MEDIA-PRESS

Foto: Shqipron Halimi

Trendet e shkeljeve të Etikës në Kosovë nga mediat e shkruara - Mungesa e zbatimit të standardeve ndërkombëtare të gazetarisë

Detyra kryesore e një medie është informimi i publikut dhe këtë ajo e realizon duke raportuar mbi ngjarjet, apo duke hulumtuar mbi çështjet në interesin e publikut. Të gjitha lajmet apo ngjarjet që publikohen në media të shkruara duhet t’i përmbahen rregullave të parapërcaktuara nga vet mediat, por edhe standardet ndërkombëtare të gazetarisë.

Kodi i etikës për mediat e shkruara në Kosovë është një instrument vetërregullues, të cilin mediat e shkruara, përfshirë edhe portalet, duhet ta respektojnë gjatë ndërtimit të lajmit apo hulumtimit të tij.

Mbikëqyrjen për shkelje eventuale të Kodit e kryen trupa vetërregulluese nga kryeredaktorët dhe redaktorët e mediave anëtare të kësaj trupe. Me krijimin e këtyre standardeve vetërregulluese, mediat i ndihmojnë vetvetes duke fituar besimin e lexuesve të tyre por edhe në vlerësimin e publikut për to si media të pavarura dhe të përgjegjshme.

Njëkohësisht vetërregullimi mbron gazetarët në punën e tyre duke iu siguruar pavarësinë e të shkruarit e të menduarit, pasi që shkrimet e tyre do të vlerësohen dhe gjykohen nga trupa profesioniste, nga kolegët e tyre, e jo nga bartësit e pushtetit.

Edhe për lexuesin është shumë më e lehtë t’i drejtohet Këshillit të Mediave për thyerje të Kodit të Etikes nga media, se sa organeve të drejtësisë duke u përfshirë në procese të stërzgjatura e komplekse gjyqësore.

Zhvillimi i hovshëm i teknologjisë dhe së fundmi pandemia Covid-19, pothuajse e kanë nxjerrë nga tregu shtypin në letër të gazetave të përditshme. Tashmë në Kosovë dominojnë portale dhe media online, të cilat gjithashtu duhet të funksionojnë dhe t’u nënshtrohen rregullave të Kodit të Mediave të Shkruara.

Mundësia për gabime apo shkeljeve etike nga mediat online mbetet e pandryshuar, por procesi i rregullimit dhe përmirësimit të gabimeve tashmë është më i lehtë, gjithnjë duke lënë gjurmë për ndryshimin e shkrimit fillestar, ashtu siç e kërkojnë standardet ndërkombëtare.

Teknologjia informative ka mundësuar kopjimin e lajmeve apo informatave dhe më pas plasimin e tyre pa ofruar referenca të caktuara për burimin sekondar të informatës sipas kodit të mediave. Kjo ka shtyrë disa nga mediat që të kërkojnë mbrojtje përmes Kodit të mediave por edhe rrugëve ligjore.

Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës, ka pranuar dhjetëra ankesa për të drejtat e autorit, në shkrime apo hulumtime që janë realizuar nga media dhe që janë kopjuar nga mediat tjera ende pa kaluar një minimum kohor prej së paku 1 dite nga dita e publikimit. Kjo njëherit është edhe një standard ndërkombëtar të cilën mediat duhet ta respektojnë dhe se vetëm me marrëveshje në mes tyre mund të veprohet ndryshe.

Ankesa e vet medias në Këshill ka bërë që disa media të vetëdijesohen dhe të mos vazhdojnë praktikën e marrjes së shkrimeve apo hulumtimeve ekskluzive nga një medie tjetër.

Këshilli i Mediave ekziston edhe për qytetarët e bizneset që në çfarëdo forme mendojnë që shkrimi i medias ka cenuar të drejtat e tyre duke shkelur edhe Kodin e Mediave të Shkruara.

Raportimi i së vërtetës dhe e drejta për t’u përgjigjur janë dy kapitujt që më së shpeshti Këshilli i trajton nga ankesat e qytetarëve e bizneseve.

E vërteta është synimi i secilës media, madje e vërteta duhet të jetë misioni i secilës media. Mirëpo gjatë punës mund të ndodhin lëshime të cilat nuk është që e bëjnë median të pabesueshme, por që qytetarëve apo bizneseve, u ofrojnë mundësi që t’i drejtohen Këshillit të Mediave, për të konstatuar nëse lajmi apo shkrimi është në përputhje me Kodin e Mediave.

