Ilustrimi: Jeta Dobranja, Trembelat

Ta Çrrënjosim Autoritetin Mashkullor dhe Përbrendësojmë Kurajon!

Që kur kam filluar shkollën, e mbaj mend se jam ballafaquar me ngacmim seksual. Ishte fillimi i viteve të 90-ta kur bashkë me familjen u kthyem nga Norvegjia ku qëndruam azil për gati 2 vite.

Shkolla afër shtëpisë sime me emrin ‘Boris Vukmiroviq’ ishte okupuar nga serbët, kështu që ne u detyruam të regjistrohemi në një shkollë më të largët, e quajtur ‘Miladin Popoviq’. Shkolla ishte e vjetër me klasa të stërmbushura. Toaletet ishte të ndyta dhe të frikshme dhe nënat na këshillonin fuqishëm që të mos i përdorim. Por nëse na duhej t’i përdornim, atëherë gjithnjë të shkonim bashkë me shoqe.

Qysh në klasa të para të shkollës fillore, gjuha vulgare, sharjet dhe ngacmimet ishin shumë të zakonshme. Edhe djemtë jo më shumë se 7 vjeçarë përdornin gjuhë dhe shprehje eksplicite seksuale si një formë e zakonshme komunikimi. Edhe pse disa djem njiheshin si rrugaçë në krahasim me të tjerët, që të gjithëve, djem e vajza, na mësonin, se djali është djalë.

Me siguri kam qenë në klasë të tretë kur bashkë me shoqet e klasës po ktheheshim në shtëpi pas shkollës. Unë po e mbaja për dore vëllain tim të vogël i cili ishte në klasë të parë. Papritmas, vura re se vëllai im më lëshoi dorën dhe unë rashë me gjunjë përtokë. Njëri nga djemtë e klasës sime ishte hedhur mbi mua nga prapa. U ktheva dhe e pashë atë duke qeshur me shokët e tij. E rregullova çantën dhe e përshpejtova ecjen, por e njëjta gjë ndodhi prapë prej një djali tjetër i cili tha “pse mos ta bëj edhe unë?”.

U ngrita në këmbë përsëri, vazhdova të ecja më shpejt, duke e tërhequr vëllain edhe më fort për dore. U shqetësova shumë, gati ia nisa të qaj, u mbusha mllef por edhe mbeta shumë e hutuar. Nuk e kuptova se çka ndodhi. Edhe pse shumë njerëz do të thoshin se natyra e atij sulmi ishte më shumë fizike sesa seksuale, për mua nuk ishte e tillë.

Edhe pse kurrë nuk jam frikësuar nga shokët e klasës dhe as që kam hezituar t’ua kthej fjalën dhe t’u bërtas, gjithnjë jam ndjerë e kërcënuar kur vinte puna te trupi im. Ishte për shkak të lirisë së padiskutueshme që djemtë e ndjenin ndaj trupit të vajzave. Ajo më bënte të ndjehem e pafuqishme.

Edhe pse ishte sjellje që dënohej nga prindërit dhe mësimdhënësit/et, ajo disi konsiderohej e pashmangshme. Dhe na mbetej neve vajzave, që të mos e provokojmë një sjellje të tillë te djemtë.

Frika nga përdhunimi më bëri që ta lija stërvitjen atletike. Parku i Madh, siç njihej në Pejë, ashtu sikurse parqet e tjera, ishte vend shumë i pasigurt. Vazhdimisht dëgjonim histori të sulmeve seksuale që u ndodhnin “atyre” vajzave, pra atyre që guxonin të shkonin në park me djem pasditeve vonë apo mbrëmjeve.

Kështu që u detyrova t’i lija të gjitha aktivitetet fizike që me të vërtetë më pëlqenin. Eventualisht, përfundova duke u mjaftuar me ushtrime fizike të cilat i bëja në njërën nga dhomat e shtëpisë me kaseta të incizuara nga televizori.

