Truprojat e presidentit sulmojnë lirinë e shprehjes
Kumbari i Qeverisë së sapolindur Hoti, që rastis të jetë edhe president i vendit, pak minuta pasi lobimi i tij te deputeti pishmanli Haxhi Shala u konkretizua, mbajti një konferencë triumfaliste në oborrin e Kuvendit të Kosovës, ndërsa truprojat e tij u ndërsyen ndaj një protestuesi që ligjshëm shprehi pakënaqësinë tij ndaj presidentit.
Teksa ishte duke zhvilluar monologun e tij para gazetarëve, dikush nga pak protestuesit e mbledhur që në mënyrë të qetë, ligjshëm, jashtë rrethojave të Kuvendit të Kosovës, po shprehnin pakënaqësinë e tyre ndaj votimit të Qeverisë Hoti, thirri “hajn, hajn”, ndërsa me të dëgjuar këto thirrje për shkëlqesinë e tyre, dy nga truprojat e tij identifikojnë se nga po vinte zëri, dhe ndërsehen duke kaluar rrethojat dhe duke ndaluar dhunshëm qytetarin e më pas në ndërsyerje vjen edhe truproja e tretë e Presidentit që godet njërin nga personat që po kërkonte të dinte se pse po arrestohej protestuesi.
Më pas, truprojat e presidentit, duke e tërhequr e dorëzojnë ‘prenë’ te Policia e Kosovës. E gjithë kjo rrëmujë filmohet fillimisht nga gazetari i portalit ‘Indeksonline’, e shoqërohet me habinë e protestuesve se si mund të arrestohet dikush që shfrytëzon ligjshëm të drejtën e tij themelore për të shprehur pakënaqësinë.
Ky veprim i të ndërsyerve të presidentit, përpos që shfaq dhe reflekton dhe sjelljen e kohëve të fundit të presidentit ndaj atyre që ai i quan ‘Grupi i Kurtit’, bie ndesh me ligjin dhe është i dënueshëm dhe potencialisht përmbush elementet e dy veprave penale: sulm dhe privim i kundërligjshëm nga liria, të përcaktuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.
Mbase edhe të panjohur me përcaktimin ligjor dhe të inkurajuar edhe nga gjuha e presidentit, truprojat e tij privojnë kundërligjshëm protestuesin i cili ligjshëm është duke ushtruar të drejtën e tij për protestë.
Në rastin më të keq për protestuesin, sjellja e tij do të mund të cilësohej si prishje e rendit a qetësisë publike apo edhe fyerje e shpifje siç përcaktohet me Ligjin Civil Kundër Shpifjes e Fyerjes por assesi qytetari nuk duhej arrestuar e kurrsesi dikush të sulmohej me grusht.
Edhe në këto raste, protestuesi mbase do të dilte fitimtar në një betejë ligjore para gjykatës duke ditur rëndësinë e lirisë së shprehjes dhe të drejtën e secilit për të protestuar, mirëpo kjo nuk është e rëndësishme për të parandaluar ndërsymjen e truprojave të presidentit ndaj protestuesit.
Për ta keqësuar apo edhe përmbushur tablonë, në mbrëmje gjatë një interviste në Televizionin T7, presidenti në vend se t’i binte pishman e të distancohej nga sjellja e kundërligjshme e truprojave të tij, ai nxit edhe më shumë sjelljet e tilla duke përdorur gjuhë kërcënuese.
“Ai është një aktivist i Kurtit. Dy duar për një kry janë, ai që pretendon me goditë unë jam që ta godas i pari”, është gjuha e presidentit të vendit, që për fat të keq, nuk është një shkarje momentale por përshkallëzim gradual dhe i vazhdueshëm i fjalorit të tij ndaj siç e quan ai “Grupit të Kurtit’.
Presidenti, përpos që kërcënon, thotë se më nuk do të tolerohet banditizmi duke veshur petkun e autoritetit suprem të sigurisë, teksa pretendon se protestuesi ka dashur ta sulmojë atë, përkundër që nga video shihet qartë se truprojat e tij i ndërsehen protestuesit.
Gjuha e tillë e përdorur nga presidenti thënë më së buti nxit në brutalitet policor, nxit në shtypjen e dhunshme të zërave ndryshe, paralajmëron protestuesit e tjerë “për tolerancën zero”, dhe më e keqja shpërfaq ndjenjën e pushtetit absolut që ndjen.
Institucionet e vendit, Prokuroria, Inspektorati Policor, urgjentisht duhet të ndërmarrin veprime ndjekëse ndaj truprojave të tij ndërsa të gjithë duhet ta dënojmë gjuhën e presidentit tonë që dita-ditës po përshkallëzon dhe e cila sot u manifestua me sjelljen e truprojave të tij që dhunshëm para organit më të lartë të vendit, shtypën dhe sulmuan fjalën e lirë.