Veturat e parkuara te shkolla "Mihal Grameno" | Foto: KALLXO,com

Mësimdhënës të Fushë Kosovës jashtë listës së pagave, paguhen çdo 6 muaj

Në disa shkolla të komunës së Fushë Kosovës, janë rekrutuar mësimdhënës shtesë, por këta mësimdhënës nuk janë të vendosur në listën e pagave.

Tash e gjashtë muaj rreth 53 mësimdhënës në shkolla të ndryshme të kësaj komune, nuk janë paguar për punën e kryer dhe nuk pritet të paguhen edhe disa javë.

Drejtori i Arsimit në Komunën e Fushë Kosovës Samir Shahini, në një prononcim për KALLXO.com, tha se rritja e numrit të nxënësve i ka detyruar të rekrutojnë staf shtesë, por se Ministria e Financave nuk i ka aprovuar kërkesën e Komunës.

Sipas drejtorit Shahini, mësimdhënësit klasor kryesisht nuk janë të futur në listën e pagave.

“Problemin e kemi në disa shkolla të qytetit ku ka pas rritje të numrit të nxënësve. Ne i kemi kryer procedurat e rekrutimit për mësimdhënës shtesë sipas nevojës në terren që të akomodojmë nxënësit në ardhje që i kemi në vazhdimësi është fjala për klasat 1 deri në 5”, tha Shahini, duke shpjeguar se ka pasur edhe rekrutime të tjera por në numër më të vogël.

Shahini shtoi se pas procedurave të rekrutimit, është njoftuar Ministria e Financave, por se nuk e dinë arsyen se pse nuk është aprovuar kërkesa.

“Ne kur i kemi kryer procedurat e rekrutimit e kemi njoftuar Ministrinë e Financave për to dhe ministria  nuk i ka fut në listë të pagave. Arsyeja pse Ministria e Financave nuk i fut në listë të pagave nuk e dimë”, tha ai.

Por, Shahini siguroi se këta mësimdhënës do të paguhen, pasi sipas tij ky problem është i trashëguar me vite ndërsa pagesa do të bëhet me të hyrat vetanake të komunës çdo gjashtë muaj.

“Ne këta mësimdhënës i paguajmë të gjithë vetëm se nuk i paguajmë në baza mujore. Obligimet për pagesën e këtyre mësimdhënësve komuna e kryen në baza 6 mujore. Çdo gjashtë muaj paguhen. Merret një vendim nga kryetari për me i lëshuar mjetet për ta”, tha ai.

Drejtori i Arsimit i kësaj komune tha se mësimdhënësit janë njoftuar për këtë problematikë që kur janë pranuar në pozitat e tyre.

“Ne kemi qenë korrekt ndaj tyre në fillim i kemi tregu problemin që e kemi bile kemi pas problem me disa mësimdhënës të cilët e kanë refuzuar punën pasi janë pranuar… Ne jemi detyruar me hap konkurs ose me shiku me opsione të zëvendësimit”, theksoi Shahini.

Ai tregoi se e kanë dëshmuar nevojën për më shumë mësimdhënës në këtë komunë duke u bazuar në numrin e nxënësve që janë në sistem dhe ditar.

Sipas tij edhe nëse nuk aprovohet kërkesa nga ministria, sërish do të vazhdojnë në formën e njëjtë ti kryejnë obligimet.

“Nëse nuk aprovohet nga ministria atë herë prapë do të vazhdojmë në të njëjtën formë”, përfundoi ai.

KALLXO.com, ka dërguar pyetje edhe në Ministrinë e Financave për të pyetur për këtë kërkesë të Komunës së Fushë Kosovës, por deri në publikimin e artikullit nuk është kthyer përgjigje.

KALLXO.com ka shkruar në vazhdimësi për numrin e madh të nxënësve në shkolla të Fushë Kosovës.

Në qershor të vitit të kaluar, KALLXO.com ka shkruar se ndërtimi i objekteve të banueshme dhe rritja e numrit të banorëve në Fushë Kosovë ka rritur numrin e nxënësve nëpër klasa.

Mesatarja e nxënësve në një klasë të shkollës fillore “Mihal Grameno” në Fushë Kosovë është 44 – 45 nxënës.