Shteti i Kosovës duhet ta rikthejë besimin e popullit të vet

Elita politike e Kosovës po e shkatërron potencialin e vendit për rritje. Rishpërndarja dhe rigjenerimi i burimeve të vendit duhet të largohet nga investimet e paqëndrueshme dhe të shkojë drejt nevojave të njerëzve të saj.

Kosova ka mbështetje të madhe nga jashtë, megjithatë zhvillimi i saj ka ngecur më shumë sesa në vendet fqinje. Por, ndoshta, ndihma nga jashtë është pikërisht problemi: me shumë këshilla ose udhëzime nga jashtë, një ndjenjë e një përkrahjeje të vërtetë dhe përmbajtësore është ofruar midis qytetarëve, të cilët e shohin këtë “ndihmë” si një pengesë ndaj aftësisë  së Kosovës për t’u zhvilluar vetë.

Deri më tani, të paktën, politika kosovare është formësuar nga interesat apo ndikimi i huaj, dhe asnjë qeveri akoma nuk ka arritur të përballet me shqetësimet origjinale për njerëzit që votuan dhe u besuan atyre.

Përkundrazi, sigurimi shoqëror përsa i përket sektorit të shëndetësisë, siguria në punë dhe pensionet shtetërore për pensionistët janë dukshëm më keq krahasuar me secilin vend fqinj. Zhvillimi ekonomik është i kufizuar vetëm në disa sektorë, shpesh të paqëndrueshëm, siç është ndërtimi i autostradave, patundshmërisë dhe termocentraleve të qymyrit.

Arsimi në Kosovë është ndër më të dobëtit në rajon, ndërsa shkalla e papunësisë së të rinjve shkon në 60 përqind. Ekziston një rritje rapide në numrin e të rinjve me kualifikime, por pa ndonjë shteg të besueshëm të karrierës  pas diplomimit në Kosovë.

E gjithë kjo sjell një situatë që rrit motivimin për emigrimin e të rinjve nga Kosova. Janë me qindra të rinj që kacavirren nëpër ambasadat e huaja në kërkim të vizave. Vetëm në vitin 2018, 38,000 viza janë lëshuar nga ambasada gjermane, prej tyre 13,000 viza  me qëndrim afatgjatë të përcaktuara për studentët dhe ata që punojnë.

Njerëzit në Kosovë po i besojnë një ‘udhëheqësie të mençur’ nga të huajt dhe duke besuar njëkohësisht se qeveritë do të veprojnë në përputhje me rrethanat për një kohë të gjatë. Gjithnjë e më shumë njerëz po e kuptojnë se kjo mbështetje dhe kjo besim duhet të marrë fund.

“Rinia e Kosovës vlen më shumë se ari”

Për të qenë të sigurt, Kosova nuk shtrihet mbi  fushat e naftës ose nuk prodhon tonelata ari. Mirëpo Kosova ka ende potencial për ta bërë këtë vend  të atillë ku banorët e saj do të ndjehen të sigurt dhe të mbrojtur me vende pune dhe me një perspektivë më të mirë për të ardhmen e tyre. Ky potencial nuk bazohet në të pasurit fat me burimet natyrore, porse në vetë njerëzit.

Të rinjtë e Kosovës e përbëjnë pjesën më të madhe të popullsisë, mirëpo përpjekjet për të integruar përmirësimin e arsimimit të tyre në planin e zhvillimit të vendit kanë qenë minimale.

Ndërkohë, raportet, studimet dhe analizat nga organizatat qeveritare dhe joqeveritare i mbushin sirtarët të gjatë me kilometra, dhe se konferencat dhe punëtoritë mbi këto tema mbushin arkat e pronarëve të hoteleve deri sa ato arka të shpërthejnë. Përderisa botimi i një studimi ose organizimi i një konference mund të jetë një sukses për ata që janë të përfshirë, njerëzit në Kosovë vështirë se përfitojnë diçka prej tyre.

