Ilustrimi: Photo: Flickr/Fabi Dorighello

Tatuazhet jugosllave depërtojnë nën lëkurën e Kroacisë

Tjetër gjë është kur ke si tatuazh një delfin qesharak apo një flutur në fund të shpinës – dhe krejt diçka tjetër kur ke tatuazh APJ-në, akronimin e Armata Popullore Jugosllave, në krah.

Të gjithë kemi kaluar ca gjëra në rininë tonë – ose fundjavën e kaluar – për të cilat nuk jemi aq krenarë; gjëra që ne jo vetëm që s’mund t’i arsyetojmë, por nuk mund as t’i shpjegojmë.

Nuk po flas për gjërat që kemi bërë pasi kemi pirë një apo dy apo me tepri, si atëherë kur marrim telefonin dhe i dërgojmë një mesazh të panevojshëm ndonjë ish-i.

Disa nga ne i mbanin pantallonat shumë të ngushta ose shumë të gjera [faza ime e hip-hop-it] – apo këpucë qesharake lëkure me lustër që supozohej se na bënin të dukeshim të zgjuar; posi pra.

Disa nga ne kishin prerje komike flokësh, duke u klasifikuar nga Mohok – nëse ndonjëherë e ke pasur seriozisht atë fazën Punk – deri në stile flokësh të panumërta me nga një ton xhel.

Disa njerëz dëgjonin Backstreet Boys dhe Spice Girls dhe ëndërronin të përfundonin me Nick Carter ose Victoria-n – mallkuar qofsh – Beckham! Disa iu shkruanin letra dashurie apo thjesht si fansa në dëshpërim e sipër.

Disa u fejuan me të dashurin ose të dashurën – vetëm për t’i dhënë fund të njëjtës lidhje para verës. Disa kanë luajtur me kukulla Barbie dhe LEGO tej mase.

Mirë, çdo gjë është tepër normale; sikleti vjen në momente të veçanta, si për shembull kur pastron dhomën e vjetër dhe gjen ndonjë letër apo poezi super-romantike. Është diçka me të cilën na duhet të jetojmë.

Po nëse sikleti të ndjek përgjatë gjithë jetës tënde – një kujtesë e vazhdueshme ditëve të tua rinore të marrëzisë apo naivitetit?

Po nëse, për shembull, ke një tatuazh?

Ndonëse zhvillimi i teknologjisë e bën të mundur heqjen e një tatuazhi pa lënë shenja fare, nuk kushton aq lirë për gjendjen e gjithsecilit.

Sheh shumë pantera, luanë, dragonj që janë kaq gallatë, tek meshkujt të cilët mendonin qartazi se do dukeshin të fortë nëse ‘stoliseshin’ me këto farë gjërash – ose tek femrat, të cilat kanë delfinë apo flutura në fund të shpinave, që tani duken edhe më qesharake nga sa janë dukur në fillim.

Kam pasur miq me tatuazhet më të marra, si dhitë, simbole kineze të sajuara, akronimin GN’R për Guns and Roses dhe logon e Red Hot Chilli Peppers.

Asnjë nga këto nuk të rëndon në jetë sa të rëndojnë tatuazhet me emrat e ish të dashurit ose të dashurës, sigurisht.

Madje as emrat e ish bashkëshortëve nuk rëndojnë aq shumë në Kroaci.

Më të rëndat nga të gjitha janë ata që lidhen me ish Jugosllavinë. Duke llogaritur luftërat në vitet 1990 dhe armiqësinë e përgjithshme të shoqërisë kroate për sistemin e shkuar, të kesh një kujtesë të vazhdueshme të Jugosllavisë në krahun tënd është super-e dobishme për të ‘thyer akullin’ me të panjohurit.

Tatuazhet, zakonisht të bëra nga ushtarët duke përdorur mjete rrethanore gjatë shërbimit njëvjeçar ushtarak të detyrueshëm në UPJ, ishin njëfarë mekanizmi lidhës mes djemve të rinj asokohe.

Pjesërisht shihej si provë e qëndresës – tatuazhi i bërë nga një 20 vjeçar pa kurrfarë përvoje – natyrisht që nuk është i këndshëm.

Disa ushtarë që kishin më shumë vullnet dhe disa krijues tatuazhi të aftë guxonin me gra të zhveshura apo madje me portretin e presidentit-të-përjetshëm të Jugosllavisë, Josip Broz Tito, ‘’i madhi, biri i kombeve dhe kombësive tona’’ siç quhej – nganjëherë edhe pas vdekjes së tij në 1980.

Por shumica e ushtarëve thjesht vazhduan me APJ apo më rrallë me JRM për Marinën Jugosllave.

Shumë nga këta meshkuj, tanimë të moshës 50 dhe 80, mund të gjenden në Kroaci dhe gjithë ish Jugosllavinë me këta tatuazhe në krahët e tyre.

Që në vitet 1990, të vjen për të qeshur kur i sheh këta burra në Kroaci, sidomos gjatë verës në bregun e Adriatikut. Marifetet që përdorin për t’i fshehur këto mbeturina që tanimë i vejnë në siklet janë thjesht të hatashme.

Disa prej tyre i fshehin me gazeta, ose duke i mbajtur krahët në pozicione të panatyrshme. Të tjerë dallohen menjëherë sepse veshin mëngë të gjata në mes të verës – dhe vera në Kroaci është tropikale.

Ndër këta meshkuj, disa kanë vendosur t’i japin fund gjithë kësaj dhe i kanë ndryshuar ose mbuluar me tatuazhe të reja.

Gjëja më interesante që kam dëgjuar ka qenë nga një burrë me tatuazh UPJ që kishte vendosur Nënën e Zotit përsipër – ‘’Zonja’’ siç e themi ne – sepse i ishte kthyer fesë.

Por ka gjithashtu zgjidhje të pashtjelluara dhe më pak ideologjike për dilemën e tatuazhit UPJ.

Disa meshkuj ndryshuan ‘’J-në’’ në ‘’O’’, që duket si ‘’AJO’’ në gjuhën kroate, ose i ngjeshën nja dy a tre shkronja përmes, për t’u dukur si ‘’Dijana’’ apo ‘’Jelena’’.

Pavarësisht faktit që këta tatuazhe duken si një punim i mangët Photoshop, këta burra gjenden përballë faktit që asnjëra nga ish-et apo bashkëshortet e tyre quhen ashtu dhe natyrisht që ka kaq shumë emra femrash që piketohen me bazën UPJ… Oh, edhe gratë e tyre nuk janë aq të emocionuara kur zgjohen çdo ditë në krah të një ‘’Dijane’’ apo ‘’Jelene’’ të panjohur.

Për këta meshkuj të pafat, një thënie në Kroaci e përmbledh të gjithën: ‘’Nuk do të doja të isha nën lëkurën tënde’’.