Të vësh në pikëpyetje politikën amerikane nuk nënkupton anti-amerikanizëm

 Kosova mund të jetë aleat i Uashingtonit dhe të ndjek interesat e saj jetike në të njëjtën kohë.

Presioni i fundit i ushtruar nga i dërguari special i Presidentit Trump, Richard Grenell, në raport me Kosovën për të hequr taksën 100 përqind të vendosur ndaj mallrave serbe e ka shkundur koalicionin qeverisës dhe e ka polarizuar gjithë skenën politike në vend. Mirëpo, ky presion ka shpërfaur edhe gjendjen abnormale të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.

Diplomacia përmes Twitter-it e Grenellit javëve të fundit është karakterizuar me kritika apo me aplaudim ndaj politikanëve të Kosovës në lidhje me deklaratat e tyre mbi tarifën 100 përqind ndaj mallrave serbe, një çështje kjo e brendshme e Kosovës, me veprime të Grenellit që i ngjasojnë Presidentit të tij.

Si përgjigje, shumë politikanë kosovarë janë zotuar për besnikëri të përjetshme ndaj ShBA-së dhe bindje të padiskutueshme ndaj kërkesave të Donald Trump dhe të dërguarit të tij. Kritika e Grenellit për planet e kryeministrit Albin Kurti për të hequr pjesërisht taksën ka nxitur madje edhe një grindje mes politikanëve kosovarë duke vënë në dyshim edhe vetë fatin e qeverisë.

Udhëheqësit e Lidhjes Demokratike të Kosovës, LDK, u kanë bërë thirrje partnerëve të saj në qeverisje, Lëvizjës Vetëvendosje së Albin Kurtit, që të zbatojnë pa kushte këshillat e Grenellit, përndryshe ata do ta shqyrtojnë pozicionin e tyre në qeveri.

Të mërkurën, në përgjigjje të ftesës së Kurtit për një takim, kreu opozitar nga PDK,  Kadri Veseli, gjithashtu ngriti hapur shqetësimet e tij për një “konfrontim” mes Kosovës dhe SH.B.A.

Presidenti HashimThaçi, ndërkohë, pas vizitës së tij në Uashington DC, përmes një konference shtypi e bëri shumë të qartë se: “Të gjithë liderët e Kosovës janë të zëvendësueshëm, por roli i ShBA-së është i pazëvendësueshëm”.

Alarmimi i shumicës së klasës politike të Kosovës – se të kundërshtuarit e  ShBA për çdo gjë do të prishte aleancën me ShBA, ose do të shënonte një devijim nga orientimi pro-perëndimor i Kosovës – është një farsë në vete. Të kundërshtosh përfaqësuesit e ShBA-së, ose të konsiderosh propozime të tjera, nuk është shenjë e anti-amerikanizmit.

Nëse, fakti se të kesh qëndrime të ndryshme për ndonjë çështje paraqet anti-amerikanizëm, atëherë a duhet pozicioni i Bashkimit Europian ose Mbretërisë së Bashkuar të etiketohet si “anti-amerikan”, duke pasur parasysh që të dy palët mirëpritën planet e Kurtit për të hequr pjesërisht taksën?

Veprimet e Grenellit, si dhe karakteri i tij, janë kritikuar gjithashtu nga brenda ShBA-së, me ish këshilltarin e Sigurisë Kombëtare Susan E. Rice duke e përshkruar atë si “një nga njerëzit më të këqij dhe më të pandershëm që kam hasur ndonjëherë.”

Më e rëndësishmja, në marrëdhëniet ndërkombëtare shtetet veprojnë sipas interesave të tyre. Nëse Kosova nuk mund të paramendojë të ketë një interes të kundërt ndaj ShBA-së, ose për ndonjë shtet tjetër, atëherë Kosova po heq dorë vullnetarisht prej sovranitetit të saj dhe po bëhet një shtet totalisht i nënshtruar.

Duke e ndjekur këtë logjikë të bindjes qorrazi, shtetet më të vogla duhet të pushojnë së ekzistuari dhe thjesht ta transferojnë sovranitetin e tyre tek fuqitë e mëdha.

Kjo nënkupton, për shembull, se Sllovakia, një vend relativisht i vogël evropian, duhej ta kishte njohur Kosovën një dekadë më parë – kur Parlamenti Evropian i kërkoi asaj njohjen dhe kur ShBA haptas i bëri thirrje këtij vendi ta njohë sovranitetin e Kosovës. Sidoqoftë, Sllovakia e refuzoi një gjë të tillë.