Ekspertët thonë, për shembull, që Kosova mund të vetëmjaftohet me prodhimet e veta poqëse do të merrej vetë me modernizimin dhe zgjerimin strategjik të sektorit bujqësor. Përkundrazi, deri në 70 përqind të ushqimit importohet, ndërsa fermerët kosovarë mbesin në nivele jetese sepse nuk marrin asnjë mbështetje të vërtetë.

Këtë vit, punonjësit në vreshtat e Kosovës u përballen me një tjetër mosmarrëveshje çmimesh me blerësit e tyre, dhe si pasojë një sasi e madhe rrushi ka përfunduar i kalbur. Shteti nuk ishte në gjendje të ndërhynte ose të ndihmonte në ruajtjen e industrisë, dhe ata që kultivuan plantacione rrushi janë zotuar të mos hyjnë në të njëjtin biznes vitin e ardhshëm, duke e quajtur atë punë të padobishme.

Sektori bujqësor i Kosovës duhet të zhvillohet në atë mënyrë që më prodhimi të jetë më i madh në Kosovë dhe më pak të importohet jashtë saj. Ky zhvillim duhet të përfshijë trajnime për fermerët dhe përmirësime në kushtet e infrastrukturës që do të parandalonin që gjysma e të gjitha produkteve bujqësore të hidheshin çdo vit sepse ato nuk mund të konzervohen kur nuk shiten sa më shpejtë që të jetë e mundur. 

Bujqësia nuk është fusha e vetme që vuan, sektori i shëndetësisë në Kosovë është ndoshta një nga viruset më të rrezikshëm në vend. Në vitin 2017, jetëgjatësia mesatare e jetës në Kosovë ishte më e ulët krahasuar me çdo vend fqinj në rajon me të paktën katër vjet më pak, në 72 vjet.

Tashmë ekzistojnë çështje qartësisht të identifikueshme për qeveritë e ardhshme që përfaqësojnë interesat e zgjedhësve të tyre për të adresuar: krijimin e një sistemi funksionues të kujdesit shëndetësor, si dhe krijimin e kushteve më të mira të jetesës duke mbrojtur mjedisin e vendit.

Investimi në energjinë e gjelbër krijon ajër më të pastër dhe më shumë vende pune, me potencial të madh për nxitjen e rritjes ekonomike. Sidoqoftë, studentët e Kosovës të interesuar për të kontribuar në këtë rritje ishin dëshmitarë kur  Universiteti i Prishtinës që merrej me studime të energjisë u mbyll vitin e kaluar për shkak të mungesës së profesorëve për të ligjëruar në lidhje me këtë temë.

Një sistem arsimor i qëndrueshëm dhe programe të trajnimit profesional do të ishin me vlerë më shumë se sa ari në Kosovë, një vend me një përqindje më të lartë të të rinjve se çdo vend tjetër evropian. Ky duhet të jetë fokusi në të ardhmen: politikat aktive dhe të koordinuara të tregut të punës (të tilla si njohja e nevojave, ofrimi i trajnimit, edukimit dhe trajnimit të duhur, përfshirë punëkërkuesit dhe punëdhënësit) duhet ta bëjnë bashkë arsimin dhe biznesin dhe t’i bëjnë ata të aftë për një bashkëpunim të ngushtë.

Çështja se si një shtet demokratik mund t’i përmbushë të gjitha këto detyra me kusht që qeveria e tij ta dëshirojë një gjë të tillë, është larg të marrurit të ndonjë përgjigjeje. Sot, më pak se 50 përqind e punëtorëve dhe punëdhënësve paguajnë taksa. Pa taksat, asnjë shtet nuk mund të përmbushë as një pjesë të detyrave të përshkruara më lart.

Sot, besimi i njerëzve në institucionet e tyre shtetërore mungon. Një qeveri e ardhshme duhet ta rikthejë këtë besim, dhe më pas qytetarët duhet të japin kontributin e tyre në formën e taksave dhe sigurimeve shoqërore.

