Foto: Jeta Dobranja/BIRN

T’i biesh në qafë një 17-vjeçari

Rasti i futbollistit Ilija Iviç, i cili bashkë me familjen e tij u bë subjekt i persekutimit pasi pranoi ai ftesën për t’iu bashkuar kombëtares së Kosovës për grupmoshat nën 19 vjeç, është shembulli i fundit i Serbisë që dikton mënyrën se si serbët e Kosovës mund dhe nuk mund të bashkëveprojnë me institucionet e Kosovës.

Me t’u bërë publik lajmi se Ilija Iviç, një djalë 17-vjeçar nga Graçanica, kishte pranuar një ftesë për t’iu bashkuar ekipit të komb[tares s[ Kosovës n[ futboll për grupmoshat nën 19 vjeç, mbulimi i këtij lajmi në Serbi ishte gjithçka, përveçse objektiv.

Tabloidi pro-qeveritar ‘Informer’ e përshkroi vendimin e Iviçit si “një bombë që është gati të shpërthejë” dhe, në një sondazh në internet, u ofroi lexuesve të saj tre opsione për t’u përgjigjur: “Turp i qoftë”, “Ai e tradhtoi Serbinë” ose “Zgjedhje më të keqe nuk do t’kishte mundur të bëjë.”

“Informer”-i nuk ishte i vetëm në këtë, pasi që gazetat në të gjithë Serbinë u përpoqën të vënë në pah nivelin e tradhtisë së Iviçit, ndërsa ish-lojtari i kombëtares serbe, Milan Jovanoviç e përshkroi atë si një “vijë të kuqe” që nuk duhet të kapërcehet.

Ky veprim u pasua me komente të bëra në mediat sociale, duke nxitur kritika ndaj një djali të ri i cili guxoi ta ndiqte mundësinë për ta shpënë më tutje ëndrrën e tij të karrierës përmes institucioneve të Kosovës.

Shumë shpejt, aparati politik i Serbisë iu përgjigj kësaj zhurme. Vetëm një ditë pasi u bë publik lajmi se Iviç do të luajë për ekipin e Kosovës, nëna e tij humbi punën në Qendrën e Edukimit Kulturor të Prishtinës me seli në Graçanicë.

“Përmes një bisede joformale në pyetjen time se pse humba punën, përgjigjja që mora ishte për shkak të ofertës (së djalit) për pjesëmarrje në ekipin kombëtar”, i tha ajo Zërit të Amerikës. “Ekzistenca ime kërcënohet në çdo hap, mirëpo unë nuk do të dorëzohem”.

Me fjalë të tjera, politika hyri edhe një herë në jetën e përditshme të serbëve të Kosovës dhe largoi ato për të cilat besohet se nuk janë “politikisht të përshtatshme “.

Ky incident është pjesë e një serie të gjatë episodesh ku përfshihen përfaqësues nga Serbia Qendrore të cilët i udhëzojnë serbët e Kosovës për mënyrën se si ata mund apo nuk mund të bashkëveprojnë me shtetin e Kosovës. Vështirë se Iviç është i veçantë në ndjekjen e karrierës së tij përmes institucioneve të Kosovës, megjithatë vendimi i tij i ka kushtuar atij dhe familjes së tij duke u bërë subjekt i persekutimit, përderisa të tjerët në një mënyrë konsiderohen si heronj.

Përfaqësuesit politikë serbë të Kosovës janë një shembull shumë i qartë.

Ata janë pjesë e Qeverisë, Parlamentit dhe autoriteteve lokale dhe marrin paga nga buxheti i shtetit të Kosovës. Ata punojnë sipas Kushtetutës së Kosovës, marrin pjesë në ngjarje ku intonohet himni i Kosovës dhe përdoret flamuri i Kosovës. Ata madje nënshkruajnë dokumente si përfaqësues të shtetit të Kosovës.

Ka me dhjetëra shembuj të tjerë, përfshirë Policinë e Kosovës, me një numër serbësh si pjesë e saj. Ne i shohim ata në baza ditore të veshur me uniformë që promovojnë flamurin e Kosovës, ndërsa shumë serbë që jetojnë në Kosovë posedojnë gjithashtu një dokument letërnjoftimi të Kosovës, pasi që kjo lehtëson kryerjen e detyrave bazike burokratike.

Nëse i përshkruajmë të gjitha grupet e lartpërmendura si “ata vetëm po e bëjnë punën e tyre”, pse ky argument nuk vlen edhe për Iviçin? Kjo listë e serbëve që marrin pjesë në institucionet e Kosovës është e pafund, mirëpo shumë pak prej tyre janë etiketuar si tradhtarë.

Askush nuk i drejton gishtin përfaqësuesve serbë në Qeverinë e Kosovës ose në parlament duke i akuzuar ata për tradhti, përkundrazi, ata përshkruhen si “mbrojtës të interesave serbe në Kosovë”.

Në fakt, sa herë që këta “mbrojtës të interesave serbe” nuk janë pajtuar me autoritetet në Prishtinë për çështje politike, përgjigjja e tyre e shpeshtë është përcjellë me kritika ndaj mungesës së vullnetit për integrimin e komunitetit serb në institucionet e Kosovës. Mirëpo integrimi nuk është vetëm politik, dhe përpjekjet e Ilija Iviçit për integrim tani ka rezultuar me  kritika të ashpra në drejtim të tij, pa marrë parasysh pasojat.

Një individ mund të imagjinojë presionin që do të ushtrohej mbi serbët që jetojnë në veriun e Kosovës nëse do të merrnin një vendim të ngjashëm. A do të ishte “bomba” e “Informer”-it ende metaforike? A do të ishte më i ashpër gjykimi nëse Iviçi nuk do të ishte nga Kosova qendrore?

Duke folur në një seancë stërvitore të klubit të tij, KF Flamurtari, Iviçi iu përgjigj kësaj potere duke thënë se futbolli është jeta e tij dhe se atij nuk i intereson asgjë tjetër. Është kjo një përgjigje e mahnitshme ndaj kritikave, shumica e të cilave vijnë nga njerëz pa ndonjë ide për jetën e serbëve të Kosovës.

Në një botë përplot me hipokrizi, gjykim dhe moral të rremë, le të shpresojmë që Ilija do të vazhdojë të luajë futbollin më të mirë që di – pavarësisht ku dhe nën cilat simbole.

(Nevena Radosavljevic është gazetare nga Leposaviqi. Ajo është duke e kryer studimet e doktoraturës në LMU të Munihut në Gjermani)