Gratë dhe fëmijët e kthyer nga Siria në qendrën për të huajt në fshatin Vranidoll. Foto nga arkivi.

Më pak se 10% e mësuesve të Kosovës janë të informuar për procesin e ri-atdhesimit dhe ri-integrimit

Nga gjithsej 23 mijë e 173 mësimdhënës në të gjithë Kosovën, 2 mijë e 859 prej tyre, përfshirë edhe stafin mbështetës kanë qenë pjesë e seancave informuese lidhur me parandalimin e radikalizmit të dhunshëm në Kosovë që nga viti 2018.

Të dhënat e numrit aktual të mësimdhënësve në Kosovë janë marrë nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, ndërsa numri më i lartë i mësimdhënësve figuron në sistemin parafillor dhe të mesëm të ultë, ku janë gjithsej 17 mijë e 353 mësimdhënës.

Në nivelin parashkollor janë 588 mësimdhënës, ndërsa në nivelin e mesëm të lartë 5 mijë e 232 mësimdhënës.

Më shumë se 70 fëmijë të cilët janë rikthyer nga zonat e konfliktit në Siri e Irak janë duke ndjekur mësimet në nivele të ndryshme nëpër shkollat e Kosovës.

Përveç këtyre fëmijëve, ka edhe të tjerë të cilët kanë vazhduar shkollimin në Kosovë, ndërsa njëri prind ka qenë i përfshirë në konfliktin në Siri e Irak.

Për ri-integrimin e këtyre fëmijëve, institucionet e Kosovës përgatitën aktivitete të cila do të u ndihmonin fëmijëve të kuptonin një jetë tjetër, atë të cilën në Siri e Irak nuk kishin arritur ta bënin, ndërsa shumë herë është bërë kërkesë nga ana e mësimdhënësve që të mbahen edhe trajnime në mënyrë që të dihet saktë se si duhet trajtuar dhe mësuar këta fëmijë nëpër shkolla.

Një kërkesë e tillë ka qenë e vazhdueshme nga Hani i Elezit. Atje tre fëmijë të rikthyer tash e disa vite mësojnë në njërën nga shkollat e kësaj komune ndërsa, në një intervistë për KALLXO.com, drejtori i kësaj shkolle (emri i tij nuk do bëhet publik për shkak të mos identifikimit të shkollës) kishte ngritur alarmin për mos-trajnimin e mësimdhënësve.

Mësuesit e kësaj shkolle nuk kanë ndjekur trajnime dhe nuk janë të specializuar për të identifikuar në fazë të hershme radikalizimin e nxënësve. Procesi mësimor në Kosovë nuk është i bazuar në mendimin kritik, mirëpo është mësim-nxënie klasike e cila nuk provokon kundër-argumentimin.

“Realisht sepse ne nuk jemi profesionalistë, sado që e bisedojmë me mësimdhënësin dhe punëtorin teknik duhet me kuptu që edhe mundemi me gabu sepse nuk jemi profesionalistë. Do pyetësor nga ministria që kanë ardhur i ka plotësuar mësimdhënësja dhe kemi kërkuar trajnim për arsmitarë, por nuk kemi asnjë rezultat me na thirrë apo diçka tjetër”, kishte thënë për KALLXO.com, drejtori i shkollës ku vijojnë mësimin dy fëmijë të rikthyer nga zonat e luftës vite më parë.

Se a ka pasur ndonjë ndryshim në lidhje me trajnimet e mësimdhënësve në Komunën e Hanit të Elezit, KALLXO.com ka kontaktuar me drejtorin e arsimit Menduh Vlashi.

“Unë e kam pranuar kërkesën tuaj dhe ju jam drejtuar të gjithë drejtorëve të shkollave, por me gjasë nuk paska pasur asnjë trajnim për shkak se nuk janë përgjigjur në kërkesë”, tha Vlashi shkurt për KALLXO.com.

Alarmi se në Han të Elezit ka mungesë të trajnimit të stafit për t`u marrë me fëmijë të rikthyer, ishte ngritur disa herë nga vetë kryetari i kësaj komune, Rufki Suma.

Në disa përgjigje për KALLXO.com të Ministrisë së Arsimit mund të shihet se në një sërë trajnimesh që janë mbajtur me mësimdhënës nëpër shkolla, Hani i Elezit ka figuruar vetëm në një trajnim, atë të ‘Ndërtimit të kapaciteteve të psikologëve të shkollave mbi çështjet e traumës dhe intervenimit të mundshëm në shkollë’.

