Viti i Talljes me Anti- Korrupsionin

Tingëllon ironike por është fakt. Isa Mustafa u mandatua në postin e kryeministrit në ditën ndërkombëtare kundër korrupsionit më 9 dhjetor të vitit të kaluar.

Një simbolikë e mirë kjo për të shtyrë përpara betejën më të rëndësishme shtetërore.

Nëse Mustafa do të shtynte përpara luftimin e korrupsionit, mandatimi i tij në këtë datë do të ishte një material i mirë për artikuj të mediave ndërkombëtare.

Por Mustafa ka ndërtuar një profil tjetër të kryeministrit: i pagjak e i paguximshëm për ta luftuar korrupsionin. Në fakt, i gatshëm të përfshihet edhe vetë në skandale.

Ai me këtë ka treguar se është një politikan i zakonshëm që nuk ka idealin e bërjes së ndryshimit në shoqëri. Ka ambicie për të kundërtën. Mosndryshimin.

Po ta dinte se po mandatohej në ditën kundër korrupsionit, besoj se Mustafa do të kishte kërkuar që parlamenti ta shtyjë votimin për një ditë më vonë.

Ai tashmë ka bërë më shumë se një vit në krye të Qeverisë. Nuk ka lënë asnjë gjurmë se është munduar që të shtyjë përpara luftën kundër korrupsionit. Dhe nuk do ta bëjë këtë edhe nëse qeveria e tij do të ketë fatin të zgjasë edhe një vit.

Më keq se sa mos luftimi i korrupsionit është mendësia e tij që beson se mund ta bind opinionin se në fakt është duke e bërë këtë.

Mustafa beson se mund t’i bind lehtësisht tjerët se e ka seriozisht, ndonëse është dëshmuar shumëherë për të kundërtën.

Ka dështuar të përmbushë premtimin për hapjen e qindra-mijëra vendeve të punës. Por ende e cilëson si të sukseshshme qeverinë e tij për sa i përket hapjeve të vendeve të reja të punës.
Mustafa, duke u besuar aftësive të veta prej oratori, bëri edhe njërën prej gafave më të mëdha.

“Unë e kam parë edhe vullnetin e PDK-së dhe zotitThaçi që ne bashkërisht t’i qasemi kësaj lufte”, deklaroi Mustafa kur vendosi të na bind se e ka seriozisht luftën kundër korrupsionit.
Këtë deklaratë nuk mund ta besojnë as naivët më të mëdhenj.

PDK-ja e Thaçit nuk ka treguar vullnet për ta luftuar korrupsionin përgjatë shtatë vjetëve që ka udhëhequr qeverinë.

Është e pabesueshme që këtë vullnet ta ketë në qeverinë e drejtuar nga Mustafa, nëse nuk e kishte ne qeverinë e drejtuar nga vetë ai.

Dhe deri më tash askush nuk e ka parë këtë vullnet të PDK-së-pjesë e së cilës është Xhabir Zharku- që Mustafa thotë ta ketë verejtur.

Është tallje me qytetarët që njëherë të thuash se PDK-ja ka shtrirë rrënjët e veta në korrupsion në të gjitha segmentet publike, e pas një viti të deklarosh se po kjo parti ka vullnet ta luftojë korrupsionin.

Kjo është më shumë se hipokrizi – me gjasa mund të quhet humor i zi, ose thjesht Mustafës dhe partnerit të tij në qeverisje, Thaçit, u kanë mbaruar justifikimet populiste më të besueshme se këto që po dëgjojmë.

Janë shumë arsye që të shtyjnë të besosh se Mustafa nuk e ka menduar asnjëherë nisjen e betejes kundwr korrupsionit. Në praktikë ai e ka treguar të kundërtën.

E para është gatishmëria e tij për t’u përfshirë personalisht në skandale. Mustafa u përfshi edhe vetë në një tender familjar përkundër se prej një kryeministri pritet që të ndalojë ministrat e tij të përfshihen në tenderë të tillë.

Por ai dëshmoi se ka problem më të madh me vetëkontrollin sesa me kontrollimin e ministrave të tij.

Ai doli nga kontrolli kur u publikua artikulli për kontratën që djali i tij e fitoi nga Zyra e Kryeministrit.

E vlerësoi si budallallëk publikimin e një artikulli të tillë.

Më pas e mori seriozisht atë që vetë e quajti “budallallëk”. Deklaroi se ka anuluar kontratën e servisimit të veturës BMW të lidhur mes Kryeministrisë dhe firmës së djalit të tij.

Dhe për t’i vënë kapakun papërgjegjësisë ndaj publikut, kryeministri vazhdoi duke thënë se “Nëse kam ndonjë interes, kam nevojë për ndonjë pare të madhe, e jo për 2900 euro”.

Së paku stafi i tij është dashurqë ta këshillojë që ta largojë nga fjalori ndjekjen e “pareve të mëdhaja”, në kohën kur njerëzit lëshonin vendin për të gjetur një jetë më të mirë në vendet perëndimore.

E dyta është gatishmëria për të ndarë benefitet e pushtetit me partnerin e koaliconit. Edhe atë në mënyrën më klienteliste të mundshme.
Më herët e ka luftuar në të gjitha mënyrat PDK-në në gjirin e së cilës përfundoi nga lakmia për të pasur postin e kryeministrit.

Ka lënë anash kohën kur shfaqej si akademik dhe kërkonte që ndërmarrjet publike të udhëhiqeshin nga ekspertët.

Ka premtuar se do ta bënte këtë dhe se nga aty do të largonte militantët.
Nuk ka mundur ta bëjë këtë. I është nënshtruar në plotni PDK-së. Në borde janë po të njëjtit që i ka vendosur më herët PDK-ja, “armiku’’ i dikurshëm i Mustafës.

Duke parë se nuk mund të realizojë premtimin e tij për borde ekspertësh, ngjashëm veproi edhe vetë Mustafa.

Dërgoi militantë e tij nëpër borde,të cilët do të punojnë bashkë me militantët e PDK-së.

Angazhimi i militantëve të dy partive në bordet e ndërmarrjeve është investimi më i madh në zhvillimin e korrupsionit në vend. Dhjetëra militantë të bërë drejtorë, tashmë kanë borxhe ndaj politikanëve dhe duhet t’i kthejnë ato duke nisur nga punësimi, tenderët dhe benefitet tjera për anëtarët e kryesive të këtyre dy partive.