Tërmeti elektoral mbi partitë politike pas zgjedhjeve të 6 tetorit

Zgjedhjet e 6 tetorit ofrojnë pesë porosi kryesore lidhur me dallimin mes zgjedhjeve komunale dhe atyre parlamentare, ndërrimit të gjeneratave politike, ndëshkimit të keqqeverisjes, sukseseve dhe dështimeve të bashkëpunimit politik si dhe cementimit te rolit të Listës Serbe.

 

Dita e zgjedhjeve  te 6 tetorit kaloi pa ndonjë incident të madh përkundër garës së ngushtë mes partive kryesore. Rezultatet preliminare tregojnë që votuesit dënuan partitë e deridjeshme në pushtet, ndërsa vlerësuan partitë opozitare. Lëvizja Vetëvendosje fitoi në garën e drejtpërdrejt me partitë tjera, ndonëse dallimi mes saj dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës është më pak se 1%.

Partia Demokratike e Kosovës, PDK, shënoi rezultatin më të dobët zgjedhor që nga themelimi i saj, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës përkundër koalicionit me Partinë Social Demokrate, PSD, shënoi rritje të vogël krahasuar me rezultatin e zgjedhjeve të kaluara. Po ashtu, NISMA Socialdemokratike megjithë koalicionin parazgjedhor me Aleancën Kosova e Re, AKR, duket se nuk do të arrijë të kalojë pragun zgjedhor prej 5% që do të thotë se nuk do të ketë përfaqësim në përberjën e re të Kuvendit të Kosovës.

Më 6 tetor u realizua ndryshimi politik që u synua që nga zgjedhjet e vitit 2014 kur votuesit mbështetën më shumë partitë e atëhershme opozitare se sa ato në pushtet, të cilat përmes aktgjykimit te Gjykatës Kushtetuese arritën ta zgjasin qëndrimin e tyre në pushtet edhe për 5 vite.

Dalja në zgjedhje e votuesve ishte më e larta që nga viti i largët 2001 kur mbi 800 mijë votues për herë të parë votuan për përbërjen e Kuvendit te Kosovës. Më 6 tetor dalja ishte mbi 850 mijë votues, pa llogaritur këtu votat nga diaspora te cilat pas verifikimit do të numërohen në javët në vijim. Ngjashëm sikur në zgjedhjet e kaluara, një numër i konsiderueshëm i fletëvotimeve ishin te pavlefshme – mbi 40 mijë fletëvotime apo afërsisht 4.5%. Përtej votës së protestës, duket se KQZ dhe partitë politike nuk kanë arritur të përçojnë te një shtresë e votuesve informacionin e duhur lidhur me atë se si duhet të shprehin vullnetin e tyre përmes fletëvotimit.

Dallimi mes zgjedhjeve komunale dhe atyre parlamentare

Brenda 30 muajve te fundit në Kosovë u realizuan tri palë zgjedhje – dy parlamentare dhe një palë zgjedhje për kryetar të komunave dhe kuvendet komunale. Rezultatet e këtyre zgjedhjeve vërtetuan edhe njëherë dallimin mes tyre pasi parti të caktuara zakonisht performojnë më mirë në zgjedhje parlamentare se sa ato komunale. Kështu, Lëvizja Vetëvendosje arriti që në dy palë zgjedhjet parlamentare të dalë partia politike më e votuar me mbështetjen e mbi 200 mijë votuesve, ndërsa në zgjedhjet komunale nuk arriti më shumë se 115 mije vota.

LDK arriti të pozicionohet si partia më e votuar në zgjedhjet komunale që u mbajtën mes dy palë zgjedhjeve parlamentare. LDK pretendonte tërë kohën që është partia më e madhe në vend përkundër faktit se në të dy zgjedhjet parlamentare ishte partia e dytë politike më e votuar. AAK duket se ka arritur të mirëmbajë rritjen zgjedhore të arritur në zgjedhjet e fundit komunale përkundër përvojës në të kaluarën kur në zgjedhje parlamentare performonte zakonisht më keq.

PDK, në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017, arriti ta fshehë rënien në mbështetjen elektorale duke garuar në koalicion me AAK dhe NISMA-n. Megjithatë, në zgjedhjet e 6 e tetorit u ekspozua rënia e theksuar elektorale kur për herë të parë mbështetja elektorale e saj është nën 200 mijë vota.

Ndërrim gjeneratash politike

Zgjedhjet e 6 tetorit paraqesin fillimin e zëvendësimit të gjeneratave politike në udhëheqje të Kosovës. Figurat politike që dominuan skenën publike nga vitet e 1990-ta deri më sot, do të zëvendësohen nga gjenerata e re e politikanëve nga Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK.

Sot, Vetëvendosje dhe LDK më tepër i ngjasojnë lëvizjeve të gjera politike ku ka hapësirë për individë me vlera dhe qëndrime të ndryshme. Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, përveç që paraqesin ndryshim gjeneracional, paraqesin edhe ndryshim përmbajtësor në politikë për shkak të qasjes së tyre ndaj prioriteteve politike dhe mënyrës se si e shohin qeverisjen më tepër si shërbim ndaj qytetarëve se sa përfitim nga ajo.

Ndryshimi thelbësor i skenës politike do të konfirmohet jo vetëm me renditjen e re të forcave politike, por edhe se kush do të bëhet deputet. Ky ndryshim cilësor në Kuvendin e Kosovës domosdoshmërisht do të përcillet me një standard të ri të llogaridhënies dhe mirëqeverisjes.

