Thirrje për t’i thyer muret e burokracisë 

Këtë javë u bë më e qartë se për të marrë dokumente publike në Kosovë nevojiten këpucë me të cilat mundeni me vrapu dhe potencialisht ta lyeni trupin me vaj, në stilin e pehlivanëve, në mënyrë që atyre që u shkon në mend me ju kapë, me ju rrshitë diqysh nëpër gishta.

Ka kalu një kohë e gjatë në Kosovë gjatë së cilës ne qytetarët dhe gazetarët e kemi toleru burokracinë falso të Kosovës e cila, kur i kërkonim dokumente publike na thoshte: “Mundesh me ardhë me i pa dokumentet, por jo me i marrë me veti”.

Prej sot e tutje, po bëj thirrje ta refuzoni këtë praktikë madje edhe fizikisht nëse është nevoja, sepse e drejta është në anën tonë.

E vërtetë që ka plot të drejta në Kosovë që garantohen me ligj e praktika dëshmon ndryshe. Por, ne mund ta ndryshojmë atë praktikë duke e testu këtë sistem që deri tash ka qenë i skalitur në atë mënyrë që me ua rujtë shpinën bosave të politikës.

Në fakt, këto institucione, që shpesh mund të na duken nga lart si kështjella të fortifikuara që s’punojnë për ne por për veti, nuk janë edhe aq të pushtetshme sa donë ata me mendu që janë. Unë kisha pasë dëshirë me ju bindë që bosat e politikës nuk e kanë shpinën aq të të fortë sa flitet. Ata janë njëfarë “tigri prej letre” që i shpikin disa rregulla: “S’bon me i marrë ti këto letra, bon veç me i pa se janë shumë… sekret”. Këto i thonë sa me provu a pe han ti këtë fore si qytetar.

Mos u boni peshk që e hani këtë karrem!

E vetmja mënyrë me i realizu këto të drejta në demokracinë tonë të brishtë është që atë që është në letër ta kërkojmë me u zbatu me tërë qenien tonë fizike, prej mishi, gjaku e zani. Nëse këtë nuk e bëjmë, këto të drejta gjithmonë do të na kufizohen dhe tigrat prej letre do të na trajtojnë si peshq apo dele. Unë po kërkoj prej qytetarëve që aktivisht ta praktikojnë këtë të drejtë, dhe të raportojnë sa herë kjo u mohohet.

Përvoja jonë e dëshmon që ia vlen të rrezikohet për të nxjerrë diçka në dritë. Për me i fuqizu qytetarët e gazetarët tjerë me insistu në nevojën për transparencë në institucione, ne vendosëm dje me e transmetu përvojën tonë në Ministri të Infrastrukturës kur na u ndalu me realizu të drejtën e marrjes së dy dokumenteve të rëndësishme që i kishim kërku qe dy muaj.

Për me qit pak në kontekst, Kosova, pra Hashim Thaçi dhe dy zyrtarë të agjensive të pavarura të Kosovës, në përkrahje të ambasadorit Grenell, kanë nënkshruar letra në të cilat kanë shprehur interesin dhe gatishmërinë për bashkëpunim me Serbinë. Nga ana serbe, këto letra i ka nënshkruar ministri për “Kosovë dhe Metohi”. Ceremonia si fotografi është publikuar shumë, është mjelë për nevoja të lajmeve ditore, por këto marrëveshje ndërkombëtare (sepse kështu i kanë quajtë ata vetë), janë mbajtur nën dry.

Qe dy muaj, kemi kërku qasje në këto dokumente, në këto marrëveshje, kemi dashtë me e ditë për çka është fjala. Ma në fund, mbërriva me u taku me Ramë Qupevën, drejtor i Transportit Tokësor në MTI, i cili thojke: mundesh me i pa letrat, por s’ti jap me veti.

Unë disa herë ia sqarova që ligji e saktëson që nëse dokumentet nuk janë të “klasifikuara”, ato DUHET t’i jepen kërkuesit në formën qysh ai ose ajo e kërkon.

Fjalën e kam për atë Ministri të Infrastrukturës, gardianen e diturisë së lashtë në të cilën janë nënhkru kontrata qindra milionëshe me Behtel-Enkën nën qeverinë Thaçi dhe qeveritë tjera pas. Ajo Ministri së cilës qeveria e Haradinajt, si babadimër që ishte, ia nënshkroi mbi 53 milionë euro të paarsyetuara të pareve të taksapaguesve

Ramë Qupeva i ngrati u dridhke, “s’guxoj prej Presidencës me t’i dhanë”. S’dojke me m’i dhanë dokumentet. Provova me ia kallxu ligjin. Refuzonte me e lexu duke deklaru që ai “është inxhinier, jo jurist”, thuajse profesioni i tij i shenjtë ia mundëson atij dhe ministrisë një imunitet ligjor. E unë, t’i kapi dokumentet, ju përvodha Z. Qupevës (i cili megjithate ishte inxhinier, jo pehlivan) dhe ia futa vrap poshtë shkallëve duke i kalu tri kat dhe duke dalë nga ndërtesa. Mos të harrojmë, unë e kam fitu vendin e parë para 2 viteve në Gjysëm-maratonën e Prishtinës në kategorinë e veteranëve, por në këtë rast, edhepse shkathtësitë e sprinterit ishin në pyetje, nuk u ngadalësove derisa mrriva te fotokopjuesi i parë përballë Swiss Diamond. Zotëri Qupeva, që nuk ishte atlet por i zhdërvjelltë me telefon, i ngrati piskatke, e thirri policinë. Me rëndësi, na dokumentet i morëm. Me rëndësi, na dokumentet i publikuam.

