Vdekja e kulturës së muzeut

Është argumentuar tashmë se historikisht muzetë ishin vende elitiste, të cilat gëzonin një përfaqësim të lartë të diturisë dhe statusit në shoqëri.

Edhe vetë ndërtesat e muzeut paraqesin një lloj madhështie, diçka që vlen edhe sot.

Muzetë perceptoheshin si vende të mirëmbajtura, dhe me qetësinë që ofronin, pothuajse hapësira të shenjta të cilat ofronin një përvojë unike.

Goethe e përshkroi vizitën e tij në muzeun e Drezdenit në vitin 1768 si “të ngjashëm me emocionin e përjetuar më të hyrë në Shtëpinë e Zotit”.

Unë shpesh planifikoj një udhëtim në fundjavë për të parë ndonjë ekspozitë, ose thjesht për t’i rivizituar disa kryevepra të preferuara që janë të vendosura në koleksionin permanent të ndonjë muzeu në afërsi, në Londër apo Paris, pak orë udhëtimi me tren për mua. Ndërsa në fillim të këtij viti, bëra një përpjekje pak më te madhe për të vizituar Muzeun Kombëtar të Kosovës.

Nuk isha i sigurt se çfarë po më priste, nuk dija shumë për koleksionin që mbante muzeu. Në të vërtetë, po mendoja me veten se unë nuk e kisha vizituar atë muze gjatë pjesës më të madhe të rinisë sime dhe nuk mbaj mend ndonjë kujtim të mëhershëm të vizitës së bërë në muzeun e vendlindjes sime. Sidoqoftë, besoj se të gjithë jemi të pajtimit se bota e një fëmije shpesh formësohet nga ajo çfarë shohin, mësojnë dhe përjetojnë ne muze.

Ndërsa për mua dhe gjithë ata që i përkasim brezit të luftës, shkollimi ishte beteja kryesore, ndërsa kultura e muzeut ishte vetëm një plaçkitje e radhës. Por, 20 vjet pas luftës, sa prej jush e planifikoni që gjatë fundjavës do ta vizitoni muzeun kombëtar?

Statusi i Muzeut Kombëtar të Kosovës më ka brengosur tash e një kohë, dhe shqetësimet e mia janë fuqizuar kryesisht nga mungesa e përgjithshme e interesit ndaj muzeut. Kohë pas kohe, bëja ndonjë kërkim përmes Google dhe jo shumë gjëra shfaqeshin për muzeun. Ndërsa në hapësira tjera jo virtuale nuk dëgjon asnjëherë për ndonjë aktivitet që ka të bëjë me muzeun kombëtar në Kosovë, për më shumë nuk është pjesë e diskutimit mes miqve, nuk është pjesë e debateve në media, nuk është pjesë e kurrikulës shkollore dhe nuk është pjesë e arsimit të përgjithshëm.  Pra, nuk është pjesë e mentalitetit tonë.

Kultura e muzeut në Kosovë duket se ka vdekur dhe kjo lloj vdekjeje është nga ato të dhimbshmet, që i lë brezat e të e rinjve në mangësi të njohurive për kulturën e tyre. Një situatë e tillë i privon të rinjtë nga rëndësia që paraqet kurimi i një objekti, i një “gjëje”, i një historie. Kjo aftësi shtrihet përtej muzeut, na mëson ta kurojmë rrethinën tonë dhe të kujdesemi për të duke  shikuar përmes vlerësimit kritik.

Edhe pse Kosova po shpërthen me talentë artistikë, shumë prej të cilëve gëzojnë njohje ndërkombëtare, shumica e këtyre artistëve bashkëkohorë të Kosovës nuk kanë pasur asnjë shkëmbim apo bashkëveprim me muzeun e tyre kombëtar.

