Ilustrimi: Pixabay

Tejngopja informative – kur bëhet i tepërt informimi?

Nëse ndaleni dhe mendoni, a mund ta dini përafërsisht sa kohë keni kaluar duke lexuar rreth pandemisë së COVID-19 prej 13 marsit e këtej? Sa herë keni filluar të lexoni për gjendjen në Kosovë, në Itali dhe keni përfunduar duke lexuar mbi analizat e shkencëtarëve ndërkombëtarë se kur do të marrë fund kjo gjendje? Po për inxhinerimin e virusit në laboratorët e Kinës dhe SHBA-së?

Gjatë ushtrimeve të para që i mbajta online me studentët e vitit të tretë të Departamentit të Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, diskutuam për raportimin e medieve në Kosovë për pandeminë COVID-19 duke e theksuar tejngopjen informative. Si e shihnin ata informimin e tepërt rreth kësaj gjendje nga mediet? Sigurisht, ta diskutosh këtë gjë me studentët e fushës së gazetarisë mund të duket paksa idiote në shikim të parë. Të gjithë e kuptojnë që mediet duhet të informojnë mbi gjendjen aktuale sepse qytetarët duhet të jenë të informuar mbi atë çka ndodhë që të mund të marrin vendime të duhura mbi veprimet dhe sjelljen e tyre kundrejt situatës së krijuar. Megjithatë, disa prej studentëve u vunë në vendin e lexuesve të përmbajtjeve mediale dhe thanë se mbase ekspozimi i vazhdueshëm ndaj informacioneve për pandeminë, po ngjallte panik dhe frikë tek qytetarët.

Gjatë këtyre ditëve, kolegët profesorë të Departamentit të Gazetarisë kanë dhënë ndihmën e tyre në trajtimin e fenomenit të ‘infodemisë’, e cila nënkupton fenomenin e përmbajtjeve dezinformuese që kanë pasuar gjendjen e krijuar. Por, përveçse është më se e nevojshme të kujdesemi nga dezinformimi, është po aq e nevojshme të kujdesemi nga tejngopja informative. Në fakt, vetë fjala ‘infodemik’ në kuptimin e saj të parë definohet si ‘një sasi e madhe informacioni në lidhje me një problem çka e bën zgjidhjen e tij edhe më të vështirë’. Termi ‘tejngopje informative’ u përdor së pari në vitin 1970 nga Alvin Toffler në librin e tij Future Shock dhe me zhvillimet e ofruesve të informacionit sot, është më aktual se ndonjëherë më parë.

Truri i njeriut mund të procesojë gjatë një kohe vetëm një masë të caktuar të informacioneve. Kur e kalojmë këtë limit, na paraqiten simptomat e tej-ngopjes informative, që ndryshe njihet në neuroshkencë si tejngopje kognitive. Ndihemi të irrituar, nuk mund të mendojmë qartazi dhe ndihemi se nuk kemi asnjë kontroll mbi atë çka po ndodh. Por, ta dimë ku jemi, mungesa e kontrollit është e tmerrshme. Krejt kjo çon në një lloj paralize të të analizuarit dhe të vepruarit. Ky proces konsumon energji dhe kur truri ynë është i lodhur nga mbidoza e informacioneve, nuk na mbetet energjia e nevojshme për të analizuar, marrë vendime apo vepruar. Ndërkaq, kjo mund të shkaktojë edhe ankth informacioni. Richard Saul Wurman, themeluesi i TED Conference, ankthin informativ e përshkruan si pasojë e hendekut gjithnjë e më të gjerë midis asaj që ne kuptojmë dhe asaj që ne mendojmë se duhet ta kuptojmë. Sipas tij, kjo dukuri është vrima e zezë midis të dhënave dhe njohurive, dhe ndodh kur informacioni nuk na tregon atë që duam ose duhet të dimë. Kur nuk e marrim informacionin që na duhet, zhytemi edhe më tej në kërkim të tij.

Veç një ditë pas rasteve të para pozitive të identifikuara në Kosovë, u identifikuan edhe disa raste pozitive në komunën e Malishevës, prej nga vij, dhe rrjedhimisht kjo komunë hyri në izolim të plotë. Duke qenë se familja ime mbeti atje, filloi edhe maratona ime në Prishtinë me konsumimin e vazhdueshëm – gjatë 24 orëve – të të gjitha informacioneve që lidheshin me pandeminë COVID-19. Kjo ndikoi në rritjen e pakontrolluar të stresit, ankthit dhe rënie drastike në produktivitetin tim në punë. Sot, kur kjo komunë përmban më së shumti raste në Kosovë, e kam të qartë që duhet të gjejë mënyra për ta kontrolluar stresin dhe ankthin tim. Kjo mund të ngjajë si një histori personale e panevojshme, por jam e sigurt që të njëjtin problem mund ta kenë pasur dhe vazhdojnë ta kenë edhe shumë të tjerë që janë në po të njëjtën gjendje. Si unë, edhe të tjerët, kanë nevojë ta reduktojnë pasigurinë e tyre rreth gjendjes ku gjendemi. Çdo ditë përcillemi nga ankthi i mungesës së informacioneve të duhura. Kemi nevojë ta dimë se kur do të përfundojë kjo situatë, a do të jenë të afërmit tanë mirë dhe sigurisht, a do të jemi në vetë mirë. Krejt këto pyetje na zhysin në dhjetëra informacione që i konsumojmë gjatë ditës.

