Faton Fetahu - Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Vendimet e qeverisë në detyrë & Vakumi juridik dhe pasojat (II)

Siç u tha në pjesën e parë të këtij shkrimi, mos rregullimi juridik i aspekteve të punës së qeverisë pas rënies së saj, ka bërë që vakumi juridik të shfrytëzohet nga të gjitha qeveritë në detyrë. Asnjëra prej tyre nuk u përmbajtën nga roli dhe mandati i tyre, i kufizuar në pikëpamje kushtetuese.

Ndërkaq, për fat të keq, aktorët institucional (Kuvendi i Kosovës, Presidenti i Republikës së Kosovës, (Qeveria) dhe Avokati i Popullit) që janë të autorizuar me Kushtetutë që të ngrejnë pranë Gjykatës Kushtetuese, çështjen e përputhshmërisë së vendimeve të qeverisë me Kushtetutën, përveç reagimeve të kohëpaskohëshme politike, asnjëherë deri më tani, nuk e shfrytëzuan mekanizmin e garantuar kushtetues, për të kontestuar në rrugë juridike kompetencat e një qeverie në detyrë.

Po ashtu, çështja e mandatit të kufizuar kushtetues, jo rrallë është tematizuar edhe në nivel të organizatave të shoqërisë civile që monitorojnë punën e qeverisë, apo edhe të mediave të ndryshme. Për fat, po ashtu të keq, edhe këto reagime, jo vetëm se ishin të pamjaftueshme, por disa prej tyre ishin edhe selektive.

Për shembull: Kur ish-kryeministri Ramush Haradinaj, deklaroi në një mbledhje të zakonshme të qeverisë së tij, dorëheqjen e parevokueshme nga pozita e Kryeministrit (më 19 korrik 2019), ndërsa javët në vijim vazhdoi të mbaj mbledhje të qeverisë, e të marrë vendime në ato mbledhje, me të drejtë, ishin të shumta reagimet e disa organizatave të shoqërisë civile.

Ndoshta reaguan, edhe se ishte akti i parë i dorëheqjes së një kryeministri nga kjo pozitë, që u regjistrua që nga shpallja e pavarësisë, dhe më të drejtë pretenduan se dorëheqja e z. Haradinaj, prodhon pasojën e rënies së qeverisë dhe i njëjti nuk mund të sillet dhe të marrë vendime si kryeministër fuqiplotë, aq më tepër, që për kategorinë e “dorëheqjes’ si akt i njëanshëm i përgjegjësisë, kishte një vendim të Gjykatës Kushtetuese (konstatimi i efektshmërisë dhe validitetit të dorëheqjes së Kryetarit të Komunës së Rahovecit z. Qazim Qeska, rasti Nr. KO 80/10, datë 7 tetor 2010).

Megjithatë, të njëjtat reagime nuk u shprehen në rastin e qeverisë Kurti I, pas 25 marsit 2020, kur Kuvendi i Kosovës e miratoi mocionin e mosbesimit kundër qeverisë së tij, e cila, si qeveri në detyrë, mbeti deri më 2 qershor 2020.

Po ashtu, as nuk reaguan për qeverinë në detyrë të ish-kryeministrit Hoti, qeverisë së të cilit, i’u mor mandati me aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese më 6 janar 2021, dhe në këtë cilësi shërbeu deri para pak ditësh, konkretisht deri më 22 mars.

Si do që të jetë, e sado të pamjaftueshme e selektive të kenë qënë, ishin kryesisht, këto reagime dhe kontestime që shtynë z. Haradinaj që, vetëm dhjetë ditë pas deklarimit të dorëheqjes, të parashtroj një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese, me anë të të cilës, siç e theksuam në pjesën e parë të shkrimit, kërkoi interpretim të aktit të dorëheqjes së tij, si dhe e pyeti gjykatën se si definohet, cilat janë kompetencat dhe si funksionon qeveria, pas dorëheqjes së kryeministrit.

Aso kohe, edhe ashtu siç pritej, kërkesa e z. Haradinaj u shpallë e papranueshme. Sipas jurisprudencës së saj më të re (shih rastin KO79/18, datë 21 nëntor 2018), duke vendosur standardin e mospranimit të “pyetjeve kushtetuese”, Gjykata konkludoi se çështjet e ngritura nga parashtruesi i kërkesës nuk hyjnë në fushëveprimin e juridiksionit të Gjykatës Kushtetuese, dhe rrjedhimisht, përkundër rëndësisë së tyre dhe dilemave legjitime që mund të ngritin, nuk mund të jap përgjigje në pyetjet e parashtruara, përderisa nuk janë parashtruar në Gjykatë sipas procedurave të parapara me Kushtetutë.

Gjykata, edhe në këtë rast, ritheksoi se nuk merret me interpretime për çështje që lidhen me veprime ose mosveprime juridike të insitucionave kushtetuese, për të cilat nuk është e autorizuar me Kushtetutë, pavarësisht pasojave që ato mund të prodhojnë, siç ishte rasti me dorëheqjen e z. Haradinaj.

