Sulme të Pamëshirshme apo Liri e Shprehjes?

Ishte mbrëmje e së martës, koha për ndeshjet e Ligës së Kampionëve, por diçka më detyroi të kaloj pak kohë duke dëgjuar se çfarë do të thonin të ftuarit në studio për ngjarjet e fundit në Serbi që lidhen me sigurinë e Kryeministrit Vuçiq si dhe sigurinë e përgjithshme në vend.

Ministri i Çështjeve Sociale, ish-drejtor i Agjencisë së Sigurimit të Serbisë dhe sekretari i Ministrisë së Punëve të Brendshme, ishin të gjithë në RTS, duke shpjeguar se çfarë po ndodhte me sigurinë kombëtare, pasi policia gjeti një sasi të madhe armësh të fshehura afër shtëpisë së Kryeministrit më 29 tetor.

Duket se do të ishte një debat tjetër i mërzitshëm ndërmjet njerëzve me vlera krejtësisht të njëjta dhe politika të  njëjta, por Aleksandër Vulin, Ministri i Çështjeve Sociale, u sigurua që të jetë më shumë se aq.

Vulin deklaroi se Ambasada e Amerikës në Beograd ishte e lidhur me kërcënimet në sigurinë e Kryeministrit dhe kritikoi ata që sipas tij vazhdimisht po provonin të bënin shaka me çështje serioze.

Edhe më shumë, Vulin tha se ‘Georgievi’ dhe ‘Masic’ kanë thënë që dëshirojnë ta shohin tek i ndodh diçka Kryeministrit, duke iu referuar vrasjes dhe ne duhet të flasim nëse kjo ishte një kërcënim serioz për të apo jo.

Kush janë ata që nënvlerësojnë seriozitetin e informacionit se disa grupe janë duke provuar ta vrasin Kryeministrin Vuçiq.

Siç u tha, Vulini përmendi dy mbiemra, Georgiev dhe Masic, edhe pse shumica e njerëzve që po shikonin emisionin sigurisht nuk e kanë kuptuar se çfarë do të thoshte.

Asnjëri prej tyre nuk është prezent në mediat e mëdha në Serbi. As nuk janë udhëheqës të ndonjë partie politike. As nuk marrin pjesë në jetën politike në Serbi, as nuk janë pronarë ose redaktorë të mediave të mëdha në Serbi apo më gjerë.

Dusan Masic është ish reporter i B92-shit dhe redaktor që ka punuar në Londër për vite me radhë, ndërsa unë jam një gazetar i BIRN-it që publikon gjithashtu në javoren e Beogradit ‘Vreme’. Ne gjithashtu jemi shumë aktivë në Twitter, çfarëdo që do të thotë kjo.

Vulin na ka përmendur si njerëz që po tentojnë të shkatërrojnë informacione zyrtare për sulme të mundshme ndaj Vuçiqit duke botuar komente nënçmuese në llogaritë tona në Twitter.

Kjo ishte vetëm një nga sulmet e shumta ndaj njerëzve  që komentojnë në rrjete sociale ‘kundër’, Vuçiqit dhe stilit të tij të qeverisjes.

Ishte një sulm, jo një ushtrim i fjalës së lirë, sepse Vulini na vendosi në kontekstin e njëjtë me kriminelë të paemëruar ose grupe terroriste që si duket kanë dashur ta vrasin Vuçiqin.

Masic, unë dhe të tjerë që e kritikojnë Vuçiqin në Twitter, sepse nuk mund ta dëgjoni një zë që e kritikon Vuçiqin në mediat e mëdha, kemi qenë në sulm të vazhdueshëm drejtpërdrejtë nga Kryeministri dhe nga ministra të tjerë dhe zyrtarë të Partisë Progresive në katër vitet e kaluara, që kur ka ardhur në pushtet Vuçiqi në 2012.

E gjithë lista e agjentëve të huaj të instaluar nga agjenci të huaja të sigurimit ose mafisë (që gjithashtu kontrollohet nga CIA ose ndonjë agjenci tjetër e fuqishme) është pikturuar për t’u prezantuar para publikut serb nga artikuj shpifës të publikuara në tabloidin “Informer” dhe të mbështetura nga shtypi tjetër dhe televizione, dhe përmes ekspozitave speciale të përgatitura nga Partia Progresive të quajtura ‘Gënjeshtra të pacenzuruara’.

Vulin tha një gënjeshtër sepse unë nuk kam bërë shaka për një çështje kaq serioze, duke pasur në mendje traumën nëpër të cilën kaloi Serbia në 2003 kur u vra Kryeministri Zoran Gjingjiq.

E di cili ishte roli i tabloidit, që e përgatiti atmosferën në të cilën kjo vrasje mund të kuptohej si një rezultat të një lufte në mes të dy bandave.

Në momentin që kriminalizohesh në publik bëhesh një shënjestër për ata që duan ta ‘shpëtojnë Serbinë’, nga ndikimi yt i keq.

Në anën tjetër, Vuçiq dhe të ndërlidhurit me të thonë se NE duam ta prezantojmë ATË si kriminel sikurse që ishte prezantuar Gjingjiq nga tabloidet dhe nga kundërshtarët e tij politikë të udhëhequr nga ish-Partia Radikale e Vuçiqit, që të mund të largohej nga pushteti më lehtë, pa zgjedhje.

Nuk është e vërtetë, sepse NE nuk e kemi asnjë fuqi dhe ne vetëm po mundohemi të mbijetojmë në një ambient armiqësor të medias.

Së pari na quajnë kritikë, pastaj urrejtës, pastaj gënjeshtarë. Pas kësaj bëhemi spiunë. Tash në ringjalljen e fundit të prezantuar nga Vulini dhe të mbështetur nga Informeri ne jemi pjesëtarë të një kompanie të organizuar kriminale që dëshiron ta eliminojë Vuçiqin dhe familjen e tij.

E vërteta është se gazetarët që nuk e mbështesin politikën e Vuçiqit, nuk kanë hapësirë të punojnë. Kjo është situata në Serbi për mediat që është dokumentuar dhe raportuar në raportet vjetore të progresit të BE-së dhe nga raporte të tjera të organizatave që merren me censurën dhe lirinë e shprehjes.

E vërteta është se ‘debat’ i vërtetë për shumë gjëra që ndodhin në Serbi sot bëhet në Twitter ose Facebook. Kjo është arsyeja pse Vuçiq, në konferencat e tij legjendare, të jashtëzakonshme, rregullisht i referohet gjërave të përmendura vetëm në Twitter, jo në media të zakonshme.

Ai më ka bërë të famshëm sepse është duke debatuar për diçka që kam shkruar në Twitter shumë herë për dy vite e gjysmë. Është qesharake por edhe e rrezikshme njëkohësisht sepse më ka promovuar, sikurse që bëri Vulini, si një armik i shtetit, një person që është instaluar ta shkatërrojë Serbinë dhe vlerat e saj.

Pra, a është liri e shprehjes, siç thotë ai, apo një paraqitje vulgare e forcës? Kështu më duket mua.

Slobodan  Georgiev është redaktor në BIRN Serbia, gazetar dhe koordinator i programit.