Studiuesit e tejngopjes informative, apo siç e quajnë ata ‘TMI – Too much information’, David Bawden dhe Dr. Lyn Robinson, thonë se si pasojë e kësaj gjendjeje, njerëzit kërkojnë mënyra të thjeshta, por që shpesh nuk ndihmojnë, për ta zgjedhur informacionin në të cilin duhet të fokusohemi; bile shkojnë deri tek shmangia e plotë e informacionit. Sipas tyre, ne e dimë se duhet të përdorim burime të besueshme – shërbimet shëndetësore, qeveria, burime akademike siç është tabela për të dhënat globale rreth COVID-19 nga universiteti Johns Hopkins – por shpesh është më e lehtë të mbështetesh në flluskat tona të mediave sociale. Për më keq, sipas tyre, kur ballafaqohemi me një rrjedhë të tillë informacioni, ekziston një tendencë për të zgjedhur nga ato më të çuditshmet dhe sensacionalet; duke lexuar se virusi ishte inxhinierizuar gjenetikisht nga ‘Illuminati” si një mjet për sundimin në botë, por që mund të mposhtet duke pirë ujë të nxehtë – është disi më tërheqëse sesa të shohësh mesazhe sensibilizuese për të qëndruar brenda dhe larjen e duarve. Pra, tejngopja informative jo vetëm se na shkakton ankth dhe stres të pakontrolluar, ajo na i dëmton edhe aftësitë tona kritike për të ndërvepruar me informacionin e marrë.

Duke qenë e përfshirë direkt në fushën e studimit të medieve, përmbajtja që më paraqitet në rrjetet sociale në baza orëshe është krejtësisht e lidhur me ato mediale dhe shkencore rreth pandemisë COVID-19. (Fokusin e mbaj tek hapësira online pasi televizorin ka vite që nuk e ndezi.) Përveç kësaj, i gjithë rrethi virtual flet për të njëjtën gjë. (Sigurisht, nëse jo për politikë, çka është temë krejt tjetër.) Po ashtu, falë algoritmeve të rrjeteve sociale, çka klikon më shumë, të shfaqet më shpesh, andaj kjo krejt duket si një rrugë pa krye.

Çka duhet të bëjmë kur kemi nevojë për përditësim të vazhdueshëm të informacioneve, por konsumimi i vazhdueshëm i tyre influencon cilësinë e mirëqenies sonë? Duhet ta kemi parasysh se shumica e informacioneve që i lexojmë nuk është se thonë diçka të re, pandemia COVID-19 nuk do të përfundojë në ata minuta në të cilët ne s’jemi duke lexuar. Sa për të qenë realistë, do të kalojnë javë ose muaj para se e gjithë kjo të përfundojë. Sado e vështirë që mund të duket, një dietë informative do të na ndihmonte. Në fund, po i ofroj disa këshilla të shkurta në këtë drejtim:

  • Kufizo ekspozimin ndaj informacioneve rreth pandemisë COVID-19 në një pjesë të ditës – Personalisht, kam provuar ta minimizoj ekspozimin në rrjetet sociale dhe shfletimin e mediave duke konsumuar informacione vetëm dy – tri herë në ditë.
  • Zgjidh burime kredibile të informacionit, por kufizoji edhe ato – Ndonëse ndjek dhjetëra burime si dhe medie në rrjetet sociale, në telefon kam vetëm aplikacionin e Telegrafit, Koha.net, Kallxo.com, The Guardian dhe BBC. Njoftimet që m’i dërgojnë kur diçka e rëndësishme ndodh, më mjaftojnë të rri e informuar për zhvillimet në Kosovë dhe botë duke i verifikuar nga më shumë se një burim, po ashtu nuk i ekspozohem informacioneve sensacionale. Në këtë kohë, është shumë e rëndësishme të keni besim tek mediet kredibile
  • Bëhuni të vëmendshëm ndaj nevojës suaj për konfirmim – Pasiguria aktuale tek secili na shtyn të kemi nevojë t’i japim kuptim krejt kësaj gjendjeje. Kjo mund të na shtyjë drejt minimizimit të aftësive tona kritike dhe disa informacione që bazohen në teori konspirative mund t’ia japin kuptimin e munguar kësaj gjendjeje. Por, situatat që vijnë nga shkaqe të natyrshme janë më të komplikuara se sa kur ato i shpikin vetë njerëzit.
  • Fokusohuni në gjërat që mund t’i kontrolloni – Mungesa e kontrollit tonë mbi këtë gjendje është e frikshme, por ne mund të fokusohemi në përgjegjësinë tonë individuale ndaj kësaj gjendjeje. Informacionet që i marrim vazhdimisht i tejkalojnë kufijtë tonë të mundësisë, por ne mund ta kontrollojmë sjelljen tonë. Po ashtu, mund t’u ndihmojmë edhe miqve dhe familjarëve tanë në ekspozimin e tyre ndaj informacioneve duke u sugjeruar edhe atyre një informim cilësor.
  • Informacioni jo detyrimisht është dije – Zhytja e vazhdueshme në detin e madh të informacionit nuk na siguron se po e zgjerojmë diapazonin e dijes rreth një çështjeje apo në këtë rast rreth pandemisë COVID-19. Informacioni nuk është gjë tjetër veçse forma e rafinuar e të dhënave, e cila është e dobishme për ndërtimin e një kuptimi. Por, disa informacione janë thjesht të padobishme dhe nuk i ndihmojnë njohurisë sonë.

Gentiana Paçarizi është konsulente e edukimit mbi median dhe informacionin (EMI) dhe Asistente në degën e Gazetarisë, UP