Kryeministrat Edi Rama, Isa Mustafa dhe Aleksandar Vuçiq takohen me njëri-tjetrin | Foto: Gazeta JNK

Shqiptarët: Gjysma e Zgjidhjes së Problemit në Ballkan

Edhe mund të keni dëgjuar shumë për atë që ka ndodhur muajin e kaluar në takimin e Edi Ramës me Aleksandar Vuçiqin në Beograd.

Janë shtruar shumë pyetje e dilema – e qe besa, në bazë të asaj çka kemi parë e dëgjuar, janë shpërndarë shumë informata e dezinformata, prej mediave e atyre që maskohen të jenë media, analistëve e banalistëve. Duhet jemi më të sinqertë edhe mes nesh e edhe me opinionin dhe t’i sqarojmë disa gjëra.

Pse Kosova po hesht për Kosovën?

Krejt filloi me zhurmën: pse po takohet Shqipëria me Serbinë pa Kosovën; pastaj pse në këtë forum po takohen Kryeministrat e Serbisë dhe Shipërisë pa Kryeministrin e Kosovës; Më pas, se nuk po e ftojnë Kryeministrin e Kosovës por po i ftojnë disa zyrtarë të rangut të ulët. Në lumin e këtij debati ndodhi arrestimi i drejtorit rajonal të Policisë së Kosovës, Nehat Thaçi, në kufi me Serbinë dhe, krejt në fund, kjo u gjet si justifikim që Kosova t’ia bëjë ‘block’ çdo ftese që vjen nga Beogradi për këtë forum.

Përsëri një forum i cili është dashur të shërbejë për shqyrtim të mundësive, zgjidhjeve dhe rrugëdaljeve, ra në hijen e shkurtpamësisë së politikës ditore, hijen e papjekurisë së atyre që konsiderojnë se ndikojnë në opinionin publik dhe në hijen e sedrave e inateve të ulëta ballkanike.

Natyrisht, duke mos pasur punë më të mençur, kulminacioni arrihet në momentin kur në vend se të shqyrtohen mundësitë si të ecet përpara e si të tejkalohet bllokada, publiku në Shqipëri e Kosovë fillon të bombardohet prej asaj se ‘a jemi shqiptarë a kosovarë’.

I kemi parë nëpër portale e televizione edhe disa banalistë të cilët krizën e tyre të identitetit dhe nevojën që të jenë në qendër të vëmendjes e shërojnë përmes krizës artificiale se kë e kanë babë, e kë e kanë nanë!

Shumë shpejt u harrua Vuçiqi, shumë shpejt u harrua fakti që nga 16 marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel, vetëm 4 mund të quhen të implementuara.

Këto ditë, publiku edhe në Kosovë e edhe në Shqipëri gati është dhunuar nga diskutimet artificiale se a duhet Edi Rama ta përmendë fjalën Kosovë gjatë vizitës së tij në Beograd. Askush nuk është preokupuar me fatin e implementimit të marrëveshjes për kod telefonik, për njohjen e diplomave, implementimin e marrëveshjes për energji, targa të veturave e karton të gjelbër.

Dikush mund të thotë që këta analistë e banalistë, e qe besa edhe gazetarë që s’dinë ma mirë – kanë humbur udhën mes shkurreve të injorancës edhe nuk po e shohin pyllin e interesave të përbashkëta edhe në Kosovë, edhe në Shqipëri e edhe në Serbi.

Për mua, nuk është pyetja pse Rama po flet për Kosovën. Pyetja ime është: Pse Kosova po heshtë për Kosovën?!

Pjekuria e re politike në Ballkan

Në ngjarjen e Beogradit u fol për rajonin, hyrjen e rajonit në Bashkimin Evropian, daljen nga BE-ja edhe … përfundoi me dashni! Sipas Vuçiqit, Shqipëria e ka lehtë se e ka veç një dashni, pra Evropën; ndërsa Serbia duhet të vendosë në mes të Rusisë dhe Evropës.

E mësiti i kësaj dashnie me Evropën, Kancelarja e Gjermanisë Angela Merkel, po konceptohet si personi që po u trason këtë udhë edhe tjerëve, jo vetëm serbëve e shqiptarëve.

Kështu është kur e ke një dashni: Edi Rama nuk frikësohet për të bërë parashikime! E ka bast të sigurt kush do të mbesë në krye të Gjermanisë; edhe kush do të vijë në krye të Amerikës – e dobësi e Edi Ramës në këtë rast është se nuk e di si po shkojnë punët me Rusinë… në të vërtetë as Vuçiqi nuk e di këtë.

Ajo çka u pa dhe që po dihet është që të dy këta liderë, “burrështetas të mëdhenj” siç i quajti moderatori në Forumin e Sigurisë në Beograd (për shkak të gjatësisë, jo për diçka tjetër), kanë nevojë që dikush t’ua cingërrojë telefonin dhe t’u tregojë si të dalin nga krizat në të cilat aq lehtë bien dhe të cilat, në raste jo të rralla, edhe vetë i krijojnë. E Kosova, është një krizë e tillë.

Njëra prej brengave më të mëdha në Kosovë është politika pasive dhe defansive – këtë më së miri e shohim në rastin e fundit kur pasi qeveria e Kosovës vetë nuk po mundet të nxjerrë rezultate pozitive në relacion me Serbinë, ia mohon edhe Edi Ramës të bëjë përpjekje në këtë drejtim.

