Ilustrim

Shpëlarja e parasë në Ballkan po lulëzon

Me 12 maj, prokurorët në Maqedoninë e Veriut e akuzuan Nikola Gruevskin, ish-kryeministrin e këtij vendi, për shpëlarje parash. Sipas tyre, pretendohet se ai kanalizonte para të gatshme, të cilat ishin dhënë si donacion partisë së tij, përmes shtetit të Belize për të blerë prona në mënyrë të jashtëligjshme dhe fshihte pronësinë e atyre pronave. Sipas tij, ky rast është i motivuar politikisht. Ndërkohë, në Jahorina, një vendpushim popullor boshnjak skijimi, gangsterë, plus zyrtarë të cilët ata i kanë korruptuar, kanë investuar në hotele. Të gjitha llojet e korrupsionit janë të gjithëpranishme. Një emigrant, i cili ka ndërtuar një gjysmë blloku banesash pranë shtëpisë së tij në qytetin e Vlorës, në Shqipëri, pretendon se ndërtimi ka ngecur sepse ai nuk pranon të paguajë ryshfet për të siguruar lejet e nevojshme.

Në të gjithë Ballkanin para të pista po shpërlahen përmes pronës, duke manipuluar me tregun dhe duke i rritur çmimet – duke i inatosur ata që janë në kërkim të një vendbanimi. Ndërtesat te reja dhe luksoze po ngrihen në Tiranë, Prishtinë dhe Beograd. Megjithëse ekonomitë e Ballkanit janë goditur rëndë nga pandemia Covid-19, çmimet e pronave në pjesë të rajonit e kanë sfiduar gravitetin. Në Tiranë, ato janë më shumë se dyfishuar që nga viti 2017. Në të gjithë Shqipërinë, vlera e transaksioneve të pasurive të patundshme u rrit me 6.7% në vitin 2020.

Pastrimi i parave të drogës, veçanërisht nga trafiku i kokainës, i cili ka lulëzuar në vitet e fundit, është një arsye pse çmimet po rriten, thotë një raport i ri nga Iniciativa Globale Kundër Krimit të Organizuar Transnacional (Global Initiative Against Transnational Organised Crime), një rrjet ndërkombëtar i specialistëve kundër krimeve. Një tjetër arsye është se zyrtarët e korruptuar duhet t’i investojnë paratë e tyre. Të gjitha shtetet e Ballkanit kanë ligje të shëndosha për shpërlarjen e parave, megjihatë implementimi është me hope.

Në dekadën e kaluar, sindikatat e krimit në Ballkan i kanë tejkaluar shtetet e tyre të vogla të origjinës. Ato tani fitojnë shumë nga paratë e tyre jashtë shtetit. Prandaj, thotë raporti në fjalë, një pjesë e madhe e fitimeve të tyre është investuar edhe jashtë shtetit. Por ato ende investojnë në shtëpi. Fatjona Mejdini, e cila ka ndihmuar në hulumtimin e raportit, thotë se qeveritë e Ballkanit janë në mëdyshje në lidhje me pastrimin e parave.

Ato duan ta godasin atë, por njëkohësisht të njëjtat mirëpresin vendet e punës dhe investimet që mund të sjellë. Sa për gangsterët, vrasësit me para, ata janë konservatorë kur bëhet fjalë për t’i investuar ato. Ata “kanë mungesë imagjinate”, thotë zonja Mejdini, prandaj preferojnë tulla dhe llaç para shumë llojeve të tjera të biznesit të cilat  mund t’i përdorin për ta pastruar plaçkën e tyre.

https://www.economist.com/europe/2021/05/22/balkan-money-laundering-is-booming

 

Përkthimi: Nuhi Shala