpamja e eksportuesit dhe të ekonomisë së përgjithshme, prandaj humbja e një tregu kaq të rëndësishëm nuk do të jetë e lehtë për të zëvendësuar”, thuhet në këtë studim, i cili u prezantua kohët e fundit në Qendrën e Mediave në Beograd.

Hulumtuesit pastaj vunë në dukje se mallrat që eksportohen në veri të Kosovës nuk i nënshtrohen taksës së doganës, për dallim me ato që shkojnë në jug. Këto mallra evidentohen me ose pa pagesën e TVSH-së dhe nuk i nënshtrohen të njëjtës procedurë administrative nga pikëpamja e kthimit të TVSH-së dhe kohëzgjatjes. Gjithashtu një pjesë e mallrave kthehet në Serbi pa u evidentuar dhe pa paguar TVSH-në dhe shitet me çmime pa vlerën TVSH-së në tregun e Serbisë.

Në hulumtim pohohet  se shumica e transportueseve që marrin pjesë në tregtinë gri vijnë nga zona e Sanxhakut, ndërsa shumica e ndërmjetësuesve janë nga Sanxhaku dhe veriu i Kosovës, ku edhe gjenden “tregjet” më të mëdha për rrjedhat e tregtisë joformale. “Në këtë zonë realizohen fitimet më të mëdha nga tregtia Serbi-Kosovë-Serbi, në kurriz të shërbimeve tatimore dhe doganore të Serbisë dhe Kosovës dhe në dëm të prodhuesve dhe konsumatorëve”, thuhet në studim duke shtuar se ndërmjetësues ka edhe në Malin e Zi dhe Maqedoni, sepse një pjesë e eksporteve të regjistruara dhe të paregjistruara kalojnë nëpër ato rrugët. “Kështu  pra, ka shumë të tillë që përfitojnë mbi bazën e jotransparencës së qarkullimit të mallrave në mes të Serbisë dhe Kosovës”, konkludon studimi me titullin: “Liria e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave në mes të Serbisë dhe Kosovës në kontekstin e bashkëpunimit rajonal”.

 “Disa individë janë pasuruar nga tregtia e paligjshme dhe gjendja e paligjshme” Brisllav Stefanoviq

Nga ana tjetër, Borisllav Stefanoviq ka thënë se marrëveshjet e arritura me Kosovën dhe të kontribuojë në uljen e kontrabandës së mallrave dhe të ashtuquajturave zona gri midis Serbisë dhe Kosovës. “Disa individë janë pasuruar nga tregtia e paligjshme dhe gjendja paligjshme dhe duke u bazuar në slogane”, tha Stefanoviq. Sipas tij, zbatimi i sundimit të ligjit dhe siguria ligjore filluan në shtator të vitit të kaluar me kthimin e TVSH-së në Kosovë, e qe ishte një hap i rëndësishëm në luftën kundër kontrabandës së mallrave. “Por do të vazhdojnë të mbesin në fuqi rregulloret dhe vendimet shtesë që ndikojnë në tregtinë e mallrave, sidomos në kalimet në veri të Kosovës, por edhe të tjera”, tha Stefanoviq. Ai akuzoi disa udhëheqës politikë të serbëve nga Kosova që kanë problem me “perceptimin e realitetit” dhe të cilët i shikojmë gjërat kryesisht nga pozita e interesave partiake.

Aleksandar Popov, drejtor i Qendrës për Rajonalizim nga Novi Sadi, e cila ishte një nga bartësit e projektit, tha se gjetjet tregojnë se në Kosovë ekziston një zonë gri e tregtisë serbo-shqiptare, njëfarë “vëllazërim-bashkimi” i krimit. “Në zonën gri të tregtisë në Kosovë vëllazërim-bashkimi shqiptaro-serb funksionon pa pengesa”, ka thënë Popov. Sipas tij, duhet të përcaktohet madhësia e “zonës gri” të tregtisë dhe pastaj do të jetë e qartë  se pse disa pjesë të establishmentit politik  nga pala serbe dhe ajo shqiptare janë kaq të vendosura për ruajtjen e gjendjes së tanishme në këtë zonë. “Atyre nuk u konvenon të vihet rregull në fushën e tregtisë dhe doganave”, ka thënë Popov.