Sipas Ministrisë së Arsimit qëllimi i këtij programi ka qenë zgjerimi njohurive dhe shkathtësive të ofruesve që mbështesin fëmijët e rikthyer nga zonat e luftës.

Kujtojmë se në Han të Elezit tash e një kohë nuk ka asnjë psikolog, as në Qendrën e Punëve Sociale, e as nëpër shkolla.

Ky trajnim sipas MASHTI-t, është mbajtur në disa shkolla, më saktësisht në 11 shkolla në komunat: Prishtinë, Gjilan, Mitrovicë, Klinë, Hani i Elezit.

“Është përdorur modeli socio-ekologjik përmes të cilit do të përshkruhen ndërveprimet e faktorëve rrezikues dhe mbrojtës dhe implikimet e tyre për mirëqenien e fëmijës. Në mënyrë konkrete do të zhvillohet ndërtimi i shkathtësive lidhur me angazhimin e familjes, qasjes trauma-informuese për të punuar me familje si dhe mbështetjes së specializuar psiko-sociale”, ka qenë qëllimi i këtij trajnimi sipas MASHTI-t, thuhet në përgjigjet e tyre për KALLXO.com.

Se nuk ka pasur trajnime për mësimdhënës, thonë për KALLXO.com edhe zyrtarë të Komunës së Vitisë.

Zijadin Ahmeti, zyrtar në Komunën e Vitisë, ka thënë se deri më tani asnjë mësimdhënës nuk ka pasur ndonjë trajnim që lidhet me trajtimin dhe mësimdhënien e fëmijëve të cilët janë të rikthyer nga zonat e konfliktit.

“Nuk kemi asnjë mësimdhënës që ka marrë trajnim. Kemi një nxënës aktualisht që është rikthyer dhe vijon mësimin në klasën e pestë”, thotë Ahmeti për KALLXO.com.

Një gjendje e tillë figuron edhe në Komunat, Kaçanik e Mitrovicë. As në këto dy komuna nuk kanë të identifikuar ndonjë trajnim që janë mbajtur me mësimdhënësit për trajtim dhe mësimdhënie të fëmijëve të rikthyer nga zonat e luftës.

“Nuk kemi mësimdhënës të trajnuar ngase trajnimet janë ofruar për psikolog shkollor dhe ne nuk kemi pasur psikolog të punësuar”, ka thënë për KALLXO.com, zëdhënësja e Komunës së Mitrovicës, Blerina Kastrati.

Ajo shton se në këtë komunë janë të identifikuar dy fëmijë të cilët për shkak të konfliktit në Siri e Irak u janë vrarë prindërit atje.

Zyrtari nga Drejtoria e Arsimit në Kaçanik, Gafur Guri për KALLXO.com ka thënë se: “Drejtoria e Arsimit dhe Kulturës në Kaçanik nuk ka të dhëna për numrin e mësimdhënësve të trajtuar për këtë tematikë. Po ashtu nuk kemi as të dhëna për numrin e nxënësve dhe fëmijëve që kanë marrë pjesë në zonat e konfliktit”.

Ministria e Arsimit në përgjigjet për KALLXO.com ka përmendur se në Kaçanik janë mbajtur dy trajnime, ‘Doracaku i kurrikulës së mësimdhënies për paqe dhe ndërtim të qëndrueshmërisë’ si dhe ‘Mendimi i ndërlikueshmërisë integruese’.

Trajnimi i parë është zhvilluar sipas MASHTI-t në tetë shkolla, dy prej tyre në Kaçanik dhe në një shkollë në njërën nga fshatrat e kësaj komune.

MASHTI ka thënë se trajnimin për mendimin kritik kanë marrë pjesë më shumë se 300 nxënës dhe mësimdhënës në gjashtë komuna të ndryshme të Kosovës, përfshirë edhe Kaçanikun.

Komuna e Ferizajt ka të trajnuar dy psikologë, një të një shkolle në këtë komunë dhe atë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare.

“Trajnimi ka qenë pesë ditor (një ditë me prezencë fizike dhe katër ditë online) organizuar nga KRTT. Tema e trajnimit ka qenë “Fëmijët e traumatizuar-aktivitetet psiko-sociale” (referuar të kthyerve nga lufta e Sirisë)”, thuhet në përgjigjen e Zëdhënësit të kësaj komune, Albion Sherifi.

Edhe në përgjigjet e Sherifit, nuk përmenden trajnimet e mbajtura me mësimdhënës nga ana e MASHTI-t.

Sipas Sherifit në këtë komunë janë të identifikuar dy fëmijë të kthyer nga zonat e konfliktit të cilët janë sistemuar pas rikthimit në dy klasa të ndryshme në një shkollë.

