Ilustrim - Foto: Atdhe Mulla

Vendosja e drejtësisë nuk do të sjellë pajtim në Kosovë

Ndjekja e drejtësisë për krimet e kryera gjatë luftës së viteve 1998-1999 kërkon pëlqimin dhe përfshirjen e njerëzve të Kosovës për të garantuar që ajo të ketë legjitimitet dhe çdo shans për të arritur pajtimin dhe lehtësuar progresin.

Ndërsa fuqia perëndimore ka rënë ndërkombëtarisht që nga viti 2008, një prirje e re midis aleatëve të mëparshëm të Kosovës ka evoluar së bashku me rivlerësimin e tyre të përparësive të politikës së jashtme; një nga manifestimet më të dukshme të kësaj ka qenë vendosmëria e tyre për të kufizuar ndikimin në rritje të Rusisë në rajonin e Ballkanit.

Për këtë qëllim, fuqitë perëndimore kanë kërkuar të inkurajojnë Serbinë në sferën e tyre të ndikimit.

Kjo ka nënkuptuar që u është dhënë përparësi preferencave të Serbisë, dhe shtetet perëndimore, në thelb, kanë bërë një sy qorr para natyrës gjithnjë e më autoritare të qeverisë serbe.

Kjo përpjekje e bashkërenduar për të qetësuar Beogradin ka ardhur në kurriz të Kosovës. Kosova ka qenë nën presion që të aderojë në një sërë kompromisesh që kanë minuar sovranitetin e saj.

Këto përfshijnë marrëveshjen për krijimin e një shoqate të komunave me shumicë serbe në vitin 2013, krijimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës në vitin 2015 dhe marrëveshjen e Uashingtonit në shtator 2020. Në veçanti, me porosi të Serbisë, çështja e trajtimit të krimeve të kryera nga forcat serbe në Kosovë në vitet 1990 është hequr në thelb nga axhenda diplomatike.

BE-ja – dhe SHBA-ja – ka organizuar dhjetëra samite midis Serbisë dhe Kosovës që nga viti 2008, por fokusi është zhvendosur dukshëm nga trajtimi i keqbërjeve të së kaluarës të Serbisë, në “normalizimin” dhe bashkëpunimin e ardhshëm.

Kjo ka ndodhur përkundër faktit se ka mijëra njerëz nga Kosova të regjistruar ende si të zhdukur dhe Serbia nuk ka arritur të shlyejë fajin për mijëra përdhunimet, vrasjet dhe torturat e kryera nga personeli i saj gjatë fushatës sistematike të spastrimit etnik të zhvilluar në Kosovë, siç është theksuar në shumë nga kapitujt e grupit tonë të analizave me titull “Kosovo and Transitional Justice”.

Në fakt, gjatë viteve të fundit presidenti dhe kryeministri i Serbisë kanë mohuar publikisht se kanë ndodhur masakra të caktuara, me presidentin Aleksandër Vuçiç madje që ka deklrauar në vitin 2018 se Sllobodan Millosheviçi ishte një “lider i madh serb i cili padyshim kishte synimet më të mira”.

Siç theksohet nga shumë prej kontribuuesve tanë, ata që i mbijetuan brutalitetit të Serbisë në vitet 1990, duke parë se si aleatët e tyre perëndimorë heshtin përballë liderëve serbë që refuzojnë vazhdimisht të pranojnë vuajtjet e tyre, kanë ndjerë vetëm zemërim dhe zhgënjim.

Pikërisht brenda këtij konteksti mbizotërues shoqëror në Kosovë po funksionojnë Dhomat e Specializuara të Kosovës. Zor se mund të jetë e habitshme që komuniteti shqiptar i Kosovës nuk e ka përshëndetur këtë me krahë hapur.

Në kohën e krijimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës, një deklaratë e përbashkët nga SHBA-ja dhe BE-ja vuri në dukje: “Nëpërmjet ballafaqimit me të kaluarën e saj dhe garantimit të drejtësisë për viktimat, Kosova mund të arrijë pajtimin dhe të ndërtojë një të ardhme më të mirë.”

Nëse Dhomat e Specializuara të Kosovës do të shërbejnë vërtet si ilaç për të gjitha të këqijat, kjo mbetet ende për t’u parë, por të gjithë kontribuuesit e librit tonë sugjerojnë të kundërtën.

Nevoja për pëlqim të brendshëm

Konflikti në Kosovë ka hyrë nën juridiksionin e shumë institucioneve dhe mekanizmave të cilët përshtaten brenda kornizës më të gjerë të drejtësisë tranzicionale.

Këto përfshijnë gjykata ndërkombëtare siç është Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, organizatat ndërkombëtare me mandate gjyqësore brenda Kosovës si UNMIK-u dhe EULEX-i, gjykata kuazi-hibride siç janë Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe mekanizmat e kërkimit të së vërtetës si KOMRA dhe Komisioni për të Vërtetën dhe Pajtimin.

Së bashku, këto zhvillime e bëjnë Kosovën një rast studimi me rëndësi të madhe. Megjithatë, pavarësisht rëndësisë së Kosovës, nuk ka pasur një përmbledhje të thelluar shkrimesh që analizojnë si gjerësinë e nismave të  përdorura në Kosovë ashtu edhe rëndësinë e tyre ndërkombëtare.

