Vërejtja që shkurajon gazetarinë hulumtuese

Hulumtimi “Monopol me Dritën e Diellit” – produkt i emisionit “Jeta në Kosovë” – është dënuar padrejtësisht me vërejtje nga Komisioni i Pavarur për Media pas ankesës së kompanisë “Devolli Group”

Emisioni “Jeta në Kosovë” kishte transmetuar më 30 prill 2020 në televizionin publik raportin  hulumtues “Monopol me Dritën e Diellit”. Hulumtimi raportonte se biznismeni Blerim Devolli kishte arritur që të pajiset me licenca – duke përdorë një skemë të fshehjes së pronësisë së kompanive aplikuese – për të prodhuar më shumë energji të ripërtrishme sesa lejon Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE).

Rreth dy javë më vonë, kompania “Devolli Group” ishte ankuar te Komisioni i Pavarur për Media (KPM), institucioni shtetëror përgjegjës për zbatimin e standardeve etike në televizione dhe radio. Në ankesë, kompania dhe pronari pretendonin se: “Gjatë gjithë transmetimit të këtij emisioni përdoret një gjuhë denigruese me qëllim të dëmtimit të imazhit të kompanisë dhe emrit tim duke përdorur fraza si ‘Baba Blerim Devolli’, ‘Nanë Blerim Devolli’, ‘tu i qëru si kepen e gjej që e kanë nanë Blerim Devollin’, ‘Devollëve t’shkretë’, ‘qe çka bën shteti i fortë për Devollët e shkretë’ dhe në disa raste përmendet ‘skema e fshehjes së pronarëve të vërtetë’, e cila është e pavërtetë dhe tendencë për të paraqitur emrin tim si të inkriminuar në punë të jashtëligjshme si përfitues nga ‘xhepi i konsumatorit’, duke përdorur fraza me të cilat mundohet të bindë shikuesin për diçka që nuk qëndron”.

Në përgjigjen e vet ndaj ankesës, emisioni këmbënguli se hulumtimi zbardh skemën që ia kishte mundësuar biznismenit Devolli – përmes gjashtë kompanive – të përfitojë tarifa nxitëse për prodhimin e energjisë së ripërtrishme në total prej 16.7 megavatë, ndonëse një vendim i ZRRE-së përcaktonte se një aplikues mund të përfitonte tarifë për prodhim vetëm deri në 3 megavatë.

KPM-ja ka gjetur se raporti është në kundërshtim me Kodin e Etikës ngaqë ka nxitur urrejtje që mund të rezultojë në veprime të dhunshme kundër biznismenit Devolli, se ka pasaktësi dhe se përmban kriticizëm të padrejtë dhe sulm ndaj tij.

Argumenti për “nxitjen e urrejtjes” nuk qëndron

Në analizën e saj, KPM-ja ka gjetur se përdorimi i shprehjeve “Baba Blerim Devolli”, “Nana Blerim Devolli”, “Devollëve t’shkretë”, e kanë vënë biznismenin Devolli në pozitë denigruese dhe tallëse, në kundërshtim me nenin 5.2 të Kodit të Etikës të mediave elektronike.

Sipas KPM-së, emisioni ka bërë trajtim tendencioz të kompanisë “Devolli Group” kur ka raportuar se konsumatorët do të paguajnë më shtrenjtë për energji dhe se kompania do të përfitojë 14.4 milionë euro. KPM pretendon se përmes kësaj deklarate është krijuar përshtypja se shkaktar i këtij përfitimi financiar është kompania e jo ZRRE-ja dhe rrjedhimisht përdorimi i shprehjeve të tilla mund të nxisë urrejtje nga ana e publikut dhe mund të rezultojë në veprime të dhunshme ndaj kompanisë.

Përtej shkeljes etike, nxitja e urrejtes është vepër penale e dënueshme deri në pesë vjet burg. Ajo përbën ndër arsyet e pakta legjitime që lejon kufizimin e lirisë së shprehjes nga autoritet shtetërore.

Mirëpo, para se KPM të vendoste se emisioni ka nxitur urrejtje, ajo është dashur që shprehjet e kontestuara t’i analizojë sipas standardeve të krijuara nga Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut (GjEDNj). Kodi i Etikës e obligon KPM-në që ta zbatojë dispozitat e tij duke respektuar parimet e vedosura me Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNj).

Sipas GjEDNj-së, në rastet kur pretendohet që është përdorë gjuhë e urrejtjes, autoritetet duhet të marrin parasysh disa faktorë, përkatësisht se a janë bërë deklaratat në momente të tensioneve politike ose shoqërore, se a mund të konsiderohen deklaratat si thirrje e drejtpërdrejtë për dhunë dhe se a kanë çuar deklaratat në pasoja të dëmshme. Këto elemente, GjEDNj i ka përmbledhur në rastin Perinçek k. Zvicrës (2015) bazuar në nenin 10 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Asnjëra nga këto kritere nuk është plotësuar dhe rrjedhimisht vlerësimi i KPM-së se emisioni ka nxitur urrejte është i gabuar dhe në kundërshtim me standardet e Konventës për lirinë e shprehjes.

