Ilustrim. Foto: Atdhe Mulla

Sprova e Partive Politike Para Zgjedhjeve Lokale

Pjesëmarrja e barabartë e burrave dhe e grave në jetën publike, nuk mund të mendohet pa dhënien e mundësive të barabarta për të dyja gjinitë, në të gjitha fushat e jetës. Të jetosh në shekullin XXI do të thotë se, përtej të qenit pohim dhe promovim, barazia gjinore është përgjigje e natyrshme kundrejt strukturës gjinore së popullsisë dhe balans i bazuar në meritë dhe arritje. Mirëqenia dhe avancimi social dhe ekonomik nuk mund të arrihet pa krijuar natyrshmërinë e pjesëmarrjes aktive të grave dhe burrave në të gjitha sferat në jetën publike. Kosova nuk bën përjashtim!

Përpjekjet për të arritur barazinë gjinore në vendin tonë kanë hyrë në një periudhë që tashmë e ka të qartë, në pajtim me Kushtetutën e vendit, bazamentin ligjor sa i përket barazisë gjinore. Që nga vera e vitit 2015, kur kanë hyrë në fuqi tre ligjet që e përbëjnë pakon ligjore të të drejtave të njeriut: Ligji për Barazi Gjinore, Ligji për Mbrojtje nga Diskriminimi dhe Ligji për Avokatin e Popullit, pjesëmarrja e barabartë e burrave dhe grave s’është më vetëm synim në dëshirore, por obligim detyrues ligjor.

Tre ligjet që e përbëjnë këtë pako, me gjithë lëshimet që mund të kenë, mbeten ndër ligjet më të avancuara që shteti i Kosovës ka në fuqi. Ato janë themeli i mbrojtjes nga diskriminimi dhe shërbejnë si ligje ombrellë sa i përket mundësive të barabarta, trajtimit dhe përfaqësimit në të gjitha sferat e jetës.

Megjithatë, hendeku mes germës në letër dhe zbatimit të obligimeve ligjore në jetën e përditshme shoqërore dhe institucionale vazhdon të jetë i madh. Listat e kandidatëve të partive politike për Zgjedhjet e Qershorit 2017 për Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe certifikimi i tyre nga Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ), përkundër faktit se ato nuk përfaqësonin përqindjen e barabartë gjinore, janë shembull që i shtohet thellimit të këtij hendeku.

Zgjedhjet, si proces thelbësor i shprehjes së vullnetit të lirë të qytetarëve nëpërmjet votës, do të duhej të ishin epiqendra e lëvizjeve progresive dhe zbatimit të Kushtetutës dhe ligjeve. Përkundër thirrjes që Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP) u bëri partive politike që në listat e kandidatëve të cilat i dorëzohen KQZ-së, të ofrohen mundësi të barabarta për burrat dhe për gratë dhe në këtë mënyrë të respektohet Ligji nr. 05/L-020 për Barazi Gjinore, për fat të keq, kjo gjë nuk ndodhi.

Neni 14 i Ligjit për barazi gjinore shprehimisht thotë: “Partitë politike me aktet e tyre obligohen të zbatojnë masat për promovimin e pjesëmarrjes së barabartë të meshkujve dhe femrave në organet dhe trupat e partive, në pajtim me dispozitat e nenit 6 të këtij ligji.”, i cili Nen, ndër të tjera, specifikon se “Organet legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore në të gjitha nivelet, si dhe institucionet tjera publike, janë të obliguara të miratojnë dhe zbatojnë masa të veçanta për të arritur përfaqësimin e gjinisë më pak të përfaqësuar, deri në arritjen e përfaqësimit të barabartë të femrave dhe meshkujve sipas këtij ligji.” ( Neni 6, pargrafi 7).

Hilmi Jashari, Avokat i Popullit

I njëjti Ligj, saktëson qartë se “Përfaqësimi i barabartë gjinor në të gjitha organet legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore dhe institucionet e tjera publike arrihet kur sigurohet përfaqësim minimal prej pesëdhjetë përqind (50%) për secilën gjini, përfshirë edhe organet e tyre drejtuese dhe vendimmarrëse (Neni 6, paragarfi 8).