Ndërsa, mosrregullimi juridik i statusit të qeverisë në detyrë vazhdon, e bashkë më të, edhe tejkalimet e abuzimet e kompetencave, ajo që dihet është rruga e adresimit të kësaj çështjeje. Pra, rregullimi përfundimtar, më i duhur, më i arsyeshëm e më i qëndrusehëm – me ligj, apo rregullimi me akt tjetër nënligjor qeveritar. Shto këtu, edhe mundësinë e adresimit përmes kontestimit të një akti konkret të qeverisë në detyrë, nga palët e autorizuara, në procedurë ligjore pranë Gjykatës Kushtetuese. E gjitha çfarë kërkohet, është vullneti politik për të përkufizuar përfundimisht mandatin dhe kompetencat e një qeverie në detyrë.

Rregullimi me ligj i statusit të qeverisë në detyrë, duke qenë zgjidhja më e mirë e më e preferueshme, është edhe më e lehtë për faktin se në Zyrën e Kryeministrit, ka vite që është hartuar drafti i Projektligjit për Qeverinë, i cili është zvarritur nga njëra qeveri te tjetra, përjashto këtu një angazhim konkret të demonstruar nga qeveria e shkuar, që për këtë projektligj ka këshilluar edhe Komisionin e Venecias, opinioni i të cilit, u publikua në dhjetor të vitit të kaluar.

Në opinionin e tij, ky Komison, duke e vlerësuar përgjithësisht pajtueshmërinë e projektligjit me standardet ndërkombëtare, nënvizon nevojën e miratimit të këtij projektligji, pos tjerash edhe për rëndësinë e rregullimit të statusit juridik dhe kufizimit të kompetencave të qeverisë në detyrë, për faktin se, sipas vlerësimit të tij, Kosova i është nënshtruar një paqendrueshmërie qeveritare dhe parlamentare.

E sipas nenit 11 të këtij projektligji (drafti i publikuar për konsultime), ku janë paraparë kufizimet e qeverisë në dorëheqje, është propozuar që qeveria në dorëheqje të kryej vetëm aktivitetet e domosdoshme dhe të planifikuara me Planin vjetor të punës së Qeverisë dhe me ligjin vjetor për buxhetin, me përjashtim të aktiviteteve në vijim:

Nuk miraton nismën për lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare për të cilat kërkohet ratifikimi nga Kuvendi, e në rast se nisma është miratuar paraprakisht, zhvillon procedurat e parapara me ligjin përkatës për marrëveshjet ndërkombëtare deri te procedura e ratifikimit në Kuvend; Nuk miraton projekt amendamente kushtetuese, projektligje, strategji dhe koncept dokumente; Nuk merr vendime të cilat kanë implikime financiare; Nuk inicon procedura të reja për emërimin në pozitat publike si dhe nuk bënë propozimin e kandidatëve për pozita për të cilat kërkohet emërimi nga Kuvendi, përjashtimisht rasteve të vazhdimit të mandatit, në përputhje me legjislacionin në fuqi; Nuk bën propozime dhe nuk inicon emërime të zyrtarëve të lartë për të cilët kërkohet bashkëvendosje me Presidentin e Republikës;

Përjashtimisht, si më sipër, Qeveria në dorëheqje, ka të drejtë t’i propozojë Kuvendit miratimin e Buxhetit të Republikës së Kosovës. Si dhe në rast të fatkeqësive natyrore, shëndetësore apo situatave të tjera emergjente të përcaktuara me ligje të veçanta, Qeveria në dorëheqje ka të drejtë të bëjë përjashtim nga nxjerrja e vendimeve të cilat kanë implikime financiare, për aq sa kjo justifikohet me nevojën për menaxhimin e situatës së tillë si dhe kërkohet vendimmarrja e Qeverisë, etj.

Për sa më sipër, duke marrë parasysh faktin se, pikërisht kufizimet e propozuara në këtë projektligj, për qeverinë në detyrë/dorëheqje, janë ushtruar efektivisht, me pak përjashtime, nga ana e të gjitha qeverive të deritanishme në detyrë, si dhe duke marrë parasysh pasojat juridike dhe financiare të vendimmarrjes së tyre, alternativa më e mirë mbetet miratimi i këtij projektligji dhe përmes tij, rregullimi përfundimtar i kompetencave dhe përgjegjësive të qeverisë në detyrë.

Vetëm përmes kufizimit të kompetencave dhe përgjegjësive të qeverisë në detyrë, merr kuptimin e plotë  de jure dhe de facto qeveria pas shpërndarjes së Kuvendit, qeveria pas dhënies së dorëheqjes së Kryeministrit apo në çdo rast tjetër në të cilin posti i Kryeministrit mbetet i lirë, apo qeveria pas votimit të suksesshëm të mocionit të mosbesimit ndaj saj.

 

Faton FETAHU

Autori është njohës i të drejtës kushtetuese dhe parlamentare, me përvojë solide në këshilldhënie juridike