Vëllimi i punëve në mediat e shkruara dhe cytja për ta nxjerr lajmin para të tjerëve, shpesh shkakton përvjedhjen e gabimeve elementare në gazetari, siç është dështimi për të kontaktuar të gjitha palët e përfshira në shkrim apo lajmin e publikuar. Pra “privimi” nga e drejta për t’u përgjigjur i të gjitha palëve është një shkelje që prek gati secilën medie në Kosovë, dhe Këshilli përmes vendimeve pas ankesave mundohet të edukojë median në këtë drejtim.

Shpesh ndodh që në media të shkruara të lexosh për jetën private apo të publikohen fotografi të ndonjë qytetari të Kosovës, përderisa çështja për të cilën është shkruar apo fotografia e publikuar nuk i takojnë domenit të interesit publik. Këto raste paraqesin shkelje të privatësisë në momentin e publikimit të lajmit apo fotografisë.

Në anën tjetër ka raste të shumta kur mediat me apo pa vetëdije nuk mbrojnë fëmijët, nuk mbulojnë fotografinë e fëmijëve apo marrin intervista nga të miturit pa llogaritur pasojat që po u shkaktojnë fëmijëve në momentin e ekspozimit në media.

Mediat e shkruara duhet të kujdesen vazhdimisht për atë që shkruajnë apo raportojnë pasi që gjuha e përdorur nga vet media apo i intervistuari mund të përmbajë elemente të gjuhës të urrejtjes. Publikimi apo transmetimi i gjuhës së urrejtjes mund të nxit veprime të tjera nga palët e treta kundër palës të cilit i është drejtuar gjuha e urrejtjes. Prandaj mediat duhet të jenë të kujdesshme në atë që publikohet apo transmetohet në mënyrë që të mos jetë në kundërshtim me Kodin e Mediave.

Të gjitha këto që u thanë më lartë janë standarde të Kodit të Mediave në Kosovë, si një mekanizëm vetërregullues, në përputhje dhe në harmoni edhe me praktikat e mira ndërkombëtare.

Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut dhe Konventa Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut e kanë kthyer lirinë e shprehjes dhe të drejtën për të ditur në të drejtë të çdo personi në botë.

Standardet ndërkombëtar që mundësojnë vlerësimin se sa korrekte është rregullimi i medias dhe se a është në përputhje Kodi me lirinë e shprehjes bazohen në jurisprudencën që rrjedh nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

GjEDNj ka mekanizmat direkt për paraqitje të ankesave, por me kushtin që të jenë shtjerrë të gjitha mjetet juridike brenda vendit. Kosova ende nuk e ka një mundësi të tillë si pasojë e mos anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Sido që të jetë, jurisprudenca e GjEDNj-së që lidhet me lirinë e shprehjes dhe të drejtën për të ditur, janë obligim edhe për Kosovën, sidomos në rastet kur çështja ka të bëjë me median. Përfshirja e jurisprudencës ndërkombëtare në praktikën e gjykatave të rregullta do të ishte një ndihmë shtesë për gjithë komunitetin e mediave dhe avancim i të drejtës vendore në përgjithësi.

Gjykatat e rregullta vendore në tri shkallët mund të trajtojnë çështjen për të cilën është ankuar ndokush kundrejt medias. Pos kësaj, ekziston edhe mundësia e ankesës në gjykatë jo të rregullt, siç është Gjykata Kushtetuese, për shkeljet që gjykatat e rregullta mund t’i kenë bërë gjatë procesit të vendimmarrjes.

Këshilli si trup vetërregulluese në anën tjetër duhet të rris kriteret e vendosjes, duke marrë për bazë praktikat e jurisprudencës së GjEDNj-së, në rastet e mosrespektimit të kodit të mediave.

E ardhmja po na dërgon drejt ndryshimeve të shumta në jetën tonë. Për shkak të natyrës së punës së tyre, presioni mbi mediat për t’iu përshtatur këtyre ndryshimeve është më i lartë se mbi sektorët tjerë. Konform kësaj edhe avancimi i Kodit dhe i trupës vetërregulluese sipas standardeve ndërkombëtare duhet të jetë qëllim në vetvete i secilës media në Kosovë.