Tri Elementet e Dështimit

Cila është gjendja reale në të cilën ndodhemi? Mjafton një analizë e thjeshtë për të kuptuar se në ç’gjendje jemi dhe në cilat vija po lëviz politika? Pas terrorit që ndodhi në familjen Haradinaj, me ç’rast vritet kryefamiljari Selver Haradinaj dhe plagosen fëmijët e tij, shihen lëvizje të shqiptarëve që ndodhen në pjesën veriore të Mitrovicës, të cilët me valixhe në dorë kalojnë lumin Ibër, për të kaluar kështu në pjesën jugore të qytetit.

Ky është njëri ndër qëllimet e qeverisë së Beogradit, i cili përmbushet me ndihmën e strukturave paralele në atë pjesë. Me këtë tentohet të bëhet spastrim i asaj pjese dhe krijimi i një gjendjeje të jashtëzakonshme, dhe rrjedhimisht plotësimi i njërës fazë, krijimi i kushteve parapolitike, si pasojë e cilave vjen deri te një kërkesë për fillimin e bisedimeve politike për veriun, në të cilat si palë në bisedime të mos jenë serbët e asaj pjese, po të jetë vetë Beogradi zyrtar.

Nëse shihet nga ky kënd, vërejmë qartë mbështetjen indirekte të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila me deklarata drejtuar institucioneve të Kosovës, ku kërkon vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme në veri, dhe i bën thirrje presidentit shqiptar, Bamir Topi, që të kërkojë nga OKB-ja dhe NATO-ja fillimin e dialogut për veriun, dëshmon edhe njëherë papjekurinë politike të kësaj lëvizjeje.

Arsyeja se pse këto kërkesa “çojnë ujë në mulli të huaj”, është se në rast se shpallet gjendje e jashtëzakonshme dhe mblidhet OKB-ja për të diskutuar për këtë pjesë, automatikisht krijohen kushtet për bisedime politike dhe detyrimisht futet edhe Beogradi si palë me rolin kyç në këto bisedime, dhe me fjalë të tjera pamundësohet implementimi i Pakos së Ahtisaarit.

Në anën tjetër kemi një qeveri e cila e ka të pamundur intervenimin me forcë, ngase një gjë e tillë nuk i lejohet nga KFOR-i dhe EULEX-i, ndërsa një bashkëveprim i koordinuar, shihet të jetë i pamundur, sepse një vullnet i tillë mungon nga KFOR-i e EULEX-i, të cilët edhe janë përgjegjësit kryesorë për sigurinë në atë pjesë. E kur kësaj i shtohet një popull i hipnotizuar, i cili ka ndryshuar që pas përfundimit të luftës më 1999 e këtej, atëherë mund të themi se zgjidhja e vetme mbetet mbështetja e deklaratës së kryetarit të Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, i cili bën thirrje qytetarëve për mbrojtjen e pragut të shtëpisë.