Në shkollë të mesme ishte edhe më keq. Dhe jo vetëm për shkak të kalimin në adoleshencë që është e vështirë për shumicën e fëmijëve, por edhe për shkak të rrethanave politike. Menjëherë pas luftës, në fillim të viteve 2000, Pejën e karakterizonin jo vetëm vrasjet politike, por edhe rrahjet brutale, therjet e vrasjet në mes të djemve dhe burrave të rëndomtë. Ato ishin aq të shpeshta dhe ndodhnin kudo, në oborr të shkollave, në kafene, në qendër të qytetit. Kështu që kush brengosej për sigurinë e vajzave dhe grave në situata të tilla?!

Adoleshencën e kam kaluar në frikë. Shumë herë më ka përcjellë ndonjë burrë pas shkollës. Ndonjëherë më afroheshin dhe pëshpëritnin fjalë të marra, ndonjëherë kërkonin që të ndalesha se duan të më thonë diçka, ose më ndiqnin deri në shtëpi. Nuk dija si të reagoja. Jo gjithnjë funksiononte nëse i injoroja plotësisht; konsiderohej shenjë interesimi. Por kur ktheja kokën dhe u bërtisja që të më lënë të qetë, ishte edhe më keq. Kishte raste kur nuk guxoja t’i afrohesha e vetme hyrjes së banesës ku jetonim përkohësisht pa e kthyer kokën disa herë për të parë se a është dikush prapa.

Ngacmimi përmes telefonit ishte një formë tjetër e shpeshtë me të cilën përballeshin vajzat e moshës sime. Më kujtohet një telefonatë që më frikësoi e hutoi njëkohësisht. U lajmërova dhe sapo e kuptova se ishte një nga ato “foret e djemve”, e ndala telefonin. “Kurva e flliqt! Qysh po guxon me ma ndalë telefonin?” – bërtiti ai në telefon pasi më thirri nga një numër tjetër. Nuk e kisha idenë se kush ishte, por për ditë të tëra kisha frikë të dal në rast se ai po më afrohet dhe po më sulmon në një mënyrë apo tjetrën.

Përvoja të ngjashme me ngacmim seksual, madje edhe më të këqija, vazhdojnë edhe sot, Në vitin 2014, familjarët e një vajze 12 vjeçare protestuan para një shkolle fillore në fshatin Manastirc të Ferizajt kundër një mësuesi i cili tentoi ta përdhunojë vajzën. Mësuesi, në të 60-tat, u shpall i pafajshëm pas një viti. Para një viti, policia e arrestoi një mësues tjetër në një shkollë fillore në Skenderaj për ngacmim seksual të dy nxënësve të tij.

Të mos u besohet vajzave është tendenca e parë. “Kur ai të preku, ty a të pëlqeu?” – e ka pyetur një punëtore sociale një vajzë, prindërit e së cilës kanë raportuar se ajo është ngacmuar seksualisht nga mësimdhënësi i saj. Vajza nuk i kishte treguar askujt, por kishte shkruar për rastin në ditarin e saj. Kur prindërit e kanë lexuar, kanë kërkuar ndihmë nga Avokati i Popullit. Rasti nuk është bërë publik, por është nën hetim.

Sikurse në shkolla, ngacmimi seksual në Kosovë është i institucionalizuar. Studentet në universitet përballen vazhdimisht me të, e po ashtu gratë në vende të punës. Së fundi kam bërë hulumtim në dy burgje të Kosovës, dhe po ashtu kam realizuar disa intervista në institucione të ndryshme publike. Shumë më e sigurt jam ndjerë gjatë bisedave me të burgosurat/it dhe më e kërcënuar nga zyrtarët dhe gardianët e pranishëm përderisa i shqyrtoja dosjet zyrtare. Mënyra se si të flasin dhe t’i ngulin sytë, shakatë dhe qasja e përgjithshme, krijojnë një ambient të sikletshëm dhe të pasigurt.