Duhet të ketë një vullnet nga liderët politikë të Kosovës për të bërë ndryshime të tilla, por kjo nuk ka ndodhur deri më tani. Përderisa një pjesë e konsiderueshme e buxhetit të vendit ndahet për mirëqenien sociale, shumica e këtyre mjeteve ndahen për të paguarf pensionet mujore për veteranët e luftës së Kosovës, lista e të cilëve ka tejkaluar 40,000 njerëz në vitin 2017 dhe kjo listë është kontestuar mjaft ashpër pas akuzave se më shumë se 20,000 prej këtyre emrave janë regjistruar si të rremë.

Nëse qeveria mund të përmirësojë infrastrukturën e saj, kosovarët do të jenë të gatshëm të investojnë në organet e saj drejtuese dhe të jenë të lumtur të dorëzojnë përgjegjësinë për arsimin, kujdesin e tyre shëndetësor dhe mirëqenien e tyre sociale. Sidoqoftë, rivendosja e besimit të popullit të Kosovës do të jetë pothuajse e pamundur përballë investimeve të vazhdueshme mbi asfaltin dhe termocentralet e qymyrit në të ardhmen.

Kosova ka nevojë për shërbyes kompetent publik, të cilët janë besnikë ndaj shtetit dhe përgjegjësive të tij, jo njerëz që janë të interesuar vetëm në lojëra politike partiake. Kosova ka nevojë për transparencë në vendimmarrje dhe pjesëmarrje qytetare në ndërtimin e shtetit për të cilin luftuan njerëzit e saj. Vetëm një qeveri që do të bëjë përpjekje t’i jetësojëkëto kushte do të ketë sukses në përmbushjen me sukses të detyrave të tjera – së bashku me njerëzit e Kosovës dhe besimin e tyre.

Na sillni rrjeta, jo peshq

Diaspora shpesh përmendet si shpresa më e madhe e Kosovës. Kjo është vetëm një gjysmë e vërtetë: Po, është e vërtetë që me ndihmën e tyre shumë anëtarë të familjes në Kosovë mund të jetojnë një jetë më të përshtatshme, e cila do të ishte e pamundur pa kontributin e tyre.

Nga ana tjetër, kjo mbështetje nga diaspora kontribuon në konsum. Sidoqoftë, ata që i fitojnë paratë e tyre jashtë vendit rrallëherë bëjnë investime të konsiderueshme ekonomike që kanë potencial të sjellin rritje në një vend të cilin e kanë braktisur pikërisht për shkak të munges së mundësive dhe sundimit të ligjit.

Pra, diaspora e kufizon vetën e saj në dërgimin e peshkut, ndërkohë ata do të duhej të dërgonin rrjeta për peshkim, duke i lejuar anëtarët e familjes të mësojnë se si të kujdesen për veten e tyre dhe të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të Kosovës.

Një qeveri e ardhshme e Kosovës duhet përfundimisht të vendosë prioritetet e saja në mënyrë të drejtpërdrejtë: prosperiteti ekonomik dhe siguria shoqërore duhet të jenë shtyllat e një vendi ku njerëzit ndjehen të sigurt dhe të përfshirë në mënyrë aktive. Përfundimisht Kosova duhet të ketë politikanë në Kuvend që janë të gatshëm t’itë dëgjojnë qytetarët, të punojnë për ta dhe për interesat e tyre.

Mendimet e shprehura në pjesën e opinioneve janë vetëm të autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e BIRN.

Frank Hantke është drejtor i Friedrich-Ebert-Stiftung, FES, për Kosovë, me seli në Prishtinë. Ai ka punuar për FES në Ballkanin Perëndimor për rreth 15 vjet dhe më parë ka qenë drejtor i Friedrich-Ebert-Stiftung në Maqedoninë e Veriut dhe në Shqipëri. Përveç kësaj, ai drejtoi zyrën rajonale të FES në Serbi për pesë vjet.