Sipas tij, ekzistojnë barriera tarifore dhe jo tarifore për mallrat që shkojnë në Kosovë, për shembull malli nga Novi Pazar udhëton dy herë më gjatë për në Kosovë sesa për në çdo vend në Bosnje dhe Hercegovinë. “Ka ndalesa të ndryshme përgjatë rrugës, si ato të kontrollit nga organet tona dhe ato të Kosovës. Ka edhe përpjekje të ndryshme për ryshfet të zyrtarëve të rëndësishme për të kryer punë”, tha Popov. Ai tha se problemi më i madh janë dy pikë kalimet në veri të Kosovës, në të cilat vetëm EULEX-i evidenton mallin, i cili është i regjistruar pjesërisht. “Pas kësaj, kush nuk e di se çfarë ndodh me këtë mall, sepse ai pa u evidentuar më tutje përmes disa kanaleve gri arrin në jug”, tha Popov. Ai shtoi se nga këto zona gri vuajnë të dyja anët, por më së shumti vuan buxheti i Serbisë.

Qeveria e Serbisë nuk ka treguar se për sa janë rritur të hyrat e saj nga veriu i Kosovës që nga ndryshimet në rregulloren për TVSH të 2011-tës, pasi ata thanë se nuk specifikojnë të dhënat në këtë mënyrë.

Por Popov kujtoi se edhe nga një projekt i ngjashëm të kryer nga Qendra për Rajonalizim në vitin 2005, doli se në “zonën gri” të tregtisë “zhduken” mallra me vlerë dhjetëra miliona euro. Sipas tij, rezultatet atij hulumtimi treguan se më shumë se 50 për qind e tregtisë mes Serbisë dhe Kosovës është pikërisht në zonën “gri”, përkatësisht në tregtinë e paligjshme. “Individë të caktuar kanë shfrytëzuar situatën e parregullt për të arritur të pasurohen dhe në të njëjtën kohë duke i shkaktuar dëme të jashtëzakonshme në buxhetit të Serbisë”, ka thënë Popov, duke shtuar se marrëveshja për menaxhimin e integruar të vendkalimeve ndihmon për të reduktuar kontrabandën e mallrave mes Serbisë dhe Kosovës.

“Ka një sistem të dyfishtë të transportit të mallrave dhe njerëzve. Një mënyrë është për pjesën në veri të lumit Ibër dhe tjetra për pjesën në jug të lumit Ibër” Bisera Sheqeragiq

Ekspertja e ekonomisë Bisera Sheqeragiq nga Novi Pazari ishte përfshirë në këtë projekt dhe kishte folur me biznesmenë për problemet konkrete. Sipas saj, atë që biznesmenët pohojnë të jetë gjendja reale – nuk është diçka e njohur për publikun e gjerë. Ajo tha se procedurat aktuale janë tepër të komplikuar. “Për shembull, ka një sistem të dyfishtë të transportit të mallrave dhe njerëzve. Një mënyrë është për pjesën serbe të Kosovës, përkatësisht në veri të lumit Ibër. Ndërsa mënyra tjetër është për pjesën në jug të lumit Ibër. Sistemi i pagesave tani nuk është dypalësh, por trepalësh “, thotë Sheqeragiq.

Qëllimi i projektit ishte të përcaktojë se çfarë metodologjie të regjistrimit doganor të mallrave shfrytëzojnë të dyja palët. Pastaj është shikuar sa mallrat kanë regjistruar Doganat e Kosovës e sa ato të Serbisë, për të parë se sa përputhen të dhënat.

Në këtë projekt ishte angazhuar ekipi i ekspertëve nga Serbia dhe Kosova, ndërsa projektin e ka ndihmuar Fondacioni për Shoqëri të Hapur i Serbisë.

Kosova humb mbi 9 milionë euro këtë vit

Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, thotë se vendi humbte rreth 40 milionë euro nga kontrabanda në veri.