Për të hequr hezitimet eventuale juridike dhe për të siguruar barazinë mes burrave dhe grave dhe zbatueshmërinë e këtij standardi të të drejtave të njeriut, Ligji nr. 05/L-020 për Barazi Gjinore, në fuqi që nga vera e vitit 2015, saktëson shprehimisht se “Çdo dispozitë, e cila është në kundërshtim me parimin e trajtimit të barabartë sipas këtij ligji shfuqizohet.” (Neni 5, paragrafi 2)

Në përmbushje të parimit bazë të Kushtetutës së vendit – PARIMIT TË BARAZISË, është e domosodshme dhënia e mundësive të barabarta dhe pa diskriminim mbi çfarëdo baze. Ky parim do të mund të konsiderohej i përmbushur sikur pjesëmarrja e grave dhe burrave në listat e kandidatëve do të ishte e barabartë. Si pikënisje procesesh e vizionesh për një legjislaturë dhe qeveri të dalë nga vota e lirë dhe demokratike, procesi zgjedhor në tërësinë e tij do të duhej të reflektonte sipas këtij parimi fundamental për një shtet demokratik.

Mospërmbushja e kuotës së përcaktuar ligjore shpërfaq pozitën e gruas brenda subjekteve politike dhe mendësinë brenda së cilës funksionojmë, jo thjesht si individ, por edhe si bartës të përgjegjësive institucionale.

Fakti se përbërja e listave s’ka respektuar pjesëmarrjen prej 50 % gra dhe 50% burra, do të thotë se nuk janë dhënë mundësitë e barabarta të përfaqësimit! Për më tepër, kushdo i vëmendshëm për mënyrën e paraqitjes mediale të partive politike gjatë parafushatës dhe fushatës zgjedhore, ka mundur lehtë të vërej se, edhe aty, partitë politike janë përfaqësuar rrallë nga gratë, duke cenuar po ashtu barazinë!

Kjo mënyrë e trajtimit të gruas, duke i mohuar mundësinë që të shpalos përgatitjen intelektuale dhe ofertën individuale politike brenda subjektit që një grua mund të përfaqësojë, si dhe, më tej për votuesin, i mohon po ashtu asaj të jetë pjesë e konkurrencës së vlerave dhe shkel në thelb parimin e barazisë dhe mosdiskriminimit.

Megjithë sinjalet dekurajuese që subjektet politike, por edhe autoritet publike dhe organizatat me ndikim ne Kosovë, kanë përcjellë me mosrespektimin e kuotës në përfaqësimin e grave brenda listave të kandidatëve në zgjedhjet qendrore, përpjekjet për rivendosjen e të drejtës së  cenuar të grave, së pari si të barabarta me burrat në mundësi, si dhe në përfaqësim, si rrjedhojë e natyrshme, nuk duhet të pushojnë!

Zgjedhjet lokale, të parapara për vjeshtën e këtij viti, janë sprova e radhës për vullnetin politik e institucional, por edhe për vullnetin e shoqërisë si tërësi. Përfaqësimi prej pesëdhjetë përqind për secilën gjini, që siguron respektimin e Ligjit nr. 05/L-020 për Barazi Gjinore dhe pakos ligjore të të drejtave të njeriut, e me theks të veçantë pajtueshmërinë me frymën të cilën e përcjell Kushtetuta e Republikës së Kosovës, duhet të ndodh.

Avokati i Popullit, në përmbushje të misionit që ka dhe si institucion i barazisë, do të vazhdojë të avokojë dhe të insistojë që detyrimet kushtetuese dhe ligjore të respektohen dhe zbatohen, si domosodshmëri për krijimin e një ambienti të favorshëm shoqëror dhe ekonomik. Shoqëria civile dhe mediat shpresojmë të jenë partnerët tanë në përpjekjen për t’a zbatuar ligjshmërinë, si normë shoqërore, por, për më tepër, për të respektuar barazinë ndërmjet burrave e grave si qenie njerëzore, si një normë natyrore.

Hilmi Jashari është Avokat i Popullit

Tash Gratë

http://kallxo.com/barazia-qe-nuk-zbatohet-pak-gra-ne-pozita-drejtuese/

http://kallxo.com/diplomime-te-femrave-punesime-te-meshkujve/

http://kallxo.com/barazia-gjinore-ne-kuleten-e-ministrive/

http://kallxo.com/pjesemarrje-e-vogel-e-grave-ne-stafin-akademik/

http://kallxo.com/apostolova-kerkon-shume-gra-ne-krye-te-institucioneve/