Në mars të vitit 1999, kur akoma nuk ishte anëtare e BE-së dhe NATO-s, Sllovakia ialejoi përdorimin e hapësirës së saj qiellore forcave të NATO-s për të sulmuar Serbinë. Atëbotë Sllovakia veproi në ndjekje të interesave të saj – kryesisht interesin e saj për t’u bërë anëtare e BE-së dhe NATO-s. Pra, interesat mund edhe ndryshojnë dhe politika nërkombëtare nuk është statike.

Por, tani Sllovakia është pjesë e të dyjave organizatave, ndjek një politikë të pavarur nga aleatët e saj dhe refuzon të njohë Kosovën. Megjithatë, Sllovakia nuk është izoluar ose larguar nga klubi i shteteve aleate sepse ka ndjekur një politikë të jashtme të pavarur në rastin e Kosovës.

Sovraniteti nuk arrihet vetëm duke siguruar një ulëse në Kombet e Bashkuara, KB, megjithëse Presidenti Thaçi kërkon ta portretizojë si të tillë, duke përcaktuar anëtarësimin në KB si qëllimin përfundimtar, pasi të finalizojë një marrëveshje me Serbinë.

Thaçi gjithmonë e ka shitur vetën e tij tek elektorati kosovar si rruga e vetme e Kosovës drejt përfundimit të sovranitetit është OKB, përmes lidhjeve të tij me ShBA. Sidoqoftë, në fund të fundit as Thaçi dhe askush tjetër nuk mund garantojnë se Kina ose Rusia nuk do ta vënë veton e tyre ndaj anëtarësimit të Kosovës në OKB, madje edhe nëse hipotetikisht  marrëveshja me Serbinë arrihet.

Në anën tjetër, objektivat e Grenellit janë të qarta. Ai dëshiron të korrë rezultatet e ndërmjetësimit të një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë dhe ta shesë atë si një fitore të politikës së jashtme të Presidentit Trump në prag të zgjedhjeve presidenciale të ShBA-së.

Presidenti amerikan në veçanti e vlerësoi të ashtuquajturën marrëveshje aviacioni, në rivendosjen e lidhjeve ajrore midis Serbisë dhe Kosovës, në një përmendje të rrallë të Kosovës.

Të mërkurën, Presidenti Thaçi përshëndeti më tej përfshirjen e Presidentit Trump dhe lartësoi Grenellin për të ashtuquajturat marrëveshje për transport të nënshkruara në Berlin dhe Mynih në muajt janar dhe shkurt – por të cilat marrëveshje nuk u bënë publike derisa BIRN i siguroi dokumentet këtë javë.

 A është anti-amerikanizëm të kërkosh transparencë dhe të vësh në dyshim përmbajtjen e atyre marrëveshjeve që kurrë nuk u publikuan?

Duke parë dokumentet, është e qartë që këto deklarata dhe letra interesi për lidhjet ajrore, hekurudhore dhe rrugore nuk ka të ngjarë të prodhojnë asgjë, pasi janë ligjërisht jo të detyrueshme dhe nuk kanë ndonjë plan konkret se si duhet vënë ato në zbatim.

Në anën tjetër, Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar më shumë se 30 marrëveshje nën patronazhin e BE-së në dekadën e fundit. Një pjesë e madhe e tyre nuk janë implementuar asnjëherë. Rrjedhimisht, këto letra interesi nuk ofrojnë asnjë siguri se implementimi i tyre mund të bëhet këtë herë.

Për më tepër, argumentet e Grenellit për natyrën e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë janë gjithashtu të diskutueshme dhe meritojnë kritikë. Në fakt, është Grenell ai që ka bërë një “gabim serioz”, me idenë e tij këmbëngulëse se marrëdhëniet Kosovë-Serbi duhet të përqendrohen në ekonomi. Çdokush që ka njohuri mbi Ballkanin është i vetëdijshëm se ky është një shpjegim i thjeshtëzuar dhe në thelb i pavërtetë.

Që nga lufta e fundit për pavarësinë gjatë viteve 1990, Serbia ka mbetur partneri kryesor tregtar rajonal i Kosovës. Ajo eksporton më shumë se gjysmë miliardë euro mallra çdo vit në Kosovë. Pavarësisht disa barrierave tregtare, ekonomia nuk përbën një prej çështjeve kryesore ndarëse midis të dy vendeve; është mohimi i vazhdueshëm politik i shtetit serb ndaj së drejtës së Kosovës për të ekzistuar si shtet i sovran.