Foto: Komuna e Ferizajt

Shpërthimi i bombolave të gasit - dështim i hallkës së qeverisë

Si pasojë e shpërthimit të gazit në të dyja rastet e fundit, njëra në rrugën Prishtinë- Ferizaj, afër Prishtinës dhe tjetra në Ferizaj, u lënduan rreth 60 persona.

Në rrjetet sociale në të dyja rastet u raportuan si shpërthim i bombolave të gazit, ndërkohë që, në aspektin teknik, ato raste janë të ndryshme.

Shpërthimi në afërsi të Prishtinës, ndodhi nga rrjedhja e gazit brenda objektit, që kishte të bënte me instalimin dhe përdorimin joprofesional, kurse rasti i Ferizajt ndodhi nga shpërthimi i bombolës së vendosur në kthinën e objektit. Në të dyja rastet, këto pajisje, i nënshtrohen inspekcionit për enët nën presion dhe me rrezikshmëri të lartë dhe kjo çështje përshkruhet me Ligjin Nr. 06/L-031 dhe mbikëqyret nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit (MEA). Në këtë Ligj saktësohet se importuesit janë përgjegjës për vendosjen në treg të bombolave dhe të rezervuarve të gazit, të cilat sipas kësaj Ministrie duhet t’i plotësojnë kushtet themelore të sigurisë. Sipas këtyre dispozitave, importuesit apo përfaqësuesit e autorizuar janë përgjegjës dhe obligohen të prezantojnë certifikatën e konformitetit dhe dokumentacionin përcjellës, pra Ligji këtë problematikë e definon qartë.

Problemi, pra, ndodhë në mënyrën si zbatohet ky Ligj në praktikë dhe kush është përgjegjës për aplikim të këtij Ligji. Dhe askush tjetër nuk mund të jetë me përgjegjës se sa Ministria përkatëse. Respektimi i ligjit nuk mund të vihet në ndërgjegjen e askujt, sidomos të atyre që abuzojnë. Importuesit janë të detyruar që me rastin e importimit, të bombolave dhe rezervuarve në doganë të paraqesin certifikatën origjinale (jo e shkarkuar me ngjyra nga interneti) dhe dokumentacionin përcjellës origjinal si: prodhuesin, nr. serik të prodhimit, datën e prodhimit, presionin maksimal të shqyrtimit, trashësinë e llamarinës, llojin e çelikut, mënyrën e përpunimit të skajeve të llamarinës për saldim dhe lëngu (gazi) që mund të mbushet etj.

Nëse dokumentet e kërkuara me Ligj janë të parapara kushtet se si importuesi mund ta fut pajisjen për gaz në territorin e Kosovës, në të kundërtën pajisja kthehet mbrapa nga ka ardhur. Importuesit i pason gjoba drastike (operatorit ekonomik edhe me marrje të licencës). Por kjo nuk mund të bëhet vazhdimisht vetëm nga Dogana. Kohë pas kohe, dokumentacionin dhe pajisjen (në doganë) duhet ta kontrolloj dhe verifikoj personi i autorizuar pranë kësaj Ministrie, profesionist i cili mund të urdhëroj marrjen e mostrës (bombol) e cila duhet të jetë prodhuar sipas standardit (ne nuk kemi por vlejnë standardet dhe normat e EU-së, apo DIN standardi) dhe jo çka shkruan në dokument, p.sh. në dokument mund të shkruaj trashësia e llamarinës 4mm, me standard kërkohet të jetë 5mm, nga ku del që pajisja nuk është në përputhje me normat, malli duhet të kthehet mbrapa nga ka ardhur. Kjo mënyrë e marrjes së mostrës duhet të përsëritet kohë pas kohe, pa e ditur se cilit importues dhe në çfarë kohe i merret mostra për ekzaminim.

Siguria dhe respektimi i ligjit duhet të vendoset edhe në pikat e mbushjes ose shpërndarjes së gazit. Çdo operator ekonomik që bën mbushjen dhe shpërndarjen e gazit, duhet të sanksionohet dhe të gjobitet rënd, nëse bën mbushjen e bombolave dhe rezervuarëve të gazit që ju ka skaduar afati i atestit. Nga përvoja e shteteve të rajonit, por edhe në kohën e ish Jugosllavisë, në pikat e mbushjes nuk ke mundur të mbushësh bombolën me atest të skaduar, atesti (në trupin e bombolës shtypet data e atestimit) vlente 5 vite. I njëjti vlen edhe sot.

Bombola me atest të skaduar duhej të dërgohej për t’u atestuar. Kompromisi bëhej, shfrytëzuesi duhet të paguante kundërvlerë 50 marka gjermane dhe merrte bombolën e mbushur me atest valid. Në rastin e Kosovës, sot hallka e qeverisë ka dështuar, sepse në pikat e mbushjes bëhet mbushja e bombolave, me atest të skaduar, por edhe nga rezervuarët gjithashtu me atest të skaduar.

Për pajisjet e gazit që importohen në Kosovë, dhe në pikat për mbushje, mbushja bëhet pa e respektuar ligjet, normat dhe standardet në fuqi, që nuk mund të arsyetohet.

Pas lufte por edhe më vonë, në Kosovë janë importuar shumë bombola dhe rezervuar të vjetruar pa ateste, dhe jo në përputhshmëri me ligjin dhe standardet. Kjo shihet shumë qartë në pikat e mbushjes, ku pajisjet janë marrë të vjetruara, nga vendet e rajonit, janë futur në Kosovë, janë pastruar në sipërfaqe (aq sa kanë mundur) dhe janë ngjyrosur. Tash në këto pika shihen po ato rezervuarë dhe bombola të cilave korrozioni iu ka dalë në sipërfaqe, ndërkohë që për konsumatorë mbushja vazhdon.

Operatorët Ekonomik veprimtarinë e tyre duhet ta zhvillojnë konform Ligjit, normave teknike dhe rregullave me qëllim të furnizimit të qytetarëve por duke mos e kërcënuar sigurinë e tyre. Njëkohësisht nuk arsyetohen as pronarët dhe shfrytëzuesit e këtyre pajisjeve, të cilët nuk i respektojnë ligjet. Pronari është i obliguar të hartoj projektin, nga projektuesi kompetent, të posedoj të gjitha atestet origjinale të pajisjeve, instalimin ta bëjë Operatori Ekonomik me staf të kualifikuar për këtë lloj instalimi. Ai duhet ta lajmëroj inspekcionin pranë Ministrisë, se është duke instaluar pajisjen në objekt dhe në vend të caktuar.

Inspektori ose personi i autorizuar pas kryerjes së punimeve, nëse instalimi dhe pajisjet janë në përputhshmëri me ligjet dhe normat teknike, lëshon lejen e përdorimit. Përdoruesi duhet të ketë personin e kualifikuar për mirëmbajtje të këtyre pajisjeve.