Një artist nga Prishtina më tha se unë isha në fakt personi i parë që e pyeta: Kur e ke vizituar së fundmi Muzeun Kombëtar të Kosovës? Dua të besoj se artistët e vlerësojnë institucionin e muzeut, dhe që e kuptojnë vlerën arsimore dhe kulturore që muzeu mban, por duket se shkëmbimi kulturor me muzeun kombëtar nuk është i frytshëm.

Përgjatë vizitës time, vila e bukur brenda së cilës është muzeu, qëndronte aty me të gjithë madhështinë e saj, e mbuluar me borë, e bukur dhe krenare. Në katin e parë te muzeut është i vendosur një koleksion i rëndësishëm i keramikave dhe stolive që datojnë që nga shekujt  IX dhe XI.

Informacioni mbi koleksionin, koha dhe vendndodhja ku ishin zbuluar ishte i pranueshëm, për më shumë ishte në tri gjuhët, shqip, serbisht dhe anglisht. Kati i parë tregonte potencial për të qenë një hapësire e mrekullueshme. Hapësira, ndriçimi dhe koleksioni ishin të gjitha aty,  me një kombinim të tillë, duhet vetëm nje ekip profesionistësh që ta sjellin ne nivel të një muzeu europian.

Sidoqoftë ishte zhgënjyese që shumë pjesë të altarëve nga mermeri që ishin vendosur në gjysmën tjetër të katit të parë, nuk kishin shpjegim se ku ishin gjetur apo pjesë e çkahit kishin qenë në jetën e tyre të mëparshme. Këto informacione e bëjnë muzeun kuptimplotë, janë të domosdoshme por megjithatë mungonin. Me vete mendoja se një mangësi e tillë mund të zgjidhet lehtë, krejt çka duhet janë profesionistët e nevojshëm për të gërmuar nëpër arkiva nga ku do të dilnin informacionet përkatëse mbi altarët. Me këtë mendim u ngjita në katin e dytë.

Kati i dytë ishte i dedikuar për historinë e fundit të vendit, që trajtohet si historia jonë bashkëkohore.

Përderisa po lëvizja nëpër atë hapësirë, përsëri po mendoja qe edhe kjo është një hapësirë me potencial të pabesueshëm. Në atë moment më erdhi në mend kritiku anglez William Hazlitt i cili me të vizituar koleksionin në Galerinë Kombëtare në Londër, e kujton atë përvojë si “shenjtëri e shenjtëroreve, është sikur të shkosh në pelegrinazh – është një veprim devotshmërie që përfundon në altar të Artit..”, kishte shkruar ai. E kuptoja mirë ndjesinë të cilën Hazlitt e kishte përshkruar, por mua nuk më ndodhte një gjë e tille në Muzeun Kombëtar të Kosovës.

Unë përballesha me koleksionin i cili kishte për qëllim të portretizonte historinë bashkëkohore të kombit tonë. Ai koleksion përmbante një numër uniformash të palosura të luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Për më shumë kishte dhe pushkë, mitralozë dhe gjësende tjera që ishin përdorur nga luftëtarët e rënë. Unë vetë e kam përjetuar luftën në Kosovë, gjatë asaj periudhe kam punuar në vijën e frontit, pikërisht në vendet ku luftonin uniformat që po i shikoja në katin e dytë. Me fjalë të tjera, jam shumë e vetëdijshme për atë që ka ndodhur gjatë historisë që e përshkruan luftën çlirimtare, por gjithashtu jam e vetëdijshme se historia bashkëkohore e Kosovës ka shumë më shumë për të na treguar. Përshtypja që krijohej në katin e dytë ishte se uniformat dhe armët ishin vendosur kryesisht për të mbushur hapësirën dhe për më shumë ishin të vendosura tërësisht jashtë kontekstit.