Përderisa Kodi Penal i Kosovës e adreson, nuk ofron përkufizim të qartë për ngacmimin seksual por ngacmimin në përgjithësi. Edhe procedurat e raportimit nuk janë të qarta. Çka është edhe më shqetësuese, ashtu siç u informova pas një interviste me një zyrtare të Policisë së Kosovës, urdhrat mbrojtës adresohen vetëm në kuadër të Ligjit për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje. Kështu gratë e pamartuara apo ato që nuk janë në lidhje me abuzuesin e tyre përjashtohen nga mundësitë ligjore për të marrë urdhër mbrojtës. Kështu, nëse një grua kërkon urdhër mbrojtës nga ish i dashuri apo nga një person i huaj, atë nuk do të mund ta sigurojë.

Mangësi të tilla në legjislacion dhe sundimi i dobët i ligjit në kombinim me maskulinitetin e dhunshëm i kontribuojnë në mënyrë të konsiderueshme përforcimit të ‘kulturës së përdhunimit’. Kjo kulturë arsyeton manitë seksuale të burrave, dhe kur gratë ngacmohen, përndiqen e kërcënohen, na mbetet neve, vajzave dhe grave, që t’i shmangim ato, qoftë përmes qëndrimit ‘të duhur” apo veshjes së “përshtatshme”.

Rastet kur gratë dalin publikisht me rrëfimet e tyre dhe kërkojnë ndëshkim institucional të abuzuesve mbesin të rralla pasi që nuk ka hapësirë institucionale profesionale që ato të ndjehen të mbrojtura. Një sjellje e tillë kriminale që ua sulmon integritetin trupor vajzave dhe grave, i përzë nga hapësira publike, i detyron të heqin dorë nga mundësitë madje edhe ta lënë punën, mbetet e paraportuar dhe e reduktuar në biseda private ku gratë ankohen tek njëra tjetra.

Besimi që gratë ua kanë borxh seksin dhe përparësitë e tjera seksuale burrave, i njohur në anglisht me termin ‘male sexual entitlement’, është problem në nivel global. Por në vendet e varfra dhe të izoluara si Kosova është edhe më keq. Këtu ku ngacmimi seksual interpretohet si thjeshtë ‘ngacmim’ dhe jo ‘kërcënim’, trajtohet si ndër çështjet më të parëndësishme për institucionet.

Ç’mësimi i këtij besimi dhe sfidimi i autoritetit mashkullor mbetet ndër sfidat më të mëdha feministe. Lufta është e vështirë dhe qëndrimet tona duhet të jenë po aq të ashpra.

Përderisa ndarja e rrëfimeve dhe përjetimeve tona duke i dhënë zë njëra tjetrës është tejet e vlefshme, unë pajtohem me shumë feministe që sugjerojnë që të fillojmë t’i turpërojmë publikisht burrat që na kërcënojnë. Ne vazhdimisht mundohemi që të ngjallim ndjeshmëri në shoqëri duke thënë që viktimat e ngacmimit dhe sulmeve seksuale janë vajzat, motrat, nënat dhe gratë tona. Me fushatën him-though për shembull, ne do të flisnim për djemtë, vëllezërit, baballarët dhe burrat tonë si ngacmuesit dhe abuzuesit.

Duke i mbajtur këta burra përgjegjës, ne mund t’i parandalojmë përvojat e tmerrshme me të cilat përballen vajzat e vogla në shkolla, gratë në punë dhe në hapësira publike. Një kafe apo gotë verë me shokë e shoqe natën dhe mundësia për t’u kthyer vetëm dhe sigurt në shtëpi, nuk bën të konsiderohet fat dhe luks, por e drejtë themelore dhe domosdoshmëri.

Kur e rikujtoj vetën time në shkollë, sa do të doja që zërat kolektivë të më kishin siguruar që nuk është përgjegjësi e imja ta parandaloj ngacmimin seksual, as ta toleroj dhe ‘të përballem me të’. Dhe vazhdoj të imagjinoj se çka do të mund të arrija profesionalisht, dhe hobitë që do të mund t’i kultivoja dhe t’i shijoja sot, po të mos isha detyruar ta përbrendësoj frikën dhe kërcënimin.