Të dërguarit e rinj nga ShBA, lajm i keq për Serbinë

Në kohën kur fushata diplomatike e Serbisë kundër Kosovës po jep frytet e saja, gjëja e fundit që i nevojitet janë dy të dërguarit specialë nga ShBA në një mision për të zgjidhur mosmarrëveshjen.

Presidenti i Serbisë ishte në momentin më diplomatik kur deklaroi se ndjehej i befasuar nga emërimi i një të dërguari tjetër amerikan, i dyti pas Mathew Palmer, në Ballkan. 

I befasuar mund të jetë termi i duhur për këtë situatë. I alarmuar është ndoshta një përshkrim më i saktë.

Me Matthew Palmer të fokusuar në integrimin e Ballkanit Perëndimor në përgjithësi, dhe tani me Richard Grenell të fokusuar në mosmarrëveshjen Serbi-Kosovë, në veçanti, ShBA ka treguar se është e vendosur të rrëmbejë iniciativën nga një Europë e ngathët, e hutuar, në një rajon të cilin e ka lënë pas dore që kur Donald Trump u bë President.

Asnjë nga këto nuk është një lajm i mirë për Serbinë, interesi i së cilës shkon në favor të një status quo-je aktuale në raport me Kosovën dhe më pak në raport me zgjidhjen e konfliktit.

Kosova, nga ana tjetër, mund të fitojë shumë nga ShBA duke u fokusuar në përfundimin e mosmarrëveshjes – pasi çdo “zgjidhje” do të duhej të përfshinte njohjen e saj nga Serbia, të cilën Serbia e konsideron si krahinën e saj të mëparshme.

Mirëpo Serbia mund të fitojë pak e, madje, mund të humbasë shumë. Fitimet e saj të mundshme nga një zgjidhje e konfliktit nën udhëheqjen e ShBA-ve mund të përmblidhen shkurtimisht: fjalë të përzemërta nga Evropa dhe shpresë për bisedimeve të shpejta për anëtarësimin në BE.

Por sa të shpejta? Ndërkohë që Franca kundërshton çdo zgjerim të mëtejshëm të BE-së derisa ajo të thellohet në vetvete fillimisht, shanset e Serbisë për t’u anëtarësuar në BE brenda dhjetë viteve të ardhshme mbeten akoma të zbehta, pa marrë parasysh se si sillet ajo në raport me Kosovën. Lajkatimi i BE-së ndërkohë nuk ka aq shumë vlerë, as nuk është politikisht profitabile.

Votuesit serb nuk do ta shpërblejnë Presidentin Vuçiq dhe Partinë e tij Përparimtare për lëshimet e tij në raport me Kosovën. Kundërshtimi i ashpër ndaj pavarësisë së ish-provincës së saj është një pjesë kruciale e një  ngjitësi politik, duke e mbajtur partinë e tij në pushtet si dhe trupin elektoral në të njëjtën kohë.   

Shenjat e një dobësie mbi Kosovën do të ndanin elektoratin e Vuçiçit, duke e ekspozuar vetë atë dhe Përparimtarët përballë një sulmi të egër nga nacionalistët e ringjallur si dhe nga ndikimi i Kishës Ortodokse. Si përgjigje, Vuçiq do të hidhej përsëri në një aleancë me liberalët të cilëve as nuk iu beson e as nuk pajtohet me ta.

Jashtë Serbisë, një aleancë gjithëpërfshirëse me Rusinë gjithashtu do të rrezikohej. Moska nuk ka probleme nëse një aleat i saj, siç është Serbia, të hyjë në BE dhe të bëhet një avokat i saj brenda këtij klubi.

Por nuk do ta bekonte asnjë rivendosje të marrëdhënjeve miqësore të Serbisë me Kosovën, duke pasur parasysh faktin se është pikërisht çështja e Kosovës që i ka mundësuar Rusisë të ndërfutet përsëri në çështjet e Ballkanit – duke u paraqitur si mbrojtësi më i madh diplomatik i Serbisë. Pa Kosovën, Serbia do të ishte shumë më pak e varur nga Kremlini sesa që është tani. Është e vështirë të shihet se çfarë dëshiron të fitojë Rusia nga kjo.

Ka edhe një arsye tjetër pse Serbia sheh pak përfitime nga tensionimi i konfliktit në Kosovë.

Fushata e saj globale për të anuluar njohjen e Kosovës si shtet po shkon mjaft mirë. Serbia ka mësuar nga Japonia, e cila kohë më parë inicioi përdorimin e mini-ryshfeteve me mini-shtete për të fituar kursin e saj të duhur për gjuajtjen e balenave, duke përdorur buxhetin e saj të madh të ndihmës jashtë vendit për t’i “bindur” ata që të ndryshojnë votat e tyre në Komisionin Ndërkombëtar të Gjuajtjes së Balenave, IWC.

Serbia e kopjuar skenarin japonez dhe nuk e ka parë të vështirë të bindë një seri shtetesh të varfra dhe mikroshtetesh që ta tërheqin njohjen formale ndaj Kosovës. Asnjë nga këto shtet nuk ka ndonjë lidhje të vërtetë politike ose ekonomike as me Serbinë, as me Kosovën – mirëpo kostoja që ka pësuar Kosova nga tërheqja e këtyre njohjeve është e vërtetë, duke e distancuar atë më tej nga perspektiva e anëtarësimit në KB.

Për më tepër, disa vende nuk kanë nevojë as për tu bindur nga dikush gjatë këtyre ditëve. Rritja e një klime më anti-myslimane në Evropë shkon në favor të një Serbie të krishterë dhe në dëm të një Kosove kryesisht myslimane – të reflektuara edhe me vërejtjet e fundit të Presidentit Çek.

Milos Zeman, i mirënjohur për armiqësinë e tij ndaj migrantëve dhe muslimanëve në përgjithësi, në vizitën e tij në Beograd në shtator, nënvizoi se ai “nuk e ka pëlqyer Kosovën” – dhe madje shpresonte që vendi i tij do ta tërhiqte njohjen ndaj saj.

Edhe me perspektivën e një shteti anëtar të BE që tërheq njohjen e tij ndaj Kosovës, Serbia ka pak motivim që ta ndalojë luftën e saj diplomatike tani.

Kjo është edhe arsyeja pse ardhja e dy të dërguarve specialë amerikanë mund të jetë jo e mirëseardhur vetëm për Beogradin, veçanërisht pasi ardhja e tyre përkon me emërimin e një shefi të ri të politikës së jashtme të BE-së, i tillë si Josep Borrell i cili – pavarësisht se vjen nga Spanja që nuk njeh shtetin e Kosovës – në mënyrë kategorike ka deklaruar se vizita e tij e parë zyrtare do të bëhet në Kosovë. 

Në kohën kur Beogradi po fiton terren sa i përket izolimit të Kosovës, nuk ka nevojë për dy të dërguar nga ShBA – plus për një shef të ri të politikës së jashtme të BE – të gjithë ata në në rrugën e tyre drejt Prishtinës.

Marcus Tanner është redaktor i Ballkan Insight dhe autor i librit “Mbretëresha e Maleve, Edith Durham dhe Ballkani” [Tauris].

Mendimet e shprehura në pjesën e komenteve janë vetëm të autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e BIRN.