Teatri që mposhti vdekjen

In memoriam: Bekim Lumi 17.12.1966 – 30.7.2018

Ditë më parë, vdiq në Prishtinë, në një moshë relativisht të re, intelektuali, profesori e regjisori i njohur kosovar, Bekim Lumi. Vdiq pas një beteje të gjatë me sëmundjen e kancerit. Për krejt këto vite të pasluftës, Lumi (siç e kemi quajtur me përkëdheli ne miqtë e tij) ka qenë zëri më origjinal, më unik, më inteligjent dhe më i rafinuar i skenës teatrore te ne, dhe jo vetëm. Ai është regjisor i shfaqjeve të mrekullueshme, i shfaqjeve më të mira që kemi parë të realizohen këto rreth 20 vitet e fundit në Kosovë. Ishte një artist i jashtëzakonshëm, i pakompromis në zgjedhjet e tija estetike dhe në vizionin e tij të të bërit teatër. Dhe i pakompromis në debatet për teatrin e për jetën kulturore në vend. Ka qenë orator i shkëlqyeshëm, prej oratorëve më të jashtëzakonshëm që kam njohur në jetën time. Por kontributi i tij shkon përtej artisti, sepse me punën e tij ai ka qenë emancipues, jo vetëm si profesor, por edhe si botues i revistës për teatër “Loja”, si gazetar, si shkrimtar e si vrojtues e artikulues inteligjent i fenomeneve e ngjarjeve kulturore e sociale të botës shqiptare.

Lumi e ka reformuar teatrin kosovar, e ka reformuar estetikën e tij, por edhe procesin e të bërit teatër. Kur ai erdhi mbas luftës, teatri në Kosovë po përpëlitej mes shprehjeve artistike të tejkaluara, skenat tona ishin të mbushura me plot shfaqje mediokre, të realizuara dobët, shpejtë dhe pa përkushtim. “Mësimi”, shfaqja e parë e Lumit në Kosovën e pasluftës, shumëkujt ia pat ndalur frymën me realizimin brilant, ajo shfaqje na ka inspiruar të gjithë neve krijuesve teatror që kemi pasur rastin ta shohim. Dhe pastaj të gjitha shfaqjet e tija të mëvonshme ishin të freskëta në qasje, vizuelisht të pasura e me aktorë që t’mrekullonin me lojën e tyre. Ai ishte njëlloj avant-garde teatrore te ne, veçanërisht në shfaqjet e tija të fundit, ku elementi hulumtues dhe procesi i gjatë kërkimor e shoqëronin procesin e të bërit teatër. Ai bënte shfaqje të formatit ‘minimalist’, ku skena ishte zakonisht e zhveshur dhe boshe, me vetëm ndonjë rekuizitë representative, me aktorë që lëvizin e veprojnë preciz e në harmoni deri në perfeksionim. Në teatrin e tij, para se përmbajtja, ka dominuar forma.

Lumi e ka dashur teatrin, ka qenë njëlloj asketi i bindur teatror, ndoshta më i binduri që teatri kosovar ka pasur ndonjëherë. Ai i ka besuar teatrit dhe me të është marrë seriozisht, siç merret besimtari i devotshëm me religjionin. Ai i është nënshtruar teatrit tërësisht dhe pa hile. Jo të gjitha shfaqjet e tija më kanë pëlqyer, por edhe shfaqja më e dobët e tij, për mua ka qenë shfaqja më e mirë se secila shfaqje tjetër që kam parë të realizohet nga ndonjë regjisor tjetër në Kosovë.

Ai, përveç si regjisor, ka qenë poashtu i përfshirë tërësisht në jetën kulturore të Kosovës. Si profesor i regjisë së teatrit në Fakultetin e Arteve ai ka nxjerrë plot emra regjisorësh të rinjë, që sot janë më premtuesit e skenës teatrore te ne. Por Lumi ka qenë edhe një prej zërave më të fuqishëm kritik të zhvillimeve teatrore e kulturore në vend. Ka qenë një zë autoritativ që ka folur me gjuhën e argumenteve, bindës dhe insistues në qëndrimet e tija karshi fenomeneve të ndryshme në këtë “pazarin tonë të vogël kulturor”, siç e quante ai me të drejtë skenën kulturore te ne. Ka qenë i pakompromis, deri në kokëfortësi.