Ai nuk ka treguar se si është bërë ky kalkulim.

“Mund të them se këtë vit, kontrabanda në veri ka rënë. Arsyeja është marrja nën kontroll e pikave 1 dhe 31 në kufi nga doganat e Kosovës”, tha Stavileci. “Por shifrat e sakta të kësaj rënie vetëm për veriun mund të dihen në mbarim të vitit”.

Në korrik të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës ndërhyri për të marrë nën kontroll dy pikat në veri. Që atëherë, malli që kalon andej evidentohet nga zyrtarët e EULEX-it. Në shtator 2011, Kosova dhe Serbia kishin arritur marrëveshje për pullat doganore.

Zëdhënësi Stavileci thotë se ka kontrabandë edhe në zonat tjera kufitare, por me më pak raste. Sipas tij, edhe në këto zona tjera kufitare ka më pak kontrabandë këtë vit.

Ai e bën këtë krahasim bazuar në rastet e dërguara në gjykatat relevante. Nga janari deri në fund të qershorit 2011 janë dërguar 427 raste në gjykata, ndërsa nga janari 2012 deri në fund të majit janë dërguar 298 raste, thotë Stavileci. Ato përfshijnë të gjithë kufijtë, përfshirë veriun.

Sipas tij, kontrabanda kryesisht përfshin ushqimin, naftën, pijet alkoolike dhe cigaret.

Një tjetër arsye që i bën doganat të besojnë se kontrabanda ka rënë është kalkulimi i importit.

“Për shembull, importi është i njëjtë, por të hyrat janë më të mëdha. Kjo nënkupton se kontrabandimi po bie” Adriatik Stavileci 

Në webfaqen e doganave, të dhënat janë të publikuara për 29 javët e para të vitit 2011 dhe 29 javët e para të këtij viti.

 

“Importi është i njëjtë, por të hyrat janë më të mëdha. Kjo nënkupton se kontrabandimi po bie”, tha Stavileci. 

Gjatë 29 javëve të para të vitit 2011 dogana e Kosovës nga të hyrat ka mbledhur rreth 411 milionë euro ose saktë 411, 925, 538.14 ndërsa gjatë 29 javëve të para të këtij viti janë mbledhur 412, 710, 850.02, që i bie që të hyrat janë rritur këtë vit për gjatë kësaj periudhe kohore për më pak se 800 mijë euro.

Në raport tregohet se deri në javën e 27-të, të hyrat e vitit 2012 kanë qenë njëjtë e shpesh herë më të vogla se gjatë javëve përkatëse të vitit 2011. Një rritje prej dy milionë eurosh vërehet në javën e 28-të, e cila edhe ka ndikuar që në shumën totale të rriten të hyrat për një shumë të vogël për rreth 800 mijë euro.

Stavileci ka thënë më herët se Kosova gjatë këtij viti ka humbur nga kontrabanda rreth 9 milionë euro, shumë më pak se që ka humbur për të njëjtën periudhë kohore vitin e kaluar. “Të dhëna të sakta tani për këtë humbje nuk kemi, pasi që një llogaritje të tillë e bëjmë kah fundi i vitit”, tha ai.

Sipas tij, llogaritjet nuk përfshijnë kontrabandën që bëhet në rrugët alternative në veri, të kontrolluara nga strukturat paralele.

KFOR-i, që është përgjegjës për kontrollin e rrugëve, nuk ka arritur t’i mbyllë ato. Zëdhënësi Mars Stummler i ka thënë gazetës se ata veç e kanë mbyllur një rrugë që çon tek porta në Bërnjak. I pyetur për rrugët tjera, ai tha se “KFOR-i nuk flet paraprakisht për operacionet që do të ndërmarrë”.

Dinko Gruhonjiq është kryeredaktor i Agjencisë së Lajmeve Beta – departamentit në Vojvodinë dhe kryetar i Asociacionit të Pavarur të Gazetarëve të Vojvodinës. Pjesa e hulumtimit të tij është ndihmuar nga Heartfact Fund (HF). Besiana Xharra kontribuon rregullisht në BIRN.