Një gjë duhet ta kemi të qartë: në agjendën e të mëdhenjve, Kosova është vetëm një pikë në det, një problem i vogël.

Në botën që deri më tani është preokupuar me Kosovën dhe Ballkanin, tani dominojnë tema tjera: marrëdhëniet Rusi/NATO, EU/BREXIT, Migrimi/Lufta në Lindjen e Mesme.

Ajo çka u arrit kohëve të fundit është që për herë të parë flitet në mënyrë të civilizuar për faktin që shqiptarët dhe serbët janë dy popujt më të mëdhenj në Ballkan.

Jo “Shqipëria, Kosova, Lugina, Malësia, Ilirida dhe Çamëria…” ; Jo “Shumadia, Vojvodina, Sanxhaku, Republika Srpska…”; Pra, po flitet për “shqiptarët” dhe “serbët” si dy popuj më të mëdhenj në Ballkan, si faktorë stabiliteti në Ballkan.

Është hera e parë që në këtë formë po ndërtohet, dhe pranohet, një konvencë dhe kuptim i ri!

Për herë të parë shqiptarët po prezantohen dhe pranohen prej forcave të mëdha si gjysma e stabilitetit në Ballkan. Kjo nuk është punë e vogël edhe nuk mund të anashkalohet nëse e duam një analizë të thuktë!

Nuk e di a është kjo ide e Edi Ramës, apo ia ka “rrehë” telefonin Merkeli, por unë nuk mbaj mend kur shqiptarët në të kaluarën e kanë pasur këtë rast dhe këtë pozicion: që të jenë zyrtarisht saktë gjysma e zgjidhjes së problemit në Ballkan.

“Inatin kija, por hakun mos ja ha!”

Nuk dua të tingëlloj si ‘promovues’ i Edi Ramës, të cilit nuk e di nëse ndonjëherë do t’ia bëj hallall punën e çelësave të Tiranës. I gatshëm po i parashoh akuzat nga portalet, analistët, banalistët e “gazetarucë” shkrimet e të cilëve kushtojnë “një-euro-sekondi”, por, në këtë rast, “inatin kija, e hakun mos ja ha”!

Edhe Rama edhe Vuçiqi janë duke treguar kulturë dhe pjekuri të re në skenën e politikës dhe diplomacisë ballkanike – me ose pa Merkelin. Nuk di dhe nuk po më intereson fort ky dimension. Ajo që po më intereson është, që sa më shumë kulturë të tillë, aq më pak fashizëm, aq ma pak nacionalizëm, edhe aq ma pak ekstremizëm religjioz, edhe islamik edhe të krishterë ortodoks.

Kësaj i thonë iniciativë, drejtim i proceseve, e jo vetëm të presësh “pik sorrë, t’lumt…” – çka thonë amerikanët, gjermanët e ata në Bruksel.

Sa kohë ka kaluar qeveria e Kosovës për t’i treguar Ramës prioritetet që do të duhej të ngriheshin në këtë forum? Përpos Trepçës, është impementimi i marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel – t’i tregohet çfarë të kërkojë e çfarë të shtyjë përpara.

T’i paraprijnë gjërave dhe mos të lejojnë që Rama të gjindet në situatë që nuk ka informata se çka është më e rëndësishme për Kosovën në këtë moment.

Pra krejt kjo që po villet sot në mënyrë të pafytyrshme në debatin artificial ‘a je shqiptar a je kosovar’, bazohet në: Unë s’po di me folë e s’po di me kry punë, pra mos fol as ti!

Edi Ramës i është kërkuar të mos flasë për Kosovën sepse nuk i njeh problemet, e aq ma pak serbët.

Shtrohet pyetja, pse Rama nuk i din? Pse qeveria e Kosovës nuk sigurohet që Rama t’i dijë në detaje problemet? Pyetja tjetër që shtrohet është: këta që po shiten që i dinë problemet, çka bënë e çka po bëjnë?

Ka tri vjet që është nënshkruar kodi telefonik; 400 kilovoltëshi Prishtinë-Tiranë, autostrada energjetike, është kryer por ende nuk është lëshuar në funksion; diplomat e shkollave ende nuk po njihen; ende nuk ka asgjë për të pagjeturit – as ata shqiptarë, e as ata serbë; ka 1 vit që po diskutohet që targat e automjeteve të Kosovës të mbulohen me njëfarë flete ngjitëse kur të dalin në territor të Serbisë.

Fatkeqësisht, në vend se me u marrë me zgjidhje të problemeve, në vend se të punohet, ne ose jemi duke heshtur ose duke sharë- një tipar ballkanik i trajtimit të problemeve.

Fatkeqësisht, komunikimi qeveri- popull është tkurrur edhe në Kosovë edhe në rajon. Është shndërruar ose në heshtje shpërfillëse, ose në analiza të militantëve gazetareskë të cilët shumë rrallë shkojnë përtej banalitetit ose statuseve të mllefosura në Facebook.

Edhe shqiptarët e edhe serbët – që krejt bashkë bëjnë sa një metropol evropian– meritojnë më shumë llogaridhënie nga ana e qeveritarëve të tyre, drejtësi, dhe jetë më të mirë e të dinjitetshme.

Ky tekst është shkruar për emisionin ‘Jeta në Kosovë’ të transmetuar në RTK me datën 20 tetor 2016. Emisionin mund ta shikoni në linkun e mëposhtëm: