
“The Guardian” për rezultatin e Zgjedhjeve në Kosovë: Shteg për riafrim me BE-në
Shtatëmbëdhjetë vjet pasi Kosova e shpalli pavarësinë prej Serbisë, e ardhmja e saj mbetet e hijezuar dhe e komprometuar prej marrëdhënieve me Beogradin. Më shumë se një dekadë bisedimesh normalizimi deri tani nuk kanë çuar askund, penguar kryesisht prej refuzimit të Serbisë që t’ia njohë ish-territorit të saj të drejtën e atributeve të shtetësisë. Në katër Komunat me shumicë serbe të Kosovës, ngërçi herë pas herë është kthyer në vdekjeprurës, teksa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka provuar të shtrijë e fuqizojë sovranitetin, duke hasur në rezistimin e rebelëve të mbështetur nga Beogradi.
Ka arsye paraprake që të shpresohet se rezultati i Zgjedhjeve të së dielës në Kosovë, ku partia në pushtet e Kurtit doli e para, por humbi shumicën, mund të trazojnë rrugën për të dalë nga ky qorrsokak. Lëvizjet e kuptueshme, por nganjëherë dorëforta të Kurtit që të demonstrohet kontrolli i Prishtinës mbi veriun, si vendosja e Kryetarëve shqiptarë etnikë pas bojkotimit masiv të Zgjedhjeve nga serbët etnikë janë kritikuar fuqishëm nga Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara. Në prag të Zgjedhjeve, Richard Grenell, emisari i ri special amerikan i porsaemëruar për Misione Speciale, ka thënë se marrëdhëniet ndërmjet Uashingtonit dhe Prishtinës “kurrë nuk kanë qenë më të ulëta”.
Njëherësh, BE-ja ka vënë sanksione që deri tani, njërit prej vendeve më të varfra dhe më të vogla në Europë, i kanë kushtuar me 150 milionë euro. Prospekti i një koalicioni të ri qeveritar në Prishtinë lë hapur mundësinë e një qasje më pragmatike dhe më pak refuzuese. Dy partitë kryesore opozitare në fushatë folën për nevojën për përmirësimin e marrëdhënieve me partnerët perëndimorë dhe ankthi lidhur me izolimin e Kosovës në një moment të rrezikshëm gjeopolitik ishte njëra prej temave kryesore të fushatës zgjedhore. Nëse Administrata e re e Kurtit mund të lëvizë përtej retorikës së saj nganjëherë të ashpër nacionaliste dhe të rikthejë në krah Brukselin dhe Uashingtonin, kjo do të jetë në interes të madh të Kosovës.
Synimi duhet të jetë zbatimi i vonuar i Marrëveshjes së normalizimit të arritur më 2023, që teorikisht e obligon presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, të njohë shtetësinë e Kosovës në këmbim të kompetencave gjysmë-autonome për serbët etnikë në veri. Por, për ta jetësuar këtë, Vuçiqit, i cili përherë u ka fryrë flakëve të zjarrit të tensionit etnik, i duhet të heqë dorë prej lojës së tij nacionaliste dhe më në fund të nënshkruajë Marrëveshjen.
Brukseli duhet të reagojë me zell dhe bujari ndaj çfarëdo hapash pajtues të Prishtinës. Duhen dy persona për të krijuar një ngërç, por derisa njëri prej vendeve më të vogla dhe më të cenueshme në Europë është ndëshkuar me sanksione, jo edhe fqinji i tij i madh, ngacmues dhe armiqësor për shkaqe të realpolitikës rajonale. Duke pasur parasysh precedentin e qartë dhe ogurzi të Ukrainës, frikërat e Kurtit për agjendën aktuale të Beogradit në veri të Kosovës janë plotësisht të kuptueshme. Ato do të ndërlikohen prej kujtimit të mbështetjes së mëhershme nga Donald Trumpi për një plan që në një fazë përfshinte ndarjen e Kosovës.
BE-ja ka ish-kryeministren estoneze, Kaja Kallas, shefe të re e Politikës së Jashtme dhe diplomatin danez, Peter Sorensen, specialist rajoni, emisar i ri special për normalizimin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Emisarja e re speciale britanike për rajonin, Karen Pierce shërbeu për pesë vjet si ambasadore në Shtetet e Bashkuara. Kjo krijon një mundësi për fillim të ri në kontekstet më sfiduese. Qeveria e ardhshme e Kosovës duhet të jetë më pragmatike dhe më pak e prirë prej qasjes së brendit të nacionalizmit të Kurtit: “jeni me ne, ose kundër nesh”. Por, perëndimi duhet të bëjë më shumë, sesa vetëm të merret me të në gjysmë të rrugës.
Editorial i “The Guardian“/ Nga anglishtja Rexhep Maloku – Kallxo.com