Imer Mushkolaj

Të mos bëhemi aleatë të dezinformimit

Ka plot media online në Kosovë të cilave, në mungesë të kapaciteteve profesionale, iu mungojnë disa hallka në zingjirin e nevojshëm të prodhimit dhe publikimit të lajmit. Rrjedhimisht, publiku konsumon lajme jo të plota dhe me probleme etike. Ndërkohë, formësimi i debatit mbi lajmet e rreme është i domosdoshëm nëse secili nga ne, në çfarëdo mënyre, nuk dëshiron t’i kontribuojë dezinformimit.

 Nuk është e lehtë për qytetarët, konsumues të përmbajtjeve mediale, që të bëjnë dallimin ndërmjet një lajmi që vërtet është lajm dhe një tjetri që është i rremë. Interneti ka bërë të mundur që gjithkush të “prodhojë” lajme dhe t’i plasojë ato qoftë në një faqe interneti, qoftë në ndonjërën nga platformat sociale.

Këto lajme të shumtën e rasteve janë të rreme dhe shpërndahen për qëllime të ndryshme përfitimi.

Ata që i sajojnë lajmet e tilla jo domosdoshmërisht janë gazetarë, madje janë më së paku të tillë. Duke mos pasur informata se kush qëndron prapa fabrikimit të tyre, pra në një situatë plotësisht jotransparente, është e vështirë që autorët të identifikohen dhe problemet të adresohen. Por, ekziston një tjetër problem, po ashtu serioz, sa i përket prodhimit dhe plasimit të lajmeve. Bëhet fjalë për redaksi mediash online, që mund të jenë transparente karshi publikut, por që shkrimit, redaktimit dhe publikimit të lajmit nuk i kushtojnë kujdesin e duhur.

Supozohet të ketë plot media online në Kosovë të cilave, në mungesë të kapaciteteve profesionale, iu mungojnë disa hallka në zingjirin e nevojshëm të prodhimit dhe publikimit të lajmit ashtu siç duhet. Pra, thënë më qartë, gazetari vetë është redaktor, lektor e gjithçka tjetër sa i përket lajmit.

Kjo nënkupton që një lajm që shkruhet nga gazetari nuk i kalon filtrat e nevojshëm para se të publikohet. Si rezultat, publikut i ofrohet shpesh përmbajtje mediale jocilësore dhe me probleme të theksuara profesionale. Faktet e prezantuara shpesh janë të mangëta, jo mirë të hulumtuara dhe çalojnë etikisht.

Ka të tillë që mendojnë se ato që njihen si “media të reja” kanë ndryshuar edhe mënyrën e të bërit gazetari. Kjo është pjesërisht e vërtetë, sepse mund të ketë ndërruar shumëçka në aspektin teknik e praktik të prodhimit dhe plasimit të lajmit, por kurrsesi “formula” e ndërtimit të një lajmi korrekt, profesional.

Duhet sqaruar një keqkuptim që mund të jetë krijuar në kokat e njerëzve që konsumojnë çdo ditë përmbajtje mediale online. Keqkuptimi është se të gjitha mediat online janë njësoj, të gjitha publikojnë artikuj të mangët – shpesh pa i përmbushur as kriteret minimale të një lajmi gazetaresk. Ky konstatim nuk është i vërtetë.

Në Kosovë ka plot media online që bëjnë gazetari të mirë dhe në të cilat funksionon zingjiri i domosdoshëm i shkrimit-redaktimit-publikimit të lajmit. Por, po ashtu, ka plot të tjera që nuk i respektojnë këto kritere themelore të të bërit gazetari.

Një ndër arsyet pse publikohen lajme jo të plota është se gazetarët ose redaksitë vendosin kriterin e shpejtësisë përpara saktësisë. Pra, në të tilla raste më e rëndësishme duket të jetë që lajmi të publikohet sa më shpejt, paçka se mund të ketë probleme serioze përmbajtësore, sesa të pritet mbase edhe pak minuta, në mënyrë që të jetë i plotë, i konfirmuar, korrekt.

Shumica e gazetarëve që punojnë në media në Kosovë janë të rinj, produkt i shkollave vendore të gazetarisë. Shumë nga ta kanë njohuri të mjaftueshme teorike të të bërit gazetari, por iu mungon aspekti praktik. Të njëjtit mbajnë barrën më të madhe të prodhimit dhe publikimit të lajmeve nëpër redaksitë ku mungon zingjiri i përmendur disa herë deri tash. Pra, ata “hudhen në zjarr” që të prodhojnë përmbajtje mediale pa mbikëqyrës me përvojë, ndërkohë që do të duhej ta mësojnë punën nga redaktorët. Si rezultat i qasjes së tillë joserioze, publikohen edhe lajme të rreme.

Është e domosdoshme që redaksitë të shtojnë resurset profesionale, ose ato ekzistueset t’i përshtatin në zingjirin e nevojshëm profesional. Përndryshe pasojat do të jenë të mëdha.

Është e domosdoshme që të debatohet mbi lajmet e rreme, të debatohet për prodhimin, publikimin dhe shpërndarjen e tyre. Të adresohen përgjegjësitë dhe të shihet çfarë mund të bëhet në një ambient toksik thashethemesh dhe brenda një shoqërie fare pak imune karshi këtij fenomeni.

Debati mbi lajmet e rreme duhet të formësohet në radhë të parë brenda komunitetit të gazetarëve dhe mediave, për të vazhduar më pas në institucione akademike dhe organizata të ndryshme joqeveritare. Po ashtu, të nevojshme janë fushatat sensibilizuese për qytetarët, në funksion të dallimit ndërmjet përmbajtjeve mediale profesionale dhe të tjerave që nuk janë të tilla.

Një shoqëri e prirur në masë të madhe t’iu besojë lajmeve të paverifikuara bie lehtë pre e tyre. Andaj, debati mbi lajmet e rreme është i domosdoshëm nëse secili nga ne, në çfarëdo mënyre, nuk dëshiron t’i kontribuojë dezinformimit.