Shakaja e Vazhdueshme e Brutalitetit Ndaj Grave

‘Çfarë bën burri kur e hedh një grua prej dritares? Paj, e ndot ambientin. Dhe: në ç’mënyrë i përngjan gruaja topit të tenisit: Sa më fort ta flakësh, aq më shpejt kthehet.

Ha-ha.

Më lejoni t’ju kursej nga pjesa tjetër e listës disafaqëshe të shakave mizogjiniste që Roberto Bolano qëllimisht i ka përfshirë në kryeveprën e tij “2666”, ku përpiqet të shpjegojë në mënyrë sa më tronditëse vrasjen e qindra grave në qytetin kufitar të Meksikës, Santa Teresa (zëvendësues për San Huarez).

Shakatë tregohen nga policët që do të duhej të hidhnin dritë mbi vrasjet dhe zhdukjet e qindra grave në shkretëtirën meksikane. Këto shaka janë me të vërtetë qartësuese: ato na tregojnë se sa pak ka vlerë jeta e një gruaje – sa të flakshme janë ato. Në botën e Bolanos, gratë shihen si torollake (‘si quhet një qelizë nervore brenda kafkës së një gruaje? Paj, turist.’), vegla për të pastruar dhe gatuar ushqim, objekte për përdhunim. Ato konsiderohen si më pak se njerëz.

Ne jetojmë në brenda 2666-it dhe e ardhmja jonë duket e djerrë. Gruas shqiptare që u godit vazhdimisht nga bashkëshorti i saj në mes të rrugës, para syve të fëmijëve të saj dhe shumë këmbësorëve, sigurisht që dhuna nuk i është dukur qesharake. Gazi nuk e kishte kapluar as një grua nga Malisheva që u rrah nga burri i saj disa ditë më parë.

E njëjta vlen edhe për Emily Doe, letra të cilën ia dërgoi përdhunuesit të saj, Brock Allan Turner, në mënyrë shpirt-copëtuese përmbledh se si funksionon fajësimi i viktimave dhe kultura e përdhunimit, pas së gjithash, a s’është përdhunuesi i Stanford-it notar i shkëlqyeshëm? Asnjëri nga këto raste nuk është i veçantë, apo për fat të keq, i pazakontë – por kjo listë vetëm shfaq se sa e vrazhdë ishte kjo javë.

Ballinat dhe portalet janë vërshuar nga lajmet e dhunës ndaj grave vetëm dy vjet pasi revista TIME ka sugjeruar që të ndalohet fjala feminizëm. Eh, sa jashtë rrjedhave të kohës ishte TIME.

Këto raste kanë shkaktuar reagime, shumë njerëz i kanë dalë krah viktimave, të tjerë, si vetja ime, janë zemëruar dhe irrituar. Megjithatë, ashtu si në rastin e Përdhunuesit të Stanford-it, viktimat zakonisht mbartin barrën për justifikimin e sjelljeve të tyre, sikur ato kanë nxitur dhunën që i ka pllakosur. Çfarë kishte veshur Emily kur ishte përdhunuar nga Brock-u prapa një kontejneri plehrash (teksa ishte e alivanosur, madje)?

Në mars, kolumnistja e Prishtina Insight, Shqipe Gjocaj, ka deklaruar: në Kosovë, kultura e përdhunimit është kulturë e zakonshme. Gjocaj ka shkruar:

“Kultura e përdhunimit është legjitime sepse marrëdhëniet gjinore, rolet dhe vlerat në fusha dhe institute të ndryshme vazhdojnë ta përforcojnë besimin se burrëria duhet të dëshmohet përmes dominimit dhe agresivitetit ndaj grave (dhe burrave tjerë), përderisa gratë duhet ta dëshmojnë vleftën e tyre duke qenë të nënshtruara, të heshtura dhe pasive.”

Kohët e fundit, ish-Ministri i Arsimit të Kosovës ishte akuzuar për ngacmimin seksual e një studenteje. Pasi sqaroi çështjen me ‘familjen’, ai u lirua.

Donika Gërvalla, anëtare veterane e LDK-së, është tërhequr zvarrë jashtë kongresit të asaj partie. Nuk besoj se kam nevojë të flas për dhunën e kryer ndaj grave Deputete opozitare të Kuvendit të Kosovës, të cilat dyshoheshin se kishin mbartur gaz lotësjellës përmes organeve intime magjike.

Sipas një raporti nga Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGKK), 68 përqind e grave në Kosovë kanë përjetuar dhunë familjare, kurse një raport ende më i freskët ka konstatuar se 64.1 përqind të grave janë ngacmuar seksualisht gjatë jetës së tyre.

Vetëm në vitin 2015, në Policinë e Kosovës janë paraqitur 1,038 raste të dhunës familjare, 54 raste të përdhunimit apo tentim përdhunimi dhe 65 raste të shpërdorimit seksual të miturve nën moshën 16.

Megjithatë, përdhunimet dhe dhuna në familje janë të ngatërruara me turp dhe nder, dhe si të tilla raportohen pak. Dyshohet se 14 pjesëtarë të Policisë së Kosovës janë përfshirë në ngacmimin seksual (lexo: përdhunimin) e dy vajzave të mitura.

Kur ishte propozuar që të mbijetuarat e përdhunimeve gjatë luftës të përfshihen brenda një ligji që përcakton pensione për viktima civile të luftës, shumë deputetë të Kosovës e kundërshtuan projektligjin dhe dikush madje u kërcënua dhe u rrah sepse “e ka mbrojtur turpin”.

Sidoqoftë, vitin e kaluar në ditën e çlirimit të Kosovës (12 qershor), u përuruan dy instalacione të rëndësishme që përkujtuan gratë që kanë përjetuar dhunë seksuale gjatë luftës së Kosovës, që e ndryshuan mënyrën se si flitet në medie për të mbijetuarat e përdhunimeve. Kemi kaluar nga emërimi i tyre si viktima në të mbijetuara – gjë që është zhvillim shumë i madh.

Pasi pamjet e tmerrshme të rrahjeve të grave shqiptare u shfaqën në internet, shumë njerëz filluan të ngarkonin video të rasteve të tjera të ngjashme nga anë e kënd bota. Ndonjëherë ata qartësuan të nënkuptueshmen: Pa shikoni, gratë po rrihen kudo! Po, dhuna ndaj grave, sikundