Si të luftohet mohimi i votës së diasporës?

Vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të verifikuar votat me postë përmes një telefonate të vetme, është një përpjekje flagrante për të shtypur votat e diasporës, por ne nuk do ta pranojmë këtë vendim pa bërë asgjë.

 Gjatë kohës sa isha në punë të hënën, kuptova që pos hapave të zakonshëm për plotësimin e formës së regjistrimit dhe ofrimit të dokumenteve personale të identifikimit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, KQZ, ka vendosur edhe një hap shtesë në procesin e regjistrimit të votave nga diaspora.

 Tani, KQZ-ja do të thërrasë në telefon votuesit nga diaspora, vetëm një herë – në mënyrë që të verifikojë identitetin e tyre – para se të aprovojë regjistrimin e tyre për të votuar. Mirëpo, nëse nuk lajmëroheni në telefon, atëherë regjistrimi juaj do të refuzohet dhe ju nuk do të mund të votoni.

 Çmenduria e këtij vendimi (e që për çudi është mbështetur edhe nga dy anëtarët e Vetëvendosjes , zyrtarë të së cilës e kundërshtuan më pas këtë vendim) shihet menjëherë. Afërsisht 40,000 persona janë regjistruar për të votuar nga jashtë Kosovës, në zgjedhjet e fundit parlamentare në vitin 2019. Periudha për regjistrimin e votuesve nga jashtë për këto zgjedhje parlamentare do të hapet me 13 janar e do të zgjasë deri me 21 janar, duke lënë hapësirë më pak se vetëm dhjetë ditë për të telefonuar dhjetëra mijëra votues.

 Nuk ka mundësi praktike që KQZ do të mund t’i mbledh forcat e veta në që të thërrasë në kohë të duhur, të gjithë njerëzit e shpërndarë në disa kontinente, zona të ndryshme kohore dhe me barriera gjuhësore. Kam dyshime të mëdha që ata kanë stafin apo kapacitetet teknologjike për ta përmbushur këtë detyrë.

Mohimi i qasjes në votim në bazë të një telefonate të vetme të munguar, nuk është vetëm arbitrar, por është një mohim flagrant i të drejtës së diasporës për të votuar. Dikush do të çuditej se nga erdhi kjo brengë e befasishme se diaspora do ta paraqes veten gabimisht dhe si do të parandalohet ky mashtrim me vota me një telefonatë të vetme.

 Nëse punonjësi i KQZ nuk më njeh mua personalisht, atëherë si do ta dijë ai që “Hana Marku” me të cilën bisedoi në telefon është personi i duhur? Si do të mund të sigurohen ata përmes telefonit, që fletëvotimi që unë do ta shkarkoj nga interneti dhe ta nisi me Postën Kanadeze nuk është mashtrues?

 Me një plan dhe financim adekuat, konsullatat dhe ambasadat e Kosovës nëpër botë do të mund të lehtësonin votimin fizik dhe do të bënin verifikimin e identitetit të votuesve nga diaspora që vite më parë. Në vend të kësaj, gjatë këtyre zgjedhjeve ata do të bëjnë saktësisht çka bëjnë gjithmonë për të ndihmuar diasporën që të votojë: asgjë.

 Nuk është që po e pres me padurim telefonatën e KQZ-së. Mirëpo, do të ju tregoj se çka po planifikoj të bëjë nga Kanada për të mbrojtur votën time në rast që këto kufizime vazhdojnë:

 1)    Kur të dërgoj  formën e regjistrimit dhe dokumentet e identifikimit në email të KQZ, do të kërkoj që të më thërrasin në telefon gjatë orarit të punës dhe që të më njoftojnë paraprakisht për kohën dhe ditën e telefonatës – e jo që kjo telefonatë të bëhet kur t’i teket punonjësve të KQZ-së;

2)    Do ta thërras KQZ-në çdo ditë nga data 13 e deri më 21 janar për tu treguar që po e pres telefonatën e tyre;

3)    Do të mbajë shënim për secilën telefonatë të bërë në KQZ gjatë periudhës së regjistrmit të votuesve dhe përgjigjeve që do të marr;

4)    Do të dërgoj e-mail në KQZ çdo ditë nga 13 janari e deri më 21 janar për tu thënë që po e pres telefonatën;

5)    Në rast që e humbi telefonatën, atëherë do të kërkoj (përmes emailit dhe telefonit përsëri), që ata të më thërrasin përsëri;

6)    Në rast që periudha e regjistrimit të votuesve do të mbyllet pa pranuar një thirrje telefonike nga KQZ, atëherë do të siguroj regjistrat e detajuar të telefonatave si dëshmi që nuk është bërë asnjë përpjekje për të më marrë në telefon.

 Në rast që KQZ dështon të më marrë në telefon (e jam e sigurt që shumë nga ne nuk do të pranojnë këtë telefonatë fare), mendoj që ia vlen që të dërgojmë ankesa të Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa  – organi ligjor që merret me shkeljet gjatë zgjedhjeve dhe procesit të votimit.

 Procesi i ankimimit është i hapur për të gjithë votuesit dhe nënkupton plotësimin e një forme të ankesës, që duhet të përfshijë një përmbledhje të ankesës dhe bashkëngjitjen e dëshmive (e ku shënimet për emailat dhe telefonatat e përmendura më lart do të hyjnë në punë). Ankesat mund të jenë edhe të përbashkëta, që do të thotë se familje apo komunitete të tëra nga diaspora mund të kenë të drejtën e ankimimit bashkërisht. Në rast që ndodh mohimi masiv i të drejtës për të votuar si rrjedhojë e rregullës së “një telefonate”, atëherë ne ia kemi borxh KQZ-së që ta vërshojmë me ankesa.

 Nëse KQZ do të shtyp votën e diasporës, ne nuk duhet t’i ndihmojmë e t’ia lehtësojmë këtë punë. Vota e diasporës është votë e lirë dhe nuk ndikohet nga taktikat e intimidimit apo nepotizmit. Vota e diasporës nuk mund të blihet me para, dhe nuk ka favore që mund të ofrohen në shkëmbim të përkrahjes politike.

 Le t’u tregojmë që ne nuk do t’i pranojmë këto taktika të ndyra pa luftuar për të drejtën tonë.

 Ky shkrim është shkruar fillimisht në anglisht dhe publikuar në Prishtina Insight.

Mendimet e shprehura në pjesën e opinioneve janë vetëm të autorëve dhe jo domosdoshmërisht paraqesin pikëpamjet e BIRN.

Hana Marku është studente e drejtësisë e angazhuar në zyrën ligjore për imigrim dhe refugjatë në Toronto. Ajo ka raportuar si hulumtuese dhe gazetare dhe ka shkruar komente mbi drejtësinë tranzicionale dhe barazinë gjinore në Prishtina Insight, OpenDemocracy dhe Kosovo 2.0.