Zoran Zaev – reformatori kapriçioz i Maqedonisë së Veriut  

Shumë shpresë iu dha Zoran Zaev kur ai mori pushtetin në Maqedoninë e Veriut katër vjet më parë në një shtet i cili e kishte larguar nga pushteti djathtistin Nikola Gruevski. Qysh atëherë, performanca e tij ka qenë zhgënjyese për disa.

Zoran Zaev mori detyrën si kryeministër i Maqedonisë së Veriut katër vjet më parë, i prezantuar si një reformator i vërtetë pro-evropian i cili do t’i jepte fund një dekade të korrupsionit dhe kapjes së shtetit nën paraardhësin e tij djathtist, Nikola Gruevski.

Ai ndryshoi emrin e vendit, i dha fund dekadave të një mosmarrëveshje me Greqinë fqinje, siguroi anëtarësimin në NATO dhe, në vitin 2020, fitoi një mandat të ri si kryeministër.

Data 31 maj shënon saktësisht katër vjet që nga instalimi i qeverisë së tij të parë dhe sot Zaev duket më pak si një reformator i vërtetë e këmbëngulës dhe më shumë një oportunist, me një reputacion të dëmtuar nga gabimet verbale si dhe keqllogaritë e tij politike.

Ngritja e Zaevit në pushtet mund të gjurmohet përmes rolit të tij kryesor në demaskimin e korrupsionit, ndërhyrjes dhe abuzimit të pushtetit që ishte bërë i përhapur në regjimin e Gruevskit kur lideri Social Demokrat, me një seri konferencash për media filloi me publikimin e përgjimeve të shërbimeve të inteligjencës, në vitin 2015.

E tronditur pas zbulimeve të njëpasnjëshme, Maqedonia, siç dihej atëherë, ishte futur në një krizë politike, e karakterizuar me protesta anti-qeveritare, brutaliteti policor si dhe kontra-protestat pro-qeveritare që kulmuan me sulmet e përgjakshme në godinën e parlamentit në prill të viti 2017 nga mbështetësit e Gruevskit.

Zaev ishte midis të rrahurve në këtë hallakamë, duke e çimentuar imazhin e një njeriu i cili është i gatshëm që të derdhë gjak për ta çliruar vendin nga Gruevski dhe miqtë e tij. Por jo të gjithë u mashtruan me storien e Zaev si një njeri i pasur, por i ndershëm, një besimtar i përkushtuar ortodoks dhe mirëbërës naiv që vjen nga një familje e madhe.

Kjo ishte pjesërisht për shkak të faktit se Zaev nuk ishte saktësisht një i porsaardhur në skenën politike. Ai kishte histori prapa vetës.

Në vitin 2008, Branko Crvenkovski, ish-udhëheqës i Social Demokratëve dhe në atë kohë president i vendit, e amnistoi Zaevin kur ky u akuzua për dhënien e një tenderi për ndërtimin e një qendre tregtare në qytetin juglindor të Strumicës, ku Zaev ishte kryetar i komunës.

Në vitin 2015, gjatë krizës së përgjimeve, një video-mbikëqyrjeje e policisë u shfaq në mediat sociale në të cilat Zaev me sa duket i thoshte një biznesmeni që ‘të dhuronte’ dy euro shtesë për metër katror tokë që ai donte t’i blinte në Strumicë, “një për kishën dhe një tjetër për Viceton”, Viceto ishte vëllai i Zaevit, Vice Zaev.

Zaev u akuzua për kërkim ryshfeti prej 200,000 eurosh mirëpo u lirua nga kjo akuzë në vitin 2018. Ai vazhdimisht e ka mohuar çdo keqbërje, mirëpo shfajësimi i tij nuk ndikoi aq shumë për t’i qetësuar shqetësimet rreth asaj për të cilën ai ishte inçizuar duke e thënë.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev bën një selfie me vizitorët në kabinetin e tij. Foto: Flickr e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut

Zaev ka vënë bast të madh në integrimin Euro-Atlantik

Si kryeministër, Zaev fillimisht investoi pothuajse të gjithë kapitalin e tij politik në zhbllokimin e rrugës Euro-Atlantike të Maqedonisë së Veriut pas një dekade ngecjeje dhe negociatash të pakëndshme me Greqinë fqinje nën udhëheqjen e Gruevskit.