Policia erdhi, nuk gjetën shkelje të ligjit, edhe qaty mbet. Kur folsha me këta të Presidencës, m’thojshin “është dashtë more moti me t’i dhanë ato dokumente”, e knej zyrtarët u dridhshin si thupër.

Me rëndësi, dokumentet u publikuan. Tash, e dijnë si merren dokumentet edhe ata që e rrejnë veten dhe tjerët që thonë që merren me gazetari, por në fakt merren me propagandë e me atentate mediale, sepse thojshin që m’i kanë dhanë dokumentet se jemi “pro-qeveritarë”. As proqeveritarë, as anti-qeveritarë, veç hallall, pa hile edhe me ftyrë!

Duke e ditë që në çdo institucion të Kosovës ka zyrtarë që janë përgjegjës për marrëdhënie me publikun, po ju kallxojmë qysh tash që pa marrë parasysh çka i keni urdhërat e bosave politikë, ju nuk lejoheni me ligj kurrë t’i thuani në qytetari të Kosovës “mundesh me ardhë me i pa dokumentet, po jo me i marrë”. Kur aprovohet qasja për dokumente publike ju keni të drejtë vetëm me ia dhanë atij qytetari, madje kishte qenë mirë na mos me pasë fare kontakt fizik me ju por ju me i çu krejt këto dokumente me e-maila.

Ne si organizatë vazhdimisht dërgojmë kërkesa për qasje në dokumente publike. Vetëm gjatë janarit i kemi dërgu 96 dhe gjatë shkurtit 103 kërkesa. Momentalisht i kemi të hapura e papërgjigje 11 kërkesa në qeveri të Kosovës (dhe ministri përkatëse), rreth 15 kërkesa pa përgjigje i kemi në komuna të Kosovës dhe 10 në Prokurori të ndryshme.

Nëse pahiri ju thonë që këto janë të dhëna private, të gjithë zyrtarëve mundeni me ua përkujtu që BIRN e ka fitu padinë e ngritur ndaj qeverisë së Kosovës në 2013 kur ka bërë kërkesë për qasje në faktura të shpenzimeve publike të Kryeministrit (Hashim Thaçit në atë kohë) i cili arsyetimin fillestar dhe atë që e ka argumentu në gjykatë ishte se nuk mund t’i bëjnë faturat e shpenzimeve me pare të shtetit për shkak se do të zbulohen të dhëna private nga dieta e kryeministrit. Gjykata s’e ka pranu këtë argument dhe pas 5 viteve që rasti është zvarritë nëpër nivele të ndryshme të gjykatave, i morëm të gjitha faturat. Pra edhe ju, thirruni në këtë precedent kur kërkoni qasje në fonde publike.

Po kërkoj prej krejt gazetarëve e qytetarëve mos me hezitu me iu drejtu institucioneve me këto kërkesa edhe po ju lus mos me çu intervenca. Instinkti i shumë prej nesh mund të jetë që, kur kemi nevojë për një dokument të telefonojmë ndonjë të njofshëm për të shpejtuar një punë për të cilën zakonisht, pa të njofshëm, duhet të presim me javë e muaj për t’u kry. Pritje krejt artificiale e pa nevojë kuptohet, por vetëm pse zyrtarët s’janë mësu me qenë në shërbim të popullit.

Po kërkoj që ne t’i mësojmë krejt zyrtarët që janë në rrogë të taksapaguesit, që s’ka nevojë me marrë urdhra prej njerëzve të pushtetshëm për me e kry një punë për të cilën paguhen.

Po kërkoj prej gazetarëve me ua përkujtu zyrtarëve që bosi i tyre politik nuk është më i fuqishëm se ligji.

Po kërkoj prej qytetarëve me ju shku zyrtarëve të Republikës së Kosovës me letër, ligj, e nen specifik të Republikës së Kosovës të cilin ata duhet ta zbatojnë.

Dhe pas kësaj, po kërkoj edhe prej qytetarëve e gazetarëve me e mbajtë mend secilin detaj nga ajo përvojë dhe ta shkruani menjëherë përvojën që e keni pasë në rast që nuk ju është mundësu realizimi i një të drejte dhe pastaj ngriteni zërin duke i identifikuar zyrtarët që ju thonë “mundesh me kqyr, por jo me marr me veti dokumentin”.

Nëse nuk ua merr mendja me e marrë dokumentin edhe me ja therrë, lajmërohuni në KALLXO.com.

Kosova ka ligj për qasje në dokumente zyrtare e publike i cili ekziston po aq gjatë sa ekziston shtetësia e Kosovës. Versioni i fundit i atij ligji, botuar në korrik 2019, në gazetën zyrtare të Republikës së Kosovës thotë në mënyrë eksplicite te neni 14 “Format e qasjes në dokumente publike”:
1. Kur institucioni publik lejon qasjen në dokumente publike, kërkuesi ka të drejtë të zgjedhë formën për qasje në dokumentet të tilla.
2. Në rastet kur kërkesa për qasje përmban një formë të parapëlqyer për qasje, atëherë institucioni publik ka për detyrim të veprojë në përputhje me atë parapëlqim.
3. Një kërkesë mund të përmbajë format e parapëlqyera për qasje në dokumente dhe institucione publike si në vijim:
3.1. një kopje e saktë në formë të shtypur ose tjetër të dokumenteve publike të kërkuara;