Roli i Qeverisë së Kosovës dhe i bashkësisë ndërkombëtare

Këtu shohim një qeveri, dhe një ministri të brendshme, e cila përpos deklaratave pompoze të herpasëhershme, nuk është e aftë të ndërmarrë diçka serioze pa “amin”-in e faktorit ndërkombëtar, dhe kjo i pamundësohet edhe atëherë kur i vriten qytetarët e saj. Një ministër “kirurg”, i cili nuk është mësuar të operojë pa anestezion, edhe në raste se intervenimi duhet bërë pa të. Është e ditur që një intervenim pa anestezion ka dhimbjet e veta, po në rast se është i detyrueshëm, duhet të ndodhë sepse pritjet e tepërta mund të shkaktojnë vdekjen e pacientit. Unë jam i vetëdijshëm që “kirurgu” e ka parasysh një gjë të tillë, po që duhet t’i jepet një përgjigje këtij populli, pse jo edhe përgjigje të tipit të z.Kastrati, dhe jo vetëm fjalë boshe të cilat tash e 12 vjet po i dëgjojnë. Në rast se ne jemi të gatshëm të bëjmë lëshime edhe me pranimin e fusnotës, duhet të ketë një mirëkuptim për ruajtjen e miqësisë, dhe mbështetjes së ndërsjellët. Ne gjithashtu jemi dëshmitare të ngjarjeve të mëhershme, deri tek këto të fundit. Ne pamë gjithashtu një deklaratë të menjëhershme të z.Robert Cooper, i cili pati dënuar gjuajtjen me gur të delegacionit serb në Prishtinë, teksa nuk pamë z.Cooper të ketë reaguar tani kur ndodhi vrasja e Selver Haradinajt. Pra kemi të bëjmë me një qeveri me pamundesi dhe jo seriozitet, dhe një bashkësi ndërkombëtare pa vullnet dhe njëanshmëri. Ministri Rexhepi nuk ka nevojë të japë dorëheqje, ai thjeshtë duhet të dërgojë njësitë speciale në pjesën veriore të qytetit, të marrë kontrollin mbi atë pjesë, dhe këtë ta bëjë pa dijeninë e askujt dhe në orët e hershme të mëngjesit.

Ky plan do të nënkuptonte edhe përshëndetjen e z.Rexhepit nga politika, si pasojë e mungesës së bashkëveprim me institucionet ndërkombëtare, po ç’rëndësi ka nëse do te jetë apo jo z.Rexhepi në politikë; e rëndësishme është shtrirja e rendit dhe ligjit mbi atë pjesë. Një qeveri pa sens, dhe me përbërjen që ka, realisht nuk duhet pritur më tepër, sidomos kur flitet për një problem siç është problemi i veriut të Mitrovicës.

Një qeveri magjistarësh, që në mënyrë perfekte arrin me e hipnotizu pjesën më të madhe të popullit, i cili nuk e sheh të arsyeshme me protestu edhe atëherë kur përqindja e varfërisë prek majat, edhe atëherë kur ka një sistem shëndetësor në gjendje të mjerueshme, edhe atëherë kur vendi i tyre renditet në vendet më të korruptuara në botë, e trishtimi ma i madh është kur këtij populli i humb sensi i solidarizimit, e edhe kur ia arrestojnë e ia vrajne bijtë e tij. Ai hesht!

Opozita jokonstruktive karshi interesit kolektiv

E keqja e kësaj pune është edhe roli i partive opozitare, të cilat të paktën në interesin e përbashkët të jenë të matur në deklaratat e tyre, sepse në rast se kemi të bëjmë me një sukses kolektiv, edhe meritat do të jenë kolektive, po në rast të një dështimi, edhe faji do të mbetet kolektiv. Unë nuk pretendoj një opozitë të pa fjalë, po një opozitë ku kritikat kishin me qenë në interes të përgjithshëm, e jo për konto partiake. Kemi një LDK dhe një AAK, të cilat nuk kanë guxim të japin as deklarata të fuqishme, po ato i bëjnë sa për të kry një obligim opozitar, i cili i përshtatet partisë në pushtet. Kjo si pasojë e frikës së një intervenimi të mundshëm nga “i madhi” Dell, apo ndonjë zyrtari tjetër amerikan, gjë që si rrjedhojë do t’ua vështirësonte ardhjen në pushtet. Derisa kemi një LDK dhe një AAK me vdekje klinike, shohim Lëvizjen Vetëvendosje e cila është më aktive sa i përket deklaratave mediatike, dhe protestave, po edhe këto thjesht deklaratë të thata dhe shpeshherë për interes partiak. Edhe kjo lëvizje dita-ditës po na i humb shpresat, se me aq sa shihet nuk ka diçka tjetër, përpos përpjekje për pushtet.

Vendi ka nevoje për thirrjen e ndërgjegjes kolektive, për hir te atyre djemve që kane ra për këtë trohë shtet, për hir të atyre që i lanë gjymtyrët për këtë vend të nemun, të quajtur KOSOVË.

(Autori është student i shkencave politike, Università di Perugia, Itali)