Katër vjet më vonë, basti i vënë u pagua vetëm pjesërisht.

I inkurajuar nga mbështetja publike e kancelares gjermane Angela Merkel dhe presidentit francez Emmanuel Macron, Zaev arriti një marrëveshje historike me Greqinë në vitin 2018, duke u dakorduar për një ndryshim jopopullor të emrit për Maqedoninë me kusht që Athina zyrtare të heq veton në pranimin e Maqedonisë në BE dhe NATO.

Zaev kalkuloi se qytetarët e Maqedonisë ‘Veriore’ do ta gëlltisnin këtë vendim të tijin duke qenë krenar për kombin e tyre për hir të integrimit perëndimor.

Mirëpo një kundërshtim i madh bëri thirrje për bojkot të një referendumi pasues, i cili pastaj edhe dështoi për shkak të pjesëmarrjes së ulët.

Zaev paraprakisht bëri presion, duke u futur në një ‘marrëveshje me djallin’ duke kërkuar Saso Mijalkov, kushëririn dhe shefin famëkeq të inteligjencës së Gruevskit, për ndihmë në sigurimin e votave nga, të paktën, prej disa opozitarëve të VMRO-DPMNE-së së Gruevskit për ta shtyrë përpara marrëveshjen për emrin përmes parlamentit. Si këmbim, disa nga ata që ishin përgjegjës për sulmin e vitit 2017 në parlament u amnistuan.

Marrëveshja kaloi në parlament por duket se i kushtoi shtrenjtë Zaevit dhe partisë së tij kur kandidati i tyre për president, Stevo Pendarovski, siguroi vetëm një fitore të ngushtë në zgjedhjet presidenciale të majit 2019.

Ashtu edhe siç pati premtuar, NATO-ja e mirëpriti Maqedoninë e Veriut si një anëtare të plotë në marsin e vitit 2020. Mirëpo anëtarësimi në BE ishte një çështje krejtësisht tjetër.

Së pari, në fund të vitit 2019, Franca e stopoi zgjerimin e mëtejshëm në Ballkanin Perëndimor. E zbutur nga ndryshimet procedurale, Franca hoqi veton, ndërkohë që ishte Bullgaria ajo e cila e tha fjalën e vet në punimet në formën e një mosmarrëveshje dekadëshe mbi historinë, gjuhën dhe identitetin.

Megjasë, duke shpresuar të dilte fitues përballë Sofjes, Zaev dha një intervistë për një media bullgare në të cilën vërejtjet e tij rreth historisë provokoi një reagim të madh në Shkup. Zaev tha se ai nuk e shikonte më Bullgarinë si një “forcë okupuese fashiste” gjatë Luftës së Dytë Botërore. Sidoqoftë, Bullgaria nuk ndryshoi mendim.

Personaliteti më i qasshëm i Zaev ishte freskues në krahasim me prirjen shpesh të ngurtë të paraardhësit të tij, Nikola Gruevski. Foto: Flickr e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.

Partneri i ri më shumë pengesë sesa ndihmesë

Duke bërë fushatë për zgjedhje në vitin 2016, Social Demokratët e Zaevit jo vetëm që e targetuan VMRO-DPMNE e Gruevskit, por edhe aleatin e saj për një kohë të gjatë në qeveri, Bashkimin Demokratik për Integrim, BDI, parti etnike shqiptare.

Duke akuzuar BDI-në se kujdeset vetëm për pushtetin dhe paratë, Zaev u tha mbështetësve se ishte “koha e duhur” që kjo parti të dilte në opozitë.