***

Gjatë kohës kur lajmi për sëmurjen e tij u bë publik, më ka rënë të dëgjoj nga njerëz të ndryshëm, këtu në Kosovë apo jashtë saj, për angazhimin e tij në jetën politike që nga vitet e 80-ta. Natyrisht, diçka edhe dija prej më herët, por shumëçka tjetër jo. Njerëzit, që më rrëfenin me admirim për të, vinin nga ilegalja e viteve të 80-ta, ishin studentë aktivist që kishin vepruar në fillim të viteve të 90-ta në Tiranë apo aktivistë politik që kishin vepruar në Gjermani në fund të 90-tave. Veçanërisht, Lumi duket se kishte qenë i kyçur dhe angazhuar politikisht e artistikisht në kohën sa ka qëndruar në Gjermani, në fund të 90-tave. Tani vonë më ka rënë të shoh edhe disa video nga demonstratat shqiptare të viteve të 90-ta në Gjermani, ku Lumi shihet tek moderon, prezenton apo flet para qindra e mijëra demostrantëve. Flet me zjarr. I artikulueshëm, bindës, me pasion, me fjalë që të rrëmbejnë. Dhe këndon para masave. Por me të kurrë nuk kemi folur për atë angazhim të tij të asaj periudhe. Dhe ndoshta për atë periudhë ai nuk ka folur me shumë njerëz, jo së paku me ne miqtë e rinjë të pasluftës. Dhe prandaj, besoj që të tjerë njerëz duhet të flasin dhe ta ndriçojnë më mirë kontributin e tij si student në Prishtinë e Tiranë dhe si aktivist politik në Gjermani. Vetëm ashtu, me atë background të ndriçuar, do të plotësohet profili i tij prej artisti, prej aktivisti politik e intelektuali.

***

Kur në fillim të vitit të kaluar ai nisi provat për shfaqjen e tij të fundit “Arturo Ui”, prognozat nga mjekët i kishte kobzezeza. Por ai provat i vazhdonte me kokëfortësi, por duke qenë i shtrënguar që kohë mbas kohe t’i ndërpriste, për shkak të terapive dhe vizitave të shpeshta mjekësore në Gjermani. Ai që u nis si proces provash dy mujore, u bë një proces i lodhshëm pune që s’po kryhej. Aktorët, megjithatë, i qëndruan besnik deri në fund, pavarësisht stresit, pavarësisht nervozes dhe asaj situate pune të çrregullt, që veç normale nuk ishte. Dhe ndoshta kjo që do t’them do të tingëllojë si ndonjë legjendë urbane, por disa nga aktorët besonin (e edhe unë besoj), se ai e kishte lidhur jetën me këtë shfaqje. Ai si duket kishte filluar të besonte se kur shfaqja të përfundonte, të nesërmen pas premierës ai do të vdiste. Duket sikur ai pavetëdijshëm kishte bërë një pakt me vdekjen, e cila s’do të guxonte t’i vinte para premierës. Prandaj, ai po e shtynte premierën, nga ky muaj në tjetrin, dhe pastaj në tjetrin, e në tjetrin, pa fund… E vdekja, si duket edhe ajo i ishte nënshtruar këtij pakti, i rrinte mbi krye, grabitqare, duke e sulmuar, por ndërkohë duke e pritur premierën për fundin final. Lumi, me shëndet të rrënuar, i dërmuar nga dhimbjet, vinte në prova, takohej me aktorët dhe vazhdonte punën. Deri kur, më në fund, u shtrëngua ta caktojë datën e premierës, që do të ishte me 14 qershor të këtij viti. Mbas mbi 15 muaj provash, premiera tash kishte një cak të definuar. Ishte e qartë që ajo do të ndodhte dhe më nuk do të kishte lëvizje të datës. Dhe ai me 13 qershor e mbajti provën gjenerale, por të nesërmen nuk ia doli të vinte në premierë, për shkak se gjendja iu përkeqësua tepër shumë. Pakti me vdekjen u realizua. Ai ishte fitues, megjithatë. Premiera u dha mes lotëve e emocioneve të fuqishme, sa për ato që u pan në skenë, poaq për regjisorin që po mungonte. Ata që ndoshta kishin filluar t’i besojnë atij paktit të tij me vdekjen, e dinin që ai më ndoshta nuk do të ngjitej kurrë në skenë i gjallë.