Kosova ka një histori të gjatë të rezistencës paqësore që kishte ndodhur përgjatë viteve të 80-ta. Kjo periudhë dhe kjo përvojë, është e pranuar dhe marrë shembull ndërkombëtarisht. Gjithashtu, në Kosove ishte një grup i grave qe udhëhiqnin lëvizjen e tyre paqësore përgjatë viteve të 90-ta, duke mbështetur gratë nga zonat rurale të Kosovës të cilat u përballnin me një hendek të madh sa i përket arsimit, kujdesit shëndetësor dhe mbështetjes së përgjithshme nga shteti, mbështetje që nuk ekzistonte në atë kohë. Kosova kishte disa gjenerata të të rinjve të cilëve nuk u lejohej qasja në arsimin e lartë, dhe më pas qindra mijëra refugjatë dhe popull të dislokuar në rajon. Këto ngjarje janë të dokumentuara në forma të ndryshme, përmes fotografisë, videove, skulpturave dhe pikturave.

Kjo përvojë unike që është pjesë e historisë së Kosovës mund të tregohet në mënyra më kreative dhe mbresëlënëse. Por pikërisht kjo pjesë e jashtëzakonshme e historisë sonë, që portretizon  rrugën e një kombi të tërë nga pika e parë e pafuqisë se si shndërrohet në fuqizim dhe shpresë për një të ardhme më të mirë, është portretizuar përmes shikimit të tytës së një arme, apo disa nga to.

Në shumë vende nëpër botë pas konfliktit krijohen muzetë si simbole të identitetit kombëtar dhe shtetndërtimi, prandaj muzeu shpesh bëhet vendi i përkujtimeve të së kaluares së dhunshme. Vlen të thuhet se ato lloje të muzeve nuk janë “muze kombëtare” posaçërisht jo në një vend si Kosova që sipas kushtetutës që gëzon, krenohet me faktin se është një shtet multietnik.

Përballë të gjitha mundësive, Muzeu Kombëtar i Kosovës ka një koleksion etnografik që mund të portretizojë aftësitë impresionuese të qëndisjes, veshjet nga kohërat e kaluara, elementet kulturore dhe tradicionale të një stili të jetës që është pjesë e trashëgimisë së kombit. Ku i referohet muzeu kësaj trashëgimie kulturore dhe praktikave tjera unike kulturore, si këngët, vallëzimi tradicional, arkitektura?

Natyrisht gjatë periudhës së konfliktit koleksione të tëra të trashëgimisë etnografike dhe thesare arkeologjike janë rrëmbyer nga Muzeu Kombëtar i Kosovës nga forcat policore serbe. Gjatë vizitës në muze, po kërkoja një shenjë brenda mureve të muzeut që do t’i referohej fatit  të këtyre thesareve. Nuk kishte asnjë. Muzeu do duhej t’ia dedikonte një hapësirë këtyre koleksioneve të humbura në mënyrë që çdo vizitor i rastit të informohet se historia bashkëkohore e Kosovës e kishte pësuar një lloj sulmi të tillë. Për më shumë, është shenjë se ato thesareve të rëndësishme për kulturën dhe historinë e Kosovës dikur ishin ne muze dhe muzeu e pret kthimin e tyre.

Mbledhja, ruajtja dhe ekspozimi i koleksioneve është pjesa qenësore e muzeut. Vetë origjina e muzeve, para së gjithash, ka të bëjë me një koleksion që është i hapur për studim, muzeu është një hapësirë e diturisë brenda së cilës shpirti i shoqërisë mund të ushqehet dhe rritet. Prandaj, kultura e muzeut të këtij vendi ka nevojë për një ringjallje të menjëhershme. Megjithatë, kati i dytë i Muzeut Kombëtar kështu si qëndron tani, ka ngulfatur identitetin kreativ dhe reflektues që muzeu kombëtar meriton.

(Mendimet e shprehura në seksionin e opinionit janë mendime vetëm të autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdo pikëpamjet e BIRN-it)

Nora Weller është këshilltare ligjore për politikë të jashtme dhe për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Ajo punon në Universitetin e Kembrixhit, Britani e Madhe. Mendimet e shprehura janë private.