Foto- Atdhe Mulla

Zgjedhjet duhet të sjellin ndryshime, jo stabilitet

Aidan Hehir shkruan se zgjedhjet e parakohshme mund të thyejnë dominimin e gardës së vjetër politike dhe të sjellin ndryshimin e shumënevojshëm për qytetarët e Kosovës.

Zgjedhjet e ardhshme që pritet të shpallen këtë muaj vijnë në një pikë mjaft kritike në historinë e Kosovës. Disa mund të argumentojnë se zgjedhjet nuk mund të kishin ardhur në një kohë më të keqe; Kosova gjendet në mes të një serie krizash të brendshme dhe të jashtme, dhe çarja e pashmangshme e shkaktuar si nga fushata zgjedhore ashtu edhe nga formimi i një qeverie të re, padyshim, do të komprometojë stabilitetin politik dhe shoqëror.

Por, kërkimi për stabilitet – për kaq kohë qëllimi kryesor i vendosur për Kosovën – ka prodhuar në mënyrë paradoksale pak më shumë sesa ngecje, nëse jo prapakthim. Ajo që i duhet Kosovës tani më shumë se kurrë nuk është stabiliteti, është ndryshimi.

Stabiliteti, natyrisht, në shumë mënyra është i dëshirueshëm. Shtetet që mburren me rritjen ekonomike dhe me funksionimin e sistemeve politike karakterizohen me stabilitet. Por, po kështu janë edhe regjimet autoritare dhe shtetet e kapura. Andaj, përderisa Suedia dhe Danimarka janë shtete stabile, të tilla janë edhe Koreja e Veriut dhe Bjellorusia. Pra, në thelb, stabiliteti nuk është i mirë.

Që nga viti 1999, synimi i vendosur nga patronët e jashtëm për Kosovën ka qenë stabiliteti, i cili në terme më të ngushta kuptohet si mungesë e një konflikti të brendshëm dhe rajonal. Me përjashtim të trazirave të vitit 2004, këto synime janë arritur kryesisht. Kosova nuk është një vend veçanërisht i rrezikshëm, e as nuk dëshmuar si një vend  i rrezikshëm për fqinjët e saj. Frika e shprehur nga shumë njerëz në vitin 1999 dhe, po ashtu, edhe pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2008, se Kosova do të zhytej apo do të shkaktonte një reaksion zinxhiror të një shkëputjejeje të dhunshme, ka rezultuar si e pabazë.

Megjithatë, Kosova vuan nga një sërë problematikësh gjymtuese; shkalla e lartë e papunësisë, emigrimi masiv, kujdesi i dobët shëndetësor, sistemi arsimor joadekuat dhe degradimi i mjedisit. Në themel të të gjitha këtyre çështjeve qëndron problemi që ka qenë prezent, dhe në fakt është rritur, në Kosovë për njëzet vitet e fundit; korrupsioni. Kosova është bërë një stereotip i një shteti të kapur, ku një elitë e korruptuar ka futur kthetrat e tyre në secilin aspekt të sistemit politik, gjyqësor dhe shoqëror të Kosovës. 

Në arenën ndërkombëtare, Kosova ka qenë dëshmitare e asaj se si pozicioni i saj ka degraduar në vend se të përmirësohet. Me gjithë faktin se medalja e artë e Majlinda Kelmendit në vitin 2016 dhe pranimi i përfaqësueses së futbollit të Kosovës në FIFA ka sjellë një dozë krenarie kombëtare, kërkesa e Kosovës për njohje ndërkombëtare ka ngecur, në mos ka shkuar në anën e kundërt. Përpjekjet për t’iu bashkuar Interpolit dhe UNESCO-s u penguan si rezultat i një kundërfushate nga Serbia, përderisa në vitet e fundit disa shtete kanë tërhequr njohjen e tyre ndaj pavarësisë së Kosovës.

Patronët e jashtëm të Kosovës – kryesisht SH.B.A dhe Mbretëria e  Bashkuar – mund të kenë qenë dikur në gjendje ta promovojnë Kosovën ndërkombëtarisht duke dhënë mbështetje për njohjen e saj, megjithatë, viteve të fundit fuqia e tyre ka rënë në në mënyrë të konsiderueshme, dhe secili prej tyre është bërë gjithnjë e më shumë i interesuar për vetvetën gjë që nënkupton, më pak i interesuar për Kosovën. Me pak fjalë, miqtë ndërkombëtarë të Kosovës kanë prioritete tjera më të rëndësishme.

Në fakt, përderisa fjalët mbështetëse dhe inkurajuese vazhdojnë të thuhen nga ambasada e SHBA-së dhe ajo e Britanisë së Madhe në Prishtinë, dikush do të mund të ishte kurreshtar të dinte se sa të dobishme janë këto ndjenja marrë parasysh problemet aktuale themelore, si dhe fakti që qytetarët e Kosovës duhet ende të aplikojnë për viza në mënyrë që të udhëtojnë në zonën Shengen të BE-së, dhe se shpresat e anëtarësimit të Kosovës në BE duken të jenë akoma shumë larg

Pa dyshim, Kosova duket se gjithnjë e më shumë po shihet më pak si një shtet i ri dhe i guximshëm që meriton mbështetje ndërkombëtare, dhe më shumë si një problem që pengon përparimin e fqinjëve të saj. Kështu, Kosova u detyrua të ratifikojë një marrëveshje kufitare me Malin e Zi për t’i mundësuar fqinjit të saj të shkojë një hap më afër integrimit në BE, ndërsa bisedimet me Serbinë duket se kanë shkuar në favor të Beogradit.