Ndëshkim i keqqeverisjes

Performanca zgjedhore e partive politike me 6 tetor ishte reflektim i pozicionit të tyre në qeverisjen e fundit PANA. Kështu, PDK, Nisma Socialdemokratike dhe AKR u penalizuan për shkak të keqqeverisjes. Ndërsa, AAK arriti që t’i shfrytëzojë qëndrimet populiste që të shënojë ngritje të mbështetjes elektorale, ndonëse e kufizuar vetëm në regjionin e Dukagjinit.

Megjithatë, AAK është larg rezultatit të synuar dhe duket se nuk ka mjaftuar retorika populiste dhe nacionaliste për t’i fituar zgjedhjet pasi që trashëgimia e keqqeverisjes ishte më përcaktuese për votuesit se sa kauzat e momentit.

Partia Social Demokrate e Kosovës duke qenë nominalisht parti opozitare, gjatë mandatit të kaluar të Kuvendit të Kosovës, por që e mbështeste qeverinë PANA në momentet kyçe, u ndëshkua për mungese të konsistencës politike dhe bashkëpunimin politik me AAK – diçka që nuk ishte në përputhje me pritjet e votuesve të saj potencialë.

Bashkëpunimet parimore dhe joparimore politike

Gjatë këtij cikli zgjedhor, partitë politike nuk ishin të disponuara për koalicione të mëdha parazgjedhore. Megjithatë, disa prej tyre synuan të maksimalizojnë numrin e votës duke bërë bashkëpunim me parti të vogla që kanë vota të koncentruara në komuna specifike. Kështu, Lëvizja Vetëvendosje arriti të përfshijë në listën e saj zgjedhore kandidatë nga Alternativa e Mimoza Kusarit.

Ky bashkëpunim u kurorëzua me rezultat të mirë zgjedhor në Gjakovë për shkak të përputhjes mes votuesve dhe qëndrimeve të LVV dhe Alternativës. Ngjashëm, Lidhja Demokratike e Kosovës përmes bashkëpunimit me Partinë Shqiptare Demokristiane të Kosovës arriti të përmirësojë rezultatin e saj zgjedhor në Gjakovë, përkundër që doli partia e tretë. Në anën tjetër, Partia Demokratike e Kosovës përmes bashkëpunimit politik me Lëvizjen për Bashkim synoi ta ngrisë rezultatin e saj në Prishtinë, Obiliq dhe Rahovec.

Megjithatë, të dhënat preliminare te rezultatit zgjedhor nga këto komuna nuk ofrojnë dëshmi që PDK ka arritur ta shtojë numrin e votuesve. Koalicionet parazgjedhore të AAK-së me PSD-në dhe ai i Nismës Socialdemokrate me AKR dhe PD nuk arritën që të mobilizojnë apo shtojnë numrin e votuesve për këto parti. Përkundrazi, duket se për shkak të mospërputhjes vlerore të votuesve të këtyre partive, këto koalicione u shndërruan në frenuese të rritjes elektorale të partive që ishin pjesë e tyre.

Lista Serbe forcon dominimin në komunat me shumicë serbe

Ndonëse i gjithë fokusi ishte te gara mes partive shqiptare, në komunat me shumicë serbe gara zgjedhore ishte tërësisht e dominuar nga Lista Serbe. Për më tepër, Lista Serbe arriti që ta shtojë numrin e votave për 30% krahasuar me zgjedhjet e fundit parlamentare. Arsye e dominimit të tillë ishte edhe mungesa e hapësirës politike për garë të barabartë mes partive të komunitetit serb. Lista Serbe arriti të vëjë në shërbim të gjitha institucionet e financuara nga Serbia në funksionin të shtimit të numrit te votuesve.

Partitë e tjera të komunitetit serb u izoluan, kërcënuan dhe nuk u lejuan të shpalosin qëndrimet e tyre e të garojnë lirshëm. Ky fakt paraqet dështim të përsëritur, në rend të parë, të institucioneve të Kosovës të cilat nuk arritën të krijojnë ambient për garë demokratike mes partive serbe. Përkundër vërejtjeve nga monitoruesit ndërkombëtar, kjo situatë duket se do të vazhdojë përderisa institucionet e Kosovës nuk ndërmarrin veprime për të mundësuar funksionim pluralist të komunitetit serb.

Në fund, rezultati preliminar i zgjedhjeve të 6 tetorit tregon që vetëm Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK janë parti me mbështetje të gjerë dhe shtrirje territoriale në tërë Kosovën. Ndërsa, AAK u konfirmua që është parti regjionale dhe pa potencial për zgjerim të shtrirjes së mbështetjes elektorale përtej një regjionit të Dukagjinit. PDK po vazhdon tkurrjen e mbështetjes elektorale dhe tani dominon në vetëm disa komuna.

Krijimi i qeverisë së re nga Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK do të shënonte transferin e parë të plotë të pushtetit pas zgjedhjeve nga partitë në pushtet tek ato opozitare që nga themelimi i Kuvendit si institucioni më i lartë përfaqësues në vitin 2001. Kjo në vete paraqet arritje për sa i përket konsolidimit të demokracisë në vend dhe çkapjes së shtetit nga ndikimi i partive politike.

 

Blerim Vela, është doktorant në Universitetin e Sussex-it, Britani e Madhe.