Shpërbërja e USAID-it nga Trump dëmton interesat amerikane dhe është dhuratë për konkurrentët tanë

Përpjekja e Administratës së Trumpit për shpërbërjen e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) dëmton interesat strategjike amerikane, dëmton rejtingun tonë ndërkombëtar dhe rrit rrezikun për popullsitë më të cenueshme të botës dhe dëmton padrejtësisht shërbyesit publik besnikë dhe jopartizanë.

Është dashur ta dija, deri para gjashtë javësh isha ambasador i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, një vend ku ka një Mision të madh të USAID-it. Kolegët tanë në USAID ishin pjesë integrale dhe thelbësore e “Ekipit (ndërinstitucional) të Vendit” që i prija unë – duke mbështetur përpjekjet tona strategjike për promovim të stabilitetit dhe prosperitetit në një kënd të pasigurt të Europës.

USAID-i është një mjet i vlefshëm i politikës së jashtme amerikane. Me rreth më pak se 1% të buxhetit federal, puna e kolegëve të USAID-it është rast i mirë për Amerikën. Kthimi i investimit është i madh me suksese, si:

-Partneriteti me ushtrinë tonë për luftimin e ISIS-it në Siri;

-Frenimi i kërcënimeve në rritje të shëndetit në shkallë botërore, si Ebola;

-Reduktimi i imigrimit ilegal, duke përmirësuar kushtet në vendet e tjera;

-Gara me Kinën për ndikim ekonomik;

-Avancimi i sigurisë dhe stabilitetit në rajone, dikur të shkatërruara nga lufta, si Kosova.

Shpartallimi ose eliminimi i Programeve dhe stafit të USAID-it është dhuratë për konkurrentët tanë. Investimet zhvillimore të Kinës anembanë botës kanë prekur kulmin me ngritje prej 525%, në 15 vjetët e fundit. Tërheqja e personelit dhe programeve zhvillimore amerikane redukton ndikimin dhe zotësinë tonë që t’u kundërvihemi efektivisht zhvillimeve në rajone strategjike kyçe.

Vendimi befasishëm i Administratës Trump për të tërhequr pothuajse tërësisht forcën punëtore tejdetare të USAID-it ndëshkon padrejtëissht shërbyes të përkushtuar publikë, të cilët bensikërisht zbatojnë politikën dhe programet amerikane të aprovuara nga Kongresi, shpesh duke punuar në ambiente me kërcënim të lartë anembanë botës përballë rrezikut të madh personal.

Punëtorët e USAID-it janë patriotë, të cilët zbatojnë politikën e Presidentit dhe të ekipit të tij të Sigurisë Kombëtare. Ata punojnë për çdo President pavarësisht përkatësisë partiake ose politike. Ky vendim i pamatur po krijon kaos, po mbjell frikë dhe prish karrierën e jetën e tyre, si dhe po prek për keq familjet e tyre.

Po kështu, kostoja për tatimpaguesin amerikan për këtë tërheqje të papritur e të çorganizuar nuk është e parëndësishme: një përllogaritje e ulët e kostos për riatdhesim të 1.400 zyrtarëve të USAID-it dhe familjeve të tyre kap vlerën prej 20 milionë dollarësh.

Dhe, ja se çfarë thotë përmbajtja e një deklarate të lëshuar së fundmi prej një grupi bipartizan të pesë ish-administratorëve të USAID-it, që i priu Agjencisë nën Presidencat demokratë dhe republikanë: “ta dobësosh dhe ta shkatërrosh Agjencinë nuk është përfitim për asnjë parti politike dhe në dëm të të gjithë amerikanëve… Derisa ne nuk pajtohemi për të gjitha çështjet, ne pajtohemi me gjithë zemër se programet e ndihmës së jashtme të Amerikës dhe USAID-it janë jetike për interesat tona, se burra dhe gra me karrierë të USAID-it na kanë shërbyer gjithsecilit prej nesh gjithashtu dhe se është detyrë e Administratës dhe Kongresit që të mbrojmë menjëherë rolin statutor të Agjencisë”.

Kjo përpjekje e Administratës së Trumpit për të shpërbërë USAID-in dëmton interesat parësore amerikane, privon ndihmën jetëshpëtuese dhe keqtrajton shërbyesit publikë besnikë amerikanë.

(Jeff Hovenier, qytetar nga Bellnghami, së fundmi është pensionuar pas 34 vjetësh karrierë në Shërbimin e Jashtëm të SHBA-së. Angazhimi i tij i fundit ishte si Ambasador amerikan në Kosovë. Ai jeton në Bellingham.)

Shkrimi është botuar në Belingham Herald dhe është përkthyer në shqip nga Rexhep Maloku / Kallxo.com