Me 31 korrik, para se të përcillej për në varrezat e qyteti të Prishtinës, arkivoli me kufomën e tij u vendos mes skene, bashk me arkivolet tjera të personazheve të shfaqjes “Arturo Ui”, në një skenë që e vetme iu shfaq miqve, kolegëve dhe njerëzve të shumtë që kishin ardhur për t’ia dhënë lamtumirën e fundit. Bekim Lumi i përkiste skenës për së gjallë dhe asaj iu kthye i vdekur në fund. A ka për një artist vdekje më të dinjitetshme sesa kjo!

***

P.S.

Në rrëfimin për Bekim Lumin, ka edhe diçka që megjithatë duhet të thuhet. Në fillim të këtij viti, atë më në fund e bindëm se duhej ta bënim publik lajmin për sëmurjen e tij dhe të fillonim një aksion për mbledhjen e parave që kërkoheshin për terapinë e shtrenjtë të cilën ai po përdorte. Deri atëherë, si kokëfortë që ishte, ai nuk kishte pranuar që të organizonim ndonjë gjë publike. Tani, kur e bindëm, një grup miqsh e kolegë të tij u mblodhëm dhe në javët në vazhdim organizuam një seri të aktiviteteve të ndryshme kulturore dhe jo kulturore, përmes të cilave grumbullonim para për mbulimin e shpenzimeve të terapisë së tij. Aksioni vërtetë mund të konsiderohet i suksesshëm. Por më tepër sesa aksioni, mua më ka mrekulluar mobilizimi i komunitetit të artistëve në Kosovë, solidariteti dhe gatishmëria e tyre për të kontribuar, për të ndihmuar dhe për të qenë pjesë e këtij aksioni. Një komunitet artistik si ky i yni, që, megjithatë është i copëtuar në grupe e klane të ndryshme, u bashkua si asnjëherë më parë, rreth kësaj kauze humanitare, për të ndihmuar kolegun në nevojë. Një solidaritet të këtillë mes artistëve të Kosovës nuk e kam parë asnjëherë. Në këtë drejtim, mendoj që ne jemi ndarë nga Lumi me ndërgjegje të pastër. Por, poashtu duhet përmendur se me mjete, përpos komunitetit të artistëve e shumë e shumë qytetarëve të tjerë, për shërimin e Lumit, ka kontribuar edhe Qeveria e Kosovës. Është dashur shumë punë që kjo të ndodhë, shumë thirrje telefonike, shumë letra, shumë kërkesa, shumë takime, megjithatë, Qeveria ka ndihmuar dhe kjo duhet të thuhet.

Bekim Lumi (17.12.1966 – 30.7.2018), ka studiuar Gjuhë dhe Letërsi shqipe në Universitetin e Prishtinës (1987-1991), kurse në Tiranë, në Akademinë e Arteve të Bukura (1992 – 1996) ka studiuar regji teatri. Mbas studimeve në Tiranë, ka jetuar disa vite në Gjermani, prej nga është kthyer në Kosovë mbas përfundimit të luftës në vitin 1999. Ka punuar si gazetar, ka qenë këshilltar në Ministrinë e Kulturës, kurse, nga 2002 deri në vdekje, ka qenë profesor i regjisë së teatrit në Universitetin e Prishtinës. Ka qenë redaktor dhe botues i revistës prestigjioze për teatër “Loja” e cila ka dalur në disa numra përgjatë viteve 2006 – 2010. Përgjatë këtyre rreth 20 viteve viteve, ai ka punuar si regjisor i pavarur, në Teatrin Kombëtar të Kosovës, në Teatrin “Dodona” si dhe ka realizuar projekte teatrore me kompaninë e tij teatrore “Loja”. Disa nga shfaqjet e tija kryesore janë: “Mesimi”, “Galani”, “Arushani & Fejesa”, “Shtëpia e Bernarda Albës”, “Çifti Martin”, “Këmisha e gjakut”, “Dillerat”, “John Cage’s Hamlet”, “Nana dhe fëmija” dhe e fundit “Arturo Ui”.

Me shfaqjet e tija, ai ka qenë pjesmarrës në dhjetra festivale të rëndësishme kombëtare e ndërkombëtare, në Zvicër, Gjermani, Itali, Greqi, Rumani, Bosnjë e Hercegovinë e në vende të tjera.

Bekim Lumi, me punën e tij si regjisor është shpërblyer me shumë çmime kombëtare e ndërkombëtare. Ai është autor i dhjetëra shkrimeve, analizave, studimeve e eseve për teatrin dhe përgjithësisht për skenën kulturore në Kosovë dhe më gjerë.

3 gusht 2018