Shoqëria offline

Pandemia e shkaktuar nga COVID-19 ka ndryshuar mbase përgjithmonë mënyrën e funksionimit të shumë kompanive, organizatave dhe sektorëve të tërë ekonomikë.

Puna nga largësia tashmë është praktikë standarde dhe jo eksperiment ose luks, zyrtarë policorë ose tjerë që kërkojën vërtetime vaksinimi për të hyrë në ndërtesa, zyrat me ndarje fizike të shumta, hapësirat me dezinfektues gjithandej, janë pjesë e përditshmërisë sonë dhe jo skena nga lajmet ndërkombëtare ose nga ndonjë film.

Mirëpo, janë dy sektorë të rëndësishëm shoqërorë që nuk kanë qenë në gjendje që sfidave pandemike t’i përgjigjen ashtu që të mund të përmirësoheshin cilësisht – shkollimi dhe mediat.

Vitet pandemike shkollore

Mbase është e kuptueshme pse në vitin e kaluar shkollor, shumica e masave merreshin ad-hoc. Për virusin dihej pak, vaksina nuk kishte, valët e infeksionit nuk ishin të njëjta dhe fluksi i popullatës varironte.

Mirëpo, viti i ri shkollor, që filloi më 26 shtator, tregoi disa dobësi serioze që i ka sistemi arsimor në Kosovë.

Fillimisht vendimet për shtyrjen e fillimit të mësimit tregojnë se ka pasur pak ose aspak planifikim në këtë drejtim. Kujtojmë që më 28 gusht u morr vendimi që mësimi të mos fillojë më 1 shtator, por të shtyhet për datën 13 shtator. Më pas, më 12 shtator, kur besohet se është dashur gjithçka të jetë gati që më 13 të hapen shkollat, është miratuar vendimi që kjo hapje të shtyhet për datën 26 shtator.

Ndërkohë këto katër javë shtyrje u dëshmuan se e kanë zënë tërësisht të papërgatitur Qeverinë dhe MASHTI-n, që të organizojë mësim online dhe fëmijët i humbën katër javë, kurse prindërit me marrëdhënie pune, u ballafaquan me telashet praktike që sjell mos funksionimi i shkollave dhe çerdheve.

Kosova në njërën anë është një nga vendet me depërtueshmërinë e internetit më të lartë në Evropë, po ashtu ka shumë popullatë të re që vijojnë shkolla ose universitete dhe që shumicën e kohës e kalojnë në telefona. Gjatë pandemisë është rritur edhe më shumë përdorimi i aplikacioneve për komunikim online dhe kemi qenë dëshmitarë të organizimit të “ndejave” online, lojërave të ndryshme, konferencave virtuale, programeve televizive dhe shumë gjërave të tjera.

Po ashtu jemi dëshmitarë që ka komuna në Kosovë ku funksionon ose është në fazë testuese “ditari digjital” që u mundëson arsimtarëve, prindërve dhe fëmijëve qasje online në të dhënat e nxënësve.

Me të gjitha këto parakushte është e pa tolerueshme pse nuk ka pasur mësim online dhe njëkohësisht shumë brengosëse, pse lëndët e kodimit, programimit dhe lëndët e ngjashme nuk janë pjesë e kurrikulave shkollore.

Kur kësaj i shtojmë faktin se përkundër shtyrjes katër javore, akoma nuk është i tërë personeli arsimor i vaksinuar, atëherë qartazi shihet, se telashet nuk janë organizative, por edhe të natyrave tjera. Në fakt, kur konstatohet se as vaksinimi i detyrueshëm për punëtorët e sektorit publik nuk ka pasur efekt që së paku 4/5 e tyre të vaksinohen, i bie që edhe ata që paguhen nga taksat tona, edhe ata që paguhen të na mësojnë fëmijët, mund të jenë viktima të lajmeve të rrejshme ose fushatave të ndryshme kundër vaksinimit.

Infodemia

Për shkak se njerëzit gjatë pandemisë janë të prirur shumë më shumë të mbajnë afër telefonët ose aparatet tjera, edhe lajmet e rrejshme janë përhapur më shpejt dhe më shumë në këtë kohë.

Kuptohet, në vitin kur në Kosovë organizohen dy palë zgjedhje, ka qenë mbase pritshme që politikanët të jenë më agresivë. Mirëpo, në këtë shkrim do të ndalemi vetëm të pjesa që ka të bëjë me pandeminë.

Këtu duhet qenë korrekt dhe duhet thënë se shumica e mediave në Kosovë, sidomos ato që monitorohen nga KMSHK dhe KPM nuk kanë përhapur shumë lajme të rrejshme rreth vaksinimit.

Këto lajme janë përhapur nga platforma të ndryshme në rrjete sociale, që nuk janë media, por që postojnë foto, video dhe shkrime që i gjasojnë atyre gazetareske.

Si organizatë, D+ ka botuar një doracak për identifikimin e lajmeve të rrejshme dhe insistojmë që njohja e burimit prej nga merret lajmi është shumë i rëndësishëm për lexuesit.

Fakti që mbi 100 mijë vaksina u nxorën nga përdorimi dhe përfunduan në plehra për shkak se iu skadoi afati tregon se kosovarët kanë pasur preferenca për një vaksinë të caktuar, ose kanë rënë pre e lajmeve të rrejshme për një lloj të vaksinës.

Fakti që platforma “ekosova” ka pasur probleme të herëpashershme, ka bërë që shumë të lehtë kosovarët të bëjnë shopping online në Kosovë dhe botë, sesa të caktojnë termin për vaksinim. Kjo tregon që sektori publik akoma nuk është gati për një funksionim të shpejtë dhe online edhe pse internet kemi të gjithë.

Nëse edukimi medial është sfidë shoqërore për të rriturit dhe ata të moshës së tretë, edukimi digjital dhe softverik është domosdoshmëri për shkollarët. Ndryshe, rrezikojmë që të jemi në internet, por të jemi offline si shoqëri.