Meriton Ferizi. Foto: MF

Meriton Ferizi: Opera, aseti më i madh kulturor e kombëtar i një shteti

Në fund të muajit që shkoi, Meriton Ferizi, fagotist në Filharmoninë e Kosovës u emërua ushtrues i detyrës së drejtorit të Operës së Kosovës.

Me emërimin e Ferizit në këtë post i hapet rrugën funksionalizimit të Operës, pas vendimit të Kuvendit të Kosovës për themelimin e këtij institucioni.

Si U.D. i drejtorit të Operës, Ferizi do të ketë mjaft punë për të funksionalizuar këtë institucion, i cili është në hapat e parë të funksionalizimit. Aktualisht, përveç drejtorit dhe këshillit iniciues, ky institucion nuk ka asnjë punëtor e as objekt të vetin.

Në këtë intervistë për KALLXO.com, Ferizi flet për prioritetet për të funksionalizuar Operën, organizmin e shfaqjeve operistike, punësimin e stafit të nevojshëm, akomodimin, e për shfaqje të operave, etj.

KALLXO.com: Çfarë po ndërmerrni për të funksionalizuar institucionin e Operës?

Meriton Ferizi: Si ushtrues detyre bashkë me Këshillin përgatitor jemi emëruar apo mandatuar fillimisht për 6-9 muaj, për ta funksionalizuar institucionin e Operës, duke e krijuar statutin, rregulloret e organogramin, logon, vulën, xhirollogarinë, d.m.th strukturat bazike të një institucioni në themelim. Sapo t’i kryejmë këto punë administrative-teknike, duhet të hapen vendet e rregullta për drejtor të përgjithshëm e artistik, këshill drejtues e artistik, stafin komplet (financat) dhe kodet për punëtorët tjerë, instrumentistë, koristë, etj.

KALLXO.com: Sa është numri i stafit artistik-administrativ që ka aktualisht ky institucion?

Meriton Ferizi: Momentalisht nuk është asnjë punëtor.

KALLXO.com: Është paralajmëruar edhe një koncert inaugurues për Operën, kur dhe ku do të mbahet ky koncert?

Meriton Ferizi: Koncerti është paraparë të mbahet me 25 tetor (dita botërore e Operës) si inaugurim i fillimit dhe në kuadër të themelit të institucionit të Operës, në Pallatin e Rinisë (Salla e Sporteve), por u shty për 31 tetor për shkak se doli në fund të jetë një ndeshje ballkanike sportive. Andaj me 31 tetor është koncerti me Uvertura, Arie të operave shqiptare dhe botërore me solistë, kor e orkestër.

KALLXO.com: Deri tani është parë si e pamundur përgatitja dhe dhënia e shfaqjeve operistike në Kosovë. A mund të kemi një të tillë në të ardhmen nga institucioni i sapo formuar?

Meriton Ferizi: Derisa nuk e kemi objektin apo teatrin e sallën adekuate të Operës, do të vazhdohet me disa projekte në vit, me koncerte e opera kryesisht më të vogla edhe nëpër ambientet e jashtme (sheshe, parqe) ose pranë objekteve të trashëgimisë kulturore, duke e promovuar njëkohësisht trashëgiminë tonë kombëtare, një formë e praktikuar tashmë nëpër botë.

KALLXO.com: Për përgatitjen e një opere duhen kushte dhe një staf i përgatitur. A ka Kosova kuadro profesioniste për përgatitjen e realizimin e një shfaqjeje operistike?