Por, fatmirësisht, matematika parlamentare paszgjedhore nënkuptonte se Zaev kishte nevojë për 10 deputetë të BDI-së për të marrë detyrën e kryeministrit. Nuk është për t’u habitur, zyrtarët e BDI-së të cilët kishin shërbyer nën Gruevskin ishin kryesisht larg ndonjë hetimi mbi pretendimet e gabimeve të kaluara.

Marrëveshja e arritur zemëroi shumë nga mbështetësit e Social Demokratëve, përfshirë votuesit shqiptarë etnikë të cilët ndihmuan në zgjedhjen e partisë në vitin 2016, duke shpresuar që BDI do të mbahej përgjegjëse po aq shumë sa edhe VMRO-DPMNE.

Zaev është parë nga shumë si peng i tekave të BDI-së. Së fundmi, në muajin prill, kryeministri shkarkoi kreun e Inspektoratit Shtetëror të Tregut, mikun e tij Social Demokrat Stojko Paunovski, pasi ai i rezistoi kërkesave nga zëvendëskryeministri i Zaevit, Artan Grubi i BDI-së, për punësimin e një numri të pa caktuar, nëpunës etnik civilë të pakicave të cilët në masë të gjerë konsiderohen si të pakualifikuar për poste të veçanta.

Pozicionimi parimor i Paunovskit me sa duket fitoi mirënjohje, mirëpo Zaev u shfaq i dobët.

“Hierarkia duhet të respektohet dhe duhet të funksionojë”, tha ai për media.

“Ai [Paunovski] është mik jashtëzakonisht i mirë, por këtu po flasim për parime”.

Pavarësisht përpjekjeve për ti përmirësuar marrëdhëniet, Bullgaria e bllokoi rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt BE-së. Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev [M] dhe ish-Kryeministri Bullgar Boyko Borissov [D] shtrëngojnë duart miqësisht. Foto: Flickr e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut

Besueshmëria ndaj korrupsionit është reduktuar shumë 

Me ta marrë detyrën e kryeministrit në vitin 2017, Zaev në mënyrë të qartë vendosi të mos vishte kravatë, një shkëputje simbolike nga institucioni i korruptuar politik të cilin ai e kishte larguar nga karriga.

Ai ishte një mbështetës i zëshëm i Prokurorisë Speciale, SJO, që u formua me ndërmjetësimin ndërkombëtar në kulmin e skandalit të përgjimeve për të hetuar ryshfetin e nivelit të lartë që ishte ekspozuar.

Por kur vetë udhëheqësi SJO, Katica Janeva, u arrestua dhe u burgos përfundimisht për zhvatje, ky skandal jo vetëm që e dërgoi SJO në sirtarët e historisë por gjithashtu e shkatërroi besimin e publikut në vullnetin dhe aftësinë e qeverisë Zaev për ta çrrënjosur korrupsionin.

Zaev nuk ishte i përfshirë drejtpërdrejt në të ashtuquajturën rastin ‘Zhvatje’. Por nuk i shpëtoi vërejtjes së publikut se ai dhe një numër ministrash të tij më parë ishin parë duke marrë pjesë në ahengje të organizuara nga kryefajtori i rastit, shoumeni i shnëdrruar në biznesmen, Bojan Jovanovski.

Në vitin 2020, Maqedonia e Veriut u rendit në pozitën e 111-të në indeksin e perceptimit të korrupsionit të Transparency International, renditje kjo më e ulëta ndonjëherë.

Imazhi i Zaevit si një mbrojtës liberal mendjehapur i të drejtave të njeriut, gjithashtu mori një goditje gjatë rastit ‘Zhvatje’ kur ai u zotua të mos lejojë “disa kriminelë, një gazetar të kotë [i cili shkroi i pari për aferën në Maqedoninë e Veriut] dhe, i kërkoi falje paraprakisht komunitetit LGBT, një pederast, [në lidhje me Jovanovskin] për ta rrëzuar qeverinë”.

Ky koment i tij tërhoqi një dënim të gjerë, pavarësisht faktit që ishte nën qeverinë e Zaev kur Shkupi mbajti festivalin Parada e Krenarisë për herë të parë. BI