Të dhëna për numrin e mësimdhënësve të trajnuar për çështjet e lartpërmendura, nuk i ka treguar drejtoresha e Arsimit në Prishtinë, Shpresa Shala.

Ajo nuk i është përgjigjur kërkesës për numrin e saktë të mësimdhënësve të trajnuar, ndërsa ka shtuar se disa të tilla janë mbajtur në Prishtinë.

“Trajnimet të cilat janë duke u bërë nga organizata IOM dhe organizata të tjera kanë të bëjnë me ekstremizmin dhe radikalizmin në përgjithësi dhe jo me specifikë të veçantë, vetëm me fëmijët e kthyer nga zonat e konfliktit, sepse tani kanë kaluar tri vite që kur janë kthyer ajo kategori e fëmijëve dhe fatmirësisht të gjithë janë integruar”, thuhet në përgjigjet e Shalës për KALLXO.com.

Ajo shtoi tutje se ‘Shkollat me kërkesë vetanake kanë përfituar nga këto trajnime dhe tashmë një pjesë mirë e mësimdhënësve kanë përfituar nga këto trajnime’.

Të dhënat që ka marrë KALLXO.com nga disa komuna në Kosovë, kanë dallim me ato të cilat ka ofruar Ministria e Arsimit.

Për këtë arsye KALLXO.com ka kërkuar nga MASHTI që të tregoj numrin e saktë të trajnimeve dhe mësimdhënësve të cilët kanë mbajtur trajnime për mësimdhënie dhe trajtim të fëmijëve të rikthyer nga zonat e luftës.

“Sipas të dhënave të MASHTI-t, në trajnime, seanca informuese lidhur me parandalimin e radikalizimit të dhunshëm në Kosovë nga viti 2018 janë përfshirë 2,859 mësimdhënës dhe staf mbështetës i shkollave”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Arsimit.

MASHTI në përgjigjet për KALLXO.com ka thënë se ka hartuar edhe doracakun “Parandalimi i ekstremizmit të dhunshëm” dhe më pas kanë mbajtur seanca informative dhe trajnim me mësimdhënës në 25 komuna të Kosovës.

Trajnimi për ‘Doracakun e kurrikulës së mësimdhënies për paqe dhe ndërtim të qëndrueshmërisë’ është mbajtur në tetë shkolla në katër komuna, Prishtine, Prizren, Gjilan dhe Kaçanik.

Sipas MASHTI-t, mbi 2 mijë e 200 mësimdhënës kanë mbajtur trajnimin “Me shkollat për komunitete të sigurta”, i cili ka pasur qëllim rritjen e kapacitetit të stafit arsimorë dhe mbështetës për shkollat në funksion të identifikimit dhe menaxhimit të rasteve të fëmijëve/nxënësve me sjellje ekstreme të dhunshme.

Trajnimi tjetër sipas MASHTI-t ka qenë ‘Ndërtimi i kapaciteteve të psikologëve të shkollave mbi çështjet e traumës dhe intervenimit të mundshëm në shkollë’, i zhvilluar në 11 shkolla në komunat si: Prishtinë, Klinë, Ferizaj, Gjilan, Mitrovicë dhe Hani i Elezit.

11 shkolla të Prishtinës sipas përgjigjeve të MASHTI-t kanë marrë pjesë në projektin ‘Mbështetja e rehabilitimit dhe riintegrimit të fëmijëve të kthyer nga Konfliktet e Armatosura’.

Në kuadër të këtij projekti janë organizuar seanca informuese për stafin arsimor të shkollave të Prishtinës ku kanë marrë pjesë 162 pjesëmarrës, mësimdhënës, menaxhment dhe psikologë të shkollave.

Në trajnimin për stresin post-traumatik për të rritur sipas MASHTI-t, kanë marrë pjesë psikologët të cilët bashkëpunojnë drejtpërdrejtë me shkollat ku ka nxënës të kthyer.

Si dhe në fund MASHTI ka thënë se është mbajtur edhe një konferencë “ Edukimi, çelës për t`u përballur me ekstremizmin dhe radikalizmin online”, në të cilin kanë marrë pjesë edhe drejtoritë komunale të arsimit, drejtorë të shkollave, mësimdhënës, organizata ndërkombëtare, përfaqësues të ambasadave të ndryshme, kryeministri i Kosovës, anëtarë të parlamentit të Kosovës dhe media.

KALLXO.com në vazhdimësi ka raportuar për mungesat e trajnimeve për stafe të ndryshme të institucioneve lokale për trajtimin e të rikthyerve nga zonat e luftës.