Vrima e Errët e Europës

Kosova është shndërruar në vrimë të errët të Europës. Kjo në kuptimin e plotë të fjalës. Jemi shteti i vetëm, përveç Moldavisë ku shumica edhe ashtu kanë shtetësi Rumune, ku qytetarëve u nevojiten vizat për Shengen. Jemi shteti me datë të papërcaktuar për nisjen e bisedimeve për liberalizim, paktin e stabilitetit, statusin e kandidatit, e nënkuptohet anëtarësimin.

Jemi shtet me ekonomi të varur nga diaspora, shtet i cili nuk prodhon asgjë brenda territorit dhe me papunësi diku 40 për qind. Shtet me deficit tregtar prej gati 100 për qind, që do të thotë zero për qind prodhim vendor dhe si rezultat pa vende të punës për kosovarët.

“Jemi shtet me ekonomi të varur nga diaspora, shtet i cili nuk prodhon asgjë brenda territorit dhe me papunësi diku 40 për qind.”

Jemi bërë për të qeshur dhe më e keqja është që jemi të kënaqur me këtë gjendje.

Bashkimit Europian (BE) nuk i interesojnë plagët e të kaluarës, por stabiliteti i të sotmes. Kjo është arsyeja pse disa shtete të Ballkanit nuk kanë pasur pengesa të mëdha për t’iu afruar BE-së. Kjo BE e “drejtë” dhe “fer” nuk ekziston. Ajo është mit në kokat tona. Mit i një shoqërie që gëzohet duke i tregu përralla vetes dhe i injoron faktet e qarta që i ka përpara.

Fakt është se jemi treg i vogël me më pak se 2 milionë njerëz, i cili e furnizon Europën me fuqi punëtore të origjinës europiane qe mbi 20 vjet. Fakt është se ekonomia e Kosovës është jo-ekzistuese dhe mbahet nga vet diaspora. Fakt është se paratë e shpenzuara në Kosovë nuk fitohen në Kosovë. Ato fitohen në Hamgurg, Duseldorf, Stutgart, Zurich, etj. Fakti është se nuk ka asnjë gjë që na shtynë për të kërkuar ndryshime në standardin e jetës sonë, në politikë, në administrim të shtetit, në përmirësim dhe ndërtim të Kosovës. 

Jemi rehatu duke jetuar në ekonominë e makiatove.

Por, e tërë kjo do të marrë fund në momentin kur thellohet kriza financiare e Europës. Atëherë kur ekonomitë e fuqishme të Europës ku jeton diaspora kosovare fillojnë të dobësohen (duke përfshirë edhe Zvicrën e cila do të lëndohet nga Franku i fuqishëm), këto para të diasporës do të ndalen. Me plakjen e gjeneratave të para të diasporës, kjo ka filluar të manifestohet qysh më herët, por kriza ekonomike e Europës së shpejti do të ndihet shumë më rëndë.

Me prodhim vendor jo-ekzistues, ndërpritja e të ardhurave do të ndihet në mënyrë brutale. Një shtet i cili importon gati çdo gjë, paguan më shumë për ato gjëra. Një vend i cili importon çdo gjë, nuk ka rroga për vendasit.

 

“Bashkimit Europian (BE) nuk i interesojnë plagët e të kaluarës, por stabiliteti i të sotmes.”

 

Prandaj, të presim ose shpresojmë se BE-ja do të na i rregullojë problemet sepse ishim viktima, të presim se Serbia nuk ka rrugëdalje përveç për ta pranuar shtetin kosovar sepse ky është borxhi ndaj nesh, të presim se vizat do të largohen për shkak të ndonjë “drejtësie”, është vetëm humbje e kohës. Këto janë ide të cilat BE-së nuk i interesojnë. Ide të cilave BE-ja iu ikë dhe nuk ka dëshirë t’i trajtojë sepse nuk ka guxim.

Kur ndonjë zyrtar i BE-së bën premtime se së shpejti Kosova do t’i afrohet “familjes Europiane”, ai premtim është i formuluar nga ndonjë rrogëmarrës i BE-së i cili kalon orë të tëra jo-interesante në Bruksel ose Strasburg dhe mendja e të cilit është ndoshta ku me shku për dreke, apo çka ka veshur kolegu, apo sa do t’i kushtojë sigurimi i automjetit që do me e ble. Premtimet e tyre janë të zbrazëta. Kosova për ata është një shënim në fletoret e tyre, diçka që duhet mbaruar para orës 16h të një enjte të zakonshme. Dhe në atë moment që zyrtari ndërrohet, ky rrogëmarrës do ta shkruan përsëri po të njëjtin premtim sikur të ishte diçka e re. 

“Liberalizimi i vizave, statusi i kandidatit, anëtarësimi, mund të arrihen vetëm kur fillojmë të krijojmë vende të punës”

Këto nuk janë premtime mbi të cilat duhemi t’i varim shpresat dhe të ardhmen tonë. Ta bësh këtë është krim ndaj vetes.

Për këto arsye, liberalizimi i vizave, statusi i kandidatit, anëtarësimi, mund të arrihen vetëm kur fillojmë të krijojmë vende të punës, kushte për veprimtari ekonomike, kushte për investim dhe kur e marrim fatin në duart tona.

Një ditë paratë e diasporës do të ndalen dhe duhemi të jemi gati për atë moment.

Ky artikull është shkruar për Gazetën Jeta në Kosovë.

*Projekti KosovoThanksYou është krijuar nga Betim Deva dhe Genc Kastrati me 13 Shkurt 2008. Kontribuesit e projektit vijn nga mbarë bota dhe në ditët e para të pavarësisë ky grup i njerëzve ka luajtur rol të rëndësishëm në furnizim me informata mbi njohje. KosovoThanksYou është sit i pavarur dhe pa prapavijë partiake apo institucionale.