Meriton Ferizi: Opera është aseti më i madh kulturor e kombëtar i një shteti, është ta zëmë sikur përfaqësuesja e Kosovës në futboll, ku për të qenë në nivel me ekipet tjera, duhet të luajnë e angazhojnë trajner të huaj, me futbollistët tonë të cilët janë aktiv dhe luajnë nëpër ekipet evropiane me standarde të larta dhe në trend me kohën, që ta përballojnë nivelin, tempon dhe kërkesat e kohës. Kështu mendoj që posa të kryhen këto punët administrative, do të duhet që p.sh drejtori artistik të jetë një i huaj dhe gjithashtu në këshillin drejtues e artistik (gjysma e tyre) të jenë nga artistët tonë shqiptarë, që jetojnë e veprojnë nëpër botë, që sa më shpejtë me përvojën e tyre ta kalojmë e kompensojmë vakumin e krijuar me dekada, ta ndërtojmë dhe t’i arrijmë nivelet e standardet e kohës të rajonit dhe evropës.
Edhe ne kemi shumë solist, këngëtarë e instrumentist nëpër botë, të cilët janë të njohur dhe performojnë nëpër qendrat e skenat më të mëdha botërore.
Në Kosovë kemi për fat të mirë shumë këngëtarë solistë e koristë, të dalluar nga tradita e këndimit koral dhe shkollat e këndimit, të cilët janë në gjendje të kontribuojnë, solistë dhe në korin e Operës, por nuk kemi mjaftueshëm instrumentistë me përvojë, të cilët duhet t’i angazhojmë fillimisht disa nga Filharmonia e Kosovës, Shqipëria e Maqedonia, deri në formimin e kuadrit të munguar deficitar në Kosovë, ashtu siç vepron për momentin edhe vet Filarmonia e Kosovës, tash e 20 vjet me mungesën e kuadrit deficitar.
Gjithashtu mungesa e profesionistëve të ndriçimit, zërimit, regjisorëve të Operës, skenografëve, kostumografëve, punëtorëve skenik etj, etj.

Meriton Ferizi. Foto: MF

KALLXO.com: Po, kur mund të pritet realizimi i shfaqjes së një opere?

Meriton Ferizi: Derisa nuk do ta kemi Sallën e Operës, të gjitha koncertet do të jenë improvizim dhe dëshirë apo mesazh deri në arritjen e qëllimit dhe ëndrrës dhe punës se shumë brezave e gjeneratave për ndërtimin e këtij institucioni kulminant.

KALLXO.com: Nga njohës të fushës së muzikës vazhdimisht thuhet se në vend nuk ka një skenë apo sallë ku mund të përgatitësh një shfaqje opere. Sa qëndron ky konstatim?

Meriton Ferizi: Është e vërtetë që sallë me standarde të Operës nuk ka, janë mbajtur disa Opera apo Opereta me kërkesa shumë më të vogla, por jo një Operë tipike e madhe, me standarde e formacione komplekse të nivelit të lartë.

KALLXO.com: Ku aktualisht është vendosur selia-drejtoria dhe administrata e Operës?

Meriton Ferizi: Është ndarë vendi për administratën në Pallatin e Rinisë për 3 institucionet: Operën, Filarmoninë dhe Baletin, ku për momentin janë duke e rinovuar dhe përshtatur ambientin që të kalojmë brenda këtij viti atje.

KALLXO.com: Siç dihet ende nuk kemi arritur të keni një Teatër për Operën, nuk dimë se a do të ndërtohet dhe ku një i tillë. A është duke u diskutuar diçka sa i përket planifikimeve për ndërtimin e një objekti të Operës?

Meriton Ferizi: Vendi ku ka qenë planifikuar dhe filluar ndërtimi i TOB-it, ka rënë poshtë dhe ne po presim zgjedhjen e kryetarit të ri të Prishtinës, që menjëherë të propozohen vendet, lokacionet apo pronat e lira të komunës, që pastaj të vendoset me diskutime publike të gjëra rreth përcaktimit final të parcelës.

KALLXO.com: Realisht a mund të funksionojë institucioni i Operës pas pasur një objekt të vetin?

Meriton Ferizi: Duke e ditur që merr kohë edhe themelimi i strukturave, kuadrit dhe funksionimit të Operës, është vendosur që fillimisht të fillohet e iniciohet me ndërtimin legjislativ të institucionit dhe paralelisht të fillohet me ndërtimin e objektit, i cili më pas do na gjejë më të përgatitur për ta shfrytëzuar si duhet pa humbur kohë, e jo të mos kemi mundësi ta gëzojmë, shfrytëzojmë e mirëmbajmë me kuadro e mjete financiare të munguara në masë të madhe për momentin.

Kush është Meriton Ferizi?

Meriton Ferizi ka lindur në vitin 1980 në Gjakovë, ku e kreu shkollën fillore dhe të mesme. Ka studiuar për muzikë dhe është fagotisti i parë në Kosovë. Ka punuar si mësimdhënës i muzikës në disa shkolla në Kosovë dhe profesor i angazhuar në Universitetin “Hazhi Zeka” dhe “Hasan Prishtina”.

Meriton Ferizi. Foto: MF