Sikur emisioni vërtet të nxiste urrejtje, do të ishte tejet gabim që KPM-ja të mjaftohej duke i shqiptuar mediumit vetëm vërejtje. Mediat që nxisin urrejtje meritojnë të paguajnë dënimin më të lartë monetar, që në rastin konkret do të ishte 100,000 mijë euro.

KPM nuk argumenton qëndrimin se raportimi ishte i paanshmëm dhe i pasaktë

KPM më tej ka gjetur se emisioni ka shkelur po ashtu edhe nenin 6.1 të Kodit të Etikës, i cili detyron televizionet të tregojnë paanshmëri dhe të raportojnë saktë. Sipas analizës, emisioni “ndërlidh” prodhimin e produkteve jastëkë, dyshekë, kafe etj. me “Devolli Group” dhe e akuzon atë për dëmtim të Valës së Kosovës.

KPM dështon të argumentojë se cila pjesë e këtij raportimi është e pasaktë. Në fakt, vetë KPM në analizën e saj thotë se emisioni ka “ndërlidhur” dhe jo “lidhur” disa biznese me emrin e kompanisë “Devolli Group” dhe pronarit të saj Blerim Devolli. Gazetarët hulumtues janë të thirrur të bëjnë ndërlidhjen, ndër të tjera, në mes të bizneseve dhe autoriteteve dhe të kërkojnë llogari nga ta për mënyrën se si e ushtrojnë pushtetin.

Për t’u cilësuar si raportim i pasaktë, KPM është dashur të paktën të analizojë nëse fjalitë e shprehura përbëjnë fakte apo opinione dhe varësisht nga kualifikimi të lëshohej në analizën përkatëse.

Në një ndër rastet pioniere të saj, Lingens k. Austrisë, GjEDNj-ja kishte vendosur se ekzistimi i fakteve mund të demonstrohet (provohet), mirëpo se opinionet nuk mund t’i nënshtrohen vërtetimit. Në rastin konkret, KPM në mënyrë arbitrare dhe të paargumentuar ka vlerësuar në mënyrë të përgjithshme se informacioni i ofruar është i pasaktë.

“Kriticizmi i padrejtë”

KPM po ashtu ka vlerësuar se përdorimi i shprehjeve “konsumatorët do të paguajnë më shtrenjtë në mënyrë që me u përkrahë gjashtë biznesët e Devolli Group”, “nga xhepi i konsumatorëve në llogari të kompanive të Blerim Devollit do të derdhen 14.4 milionë euro” dhe “kanë më shku për bizneset e shkreta të Blerim Devollit” në raport përbën kriticizëm të padrejtë dhe sulm ndaj biznismenit Devolli.

Kompania Devolli, pronari i tij dhe KPM-ja duhet të kenë parasysh që njerëzit që ushtrojnë pushtet ose përfitojnë nga pushteti i nënshtrohen mbikqyrjes publike nga ana e mediave dhe organizatave joqeveritare. Tema për të cilën është raportuar ka të bëjë me çështje të interesit të përgjithshëm dhe rrjedhimisht ata janë të obliguar të tregojnë nivel më të lartë të tolerancës ndaj kritikës. Shprehjet e përdorura në emision kanë bazë faktike dhe nuk tejkalojnë kufinjët e kritikës së pranueshme. Për më tepër, liria e shprehjes dhe liria gazetareske (journalistic freedom) ua garantojnë gazetarëve të drejtën e ekzagjerimit dhe të provokimit.

Emisioni Jeta në Kosovë ka raportuar për një çështje me interes publik për çka është shpërblyer me çmim gazetarie. Dënimi me vërejtje është arbitrar, bazohet në analizë të gabuar ligjore dhe është në kundërshtim me standardet ndërkombëtare për lirinë e shprehjes.

KPM është e thirrur për të rregulluar mediat dhe jo për t’i censuruar ato. Këtë vit ajo inicioi pa sukses edhe ndryshimin e Kodit të Etikës që do t’ua ndalonte tërësisht gazetarëve raportimin nga gjykata. Vërejtja në fjalë është tentativa e radhës për censurim dhe frikësim të mediave. Bordi i Ankesave, si instancë e dytë brenda KPM-së, e ka mundësinë që ta përmirësojë gabimin e Komisionit duke vendosur në favor të gazetarisë hulumtuese.

 

Ky blog është publikuar fillimisht në Sbunker