Prioriteti i ndërmjetësve ndërkombëtarë të përfshirë në dialogun Kosovë-Serbi duket të jetë sigurimi që Serbia të krijojë një formulë – më pak se njohja e plotë e Kosovës – që do t’i mundësojë asaj – jo Kosovës – të përparojë drejt pranimit në BE. Me siguri, kjo nënkupton se ne tani jemi dëshmitarë të një situate ku progresi i Serbisë vlerësohet më i rëndësishëm për Perëndimin sesa progresi i Kosovës.

Politikanët e Kosovës, deri më tani, kanë qenë kryesisht të shqetësuar me dy gjëra: rritjen e fuqisë dhe privilegjeve të tyre brenda Kosovës dhe nënshtrimin ndaj diktateve të sponsorizuesve të jashtëm. Të dyja këto janë, natyrisht, të lidhura; korrupsioni brenda Kosovës në thelb është toleruar nga shtetet e fuqishme perëndimore për sa kohë që elita politike e Kosovës ka rënë dakord të ruajë stabilitetin e brendshëm dhe t’i miratojë interesat politike të ndërkombëtarëve.

Natyra e çoroditur dhe e pasuksesshme e kësaj marrëveshje arriti kulminacionin kur Presidenti Thaçi doli me idenë e mbështetjes së një plani ndërkombëtar për ti ndarë kufijtë e Kosovës përgjatë vijave etnike.

Pas njëzet vitesh të nisjes së projektit më ambicioz dhe imponues të shtetndërtimit ndonjëherë, Kosova është në një situatë rreziku. Diçka me siguri duhet të ndryshojë, në kuptimin e qeverisjes së brendshme dhe pozicionimit të Kosovës në skenën ndërkombëtare. Zgjedhjet e ardhshme mund t’i përshpejtojnë që të dyja.

Kosova nuk mund të shpresojë në tërheqjen e investimeve të nevojshme ndërkombëtare, nëse qeveriset prej një elite të korruptuar. Kosova nuk mund të ndryshojë valën e emigracionit, të rregullojë sistemin e saj të dëmtuar të kujdesit shëndetësor dhe arsimor nëse udhëheqësit e saj politikë keqpërdorin paratë e taksapaguesve në projekte të kota dhe të panevojshme, të cilat përfundimisht vetëm se do ta pasurojë edhe më shumë qerdhen e një grupacioni tashmë të pasur.

Po kështu, Kosova nuk mund të shpresojë të konsolidojë dhe/ose ta përmirësojë statusin e saj ndërkombëtar, nëse udhëheqësit e saj lejojnë që politika e jashtme e vendit të tyre të diktohet nga fuqitë e jashtme, ndërsa ministrat e saj të jashtëm përqendrohen ekskluzivisht në përpjekje të mjerueshme, dhe kryesisht përpjekje të kota, për të fituar disa njohje më shumë.

Tani është koha që, padyshim, Kosova të shpenzojë më pak kohë duke i kërkuar të tjerëve ta trajtojnë atë si një shtet të pavarur, dhe më shumë të sillet si një i vetëm.

Kosova, gjithashtu, pa dyshim, duhet të bëjë më shumë për të ndryshuar dinamikën e marrëdhënies së saj me Serbinë; realiteti është që Serbia po arrin ta paraqesë veten si një partner më tërheqës për Perëndimin sesa Kosova, përkundër faktit se ka bërë kaq pak për t’i kompenzuar krimet e së kaluarës. Kosova mund ta korrigjojë këtë prirje nëse një qeveri e re artikulon një qëndrim që i kundërvihet BE-së me mospërputhjen e vazhdueshme të Serbisë në raport me parimet e vetë BE-së për lirinë e mediave, tranzicionin në drejtësi dhe pavarësinë e gjyqësorit.

Në këtë mënyrë, ndërsa zgjedhjet padyshim që do të shkaktonin një shkallë të pasigurisë dhe kontestimit, ato gjithashtu japin shpresë për një drejtim të ri, për të cilin Kosova ka shumë nevojë. Ne duhet të shpresojmë që votuesit të shfrytëzojë këtë mundësi për t’u shkëputur nga garda e vjetër dhe të hapin një shteg të ri dhe të guximshëm për Kosovën.

Dr. Aidan Hehir është një redaktor (profesor i asociuar) në marrëdhëniet ndërkombëtare në Universitetin e Westminster (MB). Ai jep mësim në Shkollën Verore të RIT në Kosovë, dhe interesat e tij kërkimore përfshijnë shtetndërtimin dhe ligjet që rregullojnë përdorimin e forcës.

Mendimet e shprehura në pjesën e opinioneve janë vetëm të autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e BIRN.