Dafina Lata - Autorja është gazetare e pavarur

Sulmet dhe kërcënimet ndaj gazetarëve, janë sulm ndaj lirisë së fjalës

Shprehja e lirë e mendimit në rrjete sociale, apo media elektronike e të shkruara, fatkeqësisht po rezulton me dhunë fizike dhe kërcënime në Kosovë.

Edhepse, shprehja e lirë e mendimit është e garantuar me Kushtetutë në mesin e lirive dhe të drejtave themelore kjo duket që nuk po iu bën përshtypje atyre që po e kryejnë akte dhune.

Gazetarët dhe punonjësit e mediave, janë ata që po e pësojnë më së shumti. Për arsye, se vet puna e tyre është e tillë, për të thënë të vërtetën, dhe se janë aty për të kryer punën e tyre. Mirëpo, nëse dikujt mund të mos i pëlqej ajo çfarë është thënë, por për këtë janë rrugët e tjera për të ndjekur, e jo dhuna e kërcënimet.

Shqetësuese për këtë fillim vit për gazetarët dhe shoqërinë tonë, ishte sulmi fizik ndaj gazetarit të gazetës “Insajder”, Visar Duriqi. Ai u sulmua afër banesës së tij, duke marrë lëndime trupore, si shkak i dhunës së ushtruar ndaj tij. Ky rast nxiti edhe reagimet, e kolegëve gazetarë, shoqërisë civile, politikave, por edhe përfaqësuesve ndërkombëtar, të cilët e dënuan dhunën, dhe kërkuan që ky rast të zbardhet sa më shpejtë, nga ana e institucioneve të sigurisë dhe të drejtësisë në vend.

Ky nuk është rasti i vetëm i dhunës ndaj gazetarëve për këtë vit. Gazetarët e mediat madje edhe linçohen. Ishte rasti kur ndaj RTV “Dukagjini”, përdorët gjuhë linçuese nga ana e partive politike, LDK dhe PDK. Ndërkaq, nëse kthehemi te vitet që kemi lënë pas, nga të dhënat e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, vetëm gjatë vitit 2020 kemi 24 raste të sulmeve, kërcënimeve, pengimit në detyrë e të tjera, në 2019-të janë 21 raste, në 2018 janë të shënuara 18 raste.

               Viti   Numëri i rasteve       Llojet e rasteve
                   2021

Janar – Shkurt

                       2 Dhunë fizike dhe linçime ndaj  gazetarëve e mediave
                   2020                       24 Dhunë fizike, kërcënime, linçime, pengim në detyrë dhe lloje të tjera

(Burimi: Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK)

Këto të dhëna, na bëjnë të kuptojmë që kemi rritje të dhunës, kërcënimeve dhe linçimeve ndaj gazetarëve. Shifra të ulëta nuk ka dhënë as Policia e Kosovës. Rastet e sulmeve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve për vitin 2020, në polici janë të evidentuara gjithsej 35. Përfshirë këtu, sulme, kanosje, pengim në kryerjen e detyrës, zjarrvënie si dhe gjuhë ofenduese që janë bërë gjatë vitit që kemi lënë pas.

Pse dallon shifra në polici me atë të AGK-së për vitin 2020?

Për arsye se, disa gazetarë e paraqesin rastin në organet e rendit, por nuk dëshirojnë për të bërë publike atë.

Ndërsa, nga të dhënat e siguruara nga Prokuroria e Shtetit, tregojnë se për rastet e gazetarëve deri më tani janë ngritur gjashtë (6) aktakuza.

Në punë, verifikime – hetime janë 17 raste, ndërkaq për 14 raste nuk është filluar fare procedura, pasi që nuk ka pasur kallëzim penal apo paraqitje të rastit në Prokurori, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë së Shtetit.

Rastet e tilla të dhunës, përveç që cenojnë lirinë e shprehjes, ato po krijojnë një imazh jo të mirë për lirinë e shprehjes dhe demokracinë në vendin tonë.

Prandaj, jemi ku jemi me raportet ndërkombëtare, të cilat shumë herë pak tregojnë se kemi progres. Freedom House, kur raporton për Kosovën, te pika që flitet për mediat tregon se kemi pjesërisht liri të shtypit, për çfarë nuk duhet të jemi të kënaqur, madje tani duke e pas parasysh numërin në rritje të rasteve të dhunës dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve në vitet e fundit.

Pse po ndodhin gjithë këto sulme e kërcënime ndaj gazetarëve?

Shkaku kryesor është mungesa e punës së institucioneve të drejtësisë, për të zgjidhur rastet e dhunës e kërcënimeve që iu bëhen gazetarëve.

Si rezultat i ndikimit të interesave personale dhe atyre politike që mbretërojnë në këto institucione, shumë herë, kur bëhet fjalë për rastet e sulmeve e kërcënimeve të gazetarëve ato nuk shihen si prioritet.

Edhe atëherë kur marrin epilog, çdo gjë përfundon me një dënim me gjobë simbolike, e cila shumë herë nga ana e njohësve të fushës së medias është cilësuar si shumë e cila, kish me nxitë dhunuesin prapë me vepru njëjtë, me i frikësu dhe sulmu në çdo formë gazetarët.

Pasi një gjobë prej 200 deri në 500 euro, nënkupton se çdo kush mund të të sulmojë dhe kërcënojë secilin, derisa e di që institucionet nuk bëjnë asgjë, ose kur bëjnë janë dhënia e gjobave të tilla.

Edhepse, në Kodin Penal të Kosovës parashihen edhe dënime me burgim nga 6 muaj deri në 5 vite, në rast të kërcënimeve ose kanosjes si njihet në gjuhën juridike. Ndërkaq, në rast të dhunës fizike, sipas këtij kodi dënimet janë nga 3 muaj deri në 10 vite burg.

Prandaj, institucionet përgjegjëse, duhet sa më shpejtë të alarmohen kur kanë para vetes për të zgjidhur çështjet e sulmeve dhe frikësimit të gazetarëve.

Përndryshe, Kosova ka kornizë të mjaftueshme ligjore për të siguruar lirinë e shprehjes, informacionit dhe medias. Prandaj, vetëm ajo duhet respektuar nga të gjithë. Këtu duhet përmendur faktin, që shpesh herë gjykatat madje as nuk përgjigjen në pyetjet e gazetarëve, atëherë kur ne dërgojmë pyetje në lidhje me këtë temë.

Këtë herë kur kemi shtruar pyetjet tona për numërin e rasteve në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kanë thënë se zyra e statistikës dhe referentëve të kësaj gjykate nga evidenca penale që posedon nuk ka mundësi të identifikojë rastet e regjistruara në bazë të pozitave që të akuzuarit apo të dëmtuarit mbajnë.

Në anën tjetër, Prokuroria e Shtetit, zakonisht tregon se është e gatshme për të zgjidhur rastet e sulmeve dhe frikësimit të gazetarëve. Mirëpo, ata janë shprehur se e duan edhe përkrahjen e gazetarëve në mbledhjen e provave dhe dëshmive shtesë. Kjo po bën që gazetarët shpesh herë të humbin durimin dhe shpresën për të zgjidhur problemet, madje ndodh që nuk po i paraqesin fare rastet e dhunës, apo kanosjes ndaj tyre.

Andaj, një punë më serioze dhe me dënime më të rënda ndaj atyre që kryen frikësim e dhunë, rastet do të jenë më të pakta dhe besimi në këto institucione do të rritej.

Dafina Lata – Autorja është gazetare e pavarur