Për të adresuar këtë boshllëk, libri ynë “Kosovo and Transitional Justice” analizon natyrën dhe ndikimin e mekanizmave të ndryshëm të përdorur deri më tani për të përcaktuar efektet e tyre brenda Kosovës, rëndësinë e tyre më të gjerë ndërkombëtare, dhe diskuton më tej aspekte të drejtësisë tranzicionale të pavlerësuara deri më tani, si p.sh. dëmshpërblimet.

Siç është cekur në librin tonë, imponimi i modeleve të drejtësisë tranzicionale të krijuara nga të huajt në shoqëritë pas konfliktit mund të komprometojë efikasitetin e të gjithë procesit, siç ishte më së shumti rasti me Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë.

Fakti që Dhomat e Specializuara të Kosovës janë një “gjykatë hibride” – e bazuar në Kushtetutën e Kosovës, por e ndodhur jashtë vendit dhe e përbërë nga staf i huaj – është një përpjekje e qartë për të korrigjuar akuzën “në distancë” të ngritur në gjykatat e mëparshme; organet e ndryshme të mandatuara për t’u marrë me kriminalitetin e kaluar në Kosovë u krijuan në një mënyrë që në thelb mohonte agjencinë vendore.

Mënyra se si u krijuan Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe natyra e përbërjes së saj, përbën, megjithatë, një përjetësim fatkeq të kësaj dispozite.

Ato nuk u krijuan vullnetarisht nga përfaqësuesit e zgjedhur të Kosovës; ndërsa Kuvendi i Kosovës votoi për krijimin e gjykatës, dhe qeveria dhe presidenti mbështetën krijimin e tyre, kjo u bë qartazi vetëm në përgjigje të presionit të jashtëm. Kjo kundërshton rrënjësisht udhëzimet normative të Bashkimit Evropian në lidhje me nevojën për pëlqimin dhe pronësinë vendore mbi proceset e drejtësisë tranzicionale.

Popullariteti i strategjisë së Marrëdhënieve me Publikun i Dhomave të Specializuara të Kosovës ka qenë i kufizuar; mungesa e kuptimit të mjaftueshëm publik dhe mbështetja për Dhomat e Specializuara është një problem potencialisht i rëndë duke pasur parasysh ndjeshmëritë e përfshira.

Si e tillë, ndërsa “ballafaqimi me të kaluarën” është portretizuar pa ndryshim nga ithtarët e drejtësisë tranzicionale dhe gjykatat penale ndërkombëtare si një mjet drejt arritjes së pajtimit dhe lehtësimit të progresit, mënyra në të cilën u krijuan Dhomat e Specializuara brenda një konteksti të një perceptimi të përhapur se Serbia i është shmangur drejtësisë, do të thotë se ato mund të kenë efektin e kundërt.

Nismat lokale kanë më shumë legjitimitet

Gjatë të gjithë librit tonë, kontribuuesit theksojnë shkallën në të cilën nismat e kaluara të drejtësisë tranzicionale nuk kanë arritur të sjellin drejtësi dhe/ose pajtim, kanë mohuar agjencinë lokale dhe kanë shpërfillur shumë nga krimet më të këqija.

Ne nuk besojmë se Dhomat e Specializuara do t’i korrigjojnë këto prirje, por në vend që të kritikojnë vetëm përpjekjet e mëparshme dhe të vazhdueshme, shumë nga kontribuuesit kanë propozime të përparuara se si të ecim përpara; këto përfshijnë receta ligjore specifike, megjithëse tema kryesore është se drejtësia tranzicionale është thelbësore, por duhet të jetë kryesisht punë e aktorëve lokalë, qofshin ata ekspertë lokalë, politikanë apo aktivistë të shoqërisë civile.

Shumë kontribuues theksojnë efikasitetin e nismave – nga teatri feminist, te puna lokala për të drejtat e njeriut e deri te grupet e mbrojtjes së grave – të cilat janë thelbësisht vendore në natyrë dhe kështu në thelb më legjitime sesa mekanizmat e imponuara nga jashtë.

Që nga përfundimi i librit, Kosova ka zgjedhur një qeveri të re të angazhuar për fuqizimin e agjentëve lokalë të ndryshimit dhe progresit. Në gusht, qeveria përshkroi fazën fillestare të një strategjie të re mbi drejtësinë tranzicionale, e krijuar për të ndjekur në mënyrë efektive drejtësinë për ata që u dëmtuan gjatë viteve 1990 dhe për të maksimizuar pjesëmarrjen lokale në këtë drejtim.

Kjo është një shenjë shpresëdhënëse se në Kosovë ka filluar një qasje e re ndaj drejtësisë tranzicionale.

Aidan Hehir është ligjërues në Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Universitetin e Uestminsterit në Londër. Furtuna Sheremeti është studiuese doktorature në Institutin e Kriminologjisë në KU Leuven, Belgjikë. “Kosovo and Transitional Justice: The Pursuit of Justice After Large Scale-Conflict” është botuar nga by Routledge.