Mes shumë kritikash, Handke pranon Nobelin

Shkrimtari austriak Peter Handke dje ka pranuar Çmimin Nobel për Letërsi nga Mbreti i Suedisë Karl Gustav, në ceremoninë e organizuar në Stokholm.

Mirëpo, përzgjedhja e Akademisë suedeze për Handke është shoqëruar me një numër të madh të kritikave që nga tetori, kjo për shkak që fituesi i Çmimit Nobel mohon gjenocidin e kryer në Bosnje dhe të vrarët e luftërave në Ballkan gjatë viteve ‘90.

Në shenjë pakënaqësie Shqipëria, Turqia, Kroacia, Maqedonia e Veriut dhe Afganistani bojkotuan ceremoninë e dhënies së çmimit.

Më shumë se 58 mijë njerëz kanë nënshkruar një peticion online duke kërkuar që çmimi për Handken të tërhiqet.

Ndërsa menjëherë pas ndarjes së çmimit Christina Doctare, një doktoreshë suedeze, e cila mori Çmimin Nobel për Paqe më 1988, si anëtare e forcës paqeruajtëse të OKB-së, ka njoftuar se do t’ia kthejë medaljen Akademisë Mbretërore Suedeze në shenjë proteste.

“Kam qenë krenare për Akademinë më parë, Çmimi Nobel ishte një punë e madhe për Suedinë çdo vit. Tani ndjehem e turpëruar dhe fajtore”, ka thënë Doctare, raporton BalkanInsight.

Mirëpo pavarësisht të gjitha këtyre, shkrimtari austriak Peter Handke në një ceremoni luksoze pranoi një çmim prej 935,000 dollarësh, së bashku laureatët e mjekësisë, fizikës, kimisë dhe ekonomisë.

Nobeli për letërsi: ‘Tërmet’ në Kosovë, ‘ festë’ në Serbi

Studiues të letërsisë, shkrimtarë, botues e diplomatë të njohur kosovarë kanë komentuar ndarjen e çmimit për përkrahësin e politikës së Sllobodan Millosheviqit.

Aambasadorja e Kosovës në ShBA, Vlora Çitaku duke e konsideruar si skandaloz vendimin për dhënien e Çmimit Nobel krijuesit austriak, ka shkruar në Facebok se Komiteti i Nobelit zgjedh të rihap një propagandues të urrejtjes dhe dhunës etnike.

“Ndonjëherë do të doja të isha një murg ortodoks serb që lufton për Kosovën – Peter Handke, laureat i Çmimit Nobel.  Komiteti Nobel zgjedh të rihap një propagandues të urrejtjes dhe dhunës etnike. Diçka ka shkuar jashtëzakonisht e gabuar!”, ka shkruar ndër të tjera Vlora Çitaku.

Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës i është drejtuar me një letër Akademisë Suedeze të Shkencave, përkatësisht Jurisë për ndarjen e Çmimit Nobel për Letërsi, përmes së cilës ka kërkuar që të anulohet ky vendim.

E një kërkesë të tillë për anulim e bëri edhe Republika e Turqisë, presidenti i së cilës konsideroi si “turp ndarjen e Çmimit Nobel një personi që mbron dhe lavdëron vrasësin që derdhi gjakun e dhjetëra mijëra myslimaneve”, deklaroi presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan.

Mirëpo akademia suedeze nuk u ‘zmbraps’ nga vendimi i saj, përderisa Shqipëria, Turqia, Kroacia, Maqedonia e Veriut dhe Afganistani u renditën krah njëra tjetrës për ta bojkotuar këtë ceremoni.

E presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq e uroi përkrahësin e Millosheviqit, Nobelin e së cilit tha që e përjeton si të shtetit të tij.

“Serbia ju konsideron mik të vërtetë. Më lejoni t’ju them se Çmimin Nobel për ju, ne e përjetojmë si të fituar nga njëri prej nesh. Tani, përveç Ivo Andriqit, kemi edhe një tjetër laureat të Nobelit”, tha Vuçiq, duke aluduar në shkrimtarin serb që fitoi Nobelin për Letërsi më 1961.

Peter Handke, mbështetësi i madh i Millosheviqit

Përderisa Kosova dhe Serbia, janë përfshirë në polemika për masakrën e Reçakut të cilën presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq e konsideron të ‘fabrikuar’, në Stokholm në një ceremoni luksoze Peter Handke, njeriu që mohon gjenocidin, pranoi çmimin Nobel për letërsi.

Handke i kishte qëndruar në krah diktatorit serb Slobodan Millosheviq në vlugun e masakrave që po kryenin formacionet e ndryshme ushtarake serbe në Kosovë gjatë 1998/99.

Edhe gjatë bombardimeve të NATO-s, edhe pas dëshmimit të krimeve të kryera nga serbët nën drejtimin e Millosheviqit, Handke nuk la pa marrë pjesë edhe në funeralin e diktatorit serb Slobodan Millosheviq.

“Unë mendoj se ai ishte një njeri mjaft tragjik. Jo një hero, por një qenie njerëzore tragjike. Por unë jam shkrimtar dhe jo gjykatës. Unë jam një adhurues i Jugosllavisë – jo aq shumë i Serbisë, por i Jugosllavisë – dhe kam dashur të shoqëroj rënien e vendit tim të preferuar në Evropë, dhe kjo është një nga arsyet për të qenë në funeral”, kishte thënë ai në një intervistë për prestigjiozen amerikane “The New York Times” më 2006.

Handke e kishte përjetuar keq edhe pavarësinë e shtetit të Kosovës. Në 2008 ai kishte dhënë një intervistë për mediat franceze.

“Duke njohur shtetin shqiptar të Kosovës, perëndimi i dha popullit serb në Kosovë një goditje vdekjeprurëse dhe i bëri ata të burgosur dhe refugjatë në vendin e tyre”, shkruante në 2008, gazeta serbe “Politika”, duke cituar një shkrim të botuar nga Handke në një prej mediave franceze.

Në një intervistë të dhënë për prestigjiozen amerikane “The New York Times” Peter Handke kishte treguar se si ishte lidhur me Jugosllavinë.

“Unë jam austriak, por nëna ime ishte sllovene. Vëllai i saj ishte bërë partizan në Jugosllavi në mes dy luftërave botërore dhe kur Hitleri e aneksoi Austrinë daja im ishte austriak, ai u detyrua të jetë pjesë e ushtrisë naziste. Ai vdiq në Rusi shumë kohë më parë. Ky ishte fillimi i shkrimeve të mia, tregimet e nënës sime rreth vëllait të saj.  Kjo lidhje më Jugosllavinë filloi shumë kohë më parë kur unë isha fëmijë”, ka thënë Handke në një intervistë për “New York Times”.

Shkrimtari austriak ka lindur në viti 1942 në fshatin Griffen në regjionin Karnten të Austrisë Jugore. Nga viti 1961 ai ka studiuar për drejtësi në Universitetin e Grazit. Por i ndërpreu studimet disa vjet më vonë kur e publikoi novelën, “Die hornissen”, në vitin 1966.

Opusi i tij letrar përfshinë një numër të madh të romaneve, eseve, dramave, skenarëve, pa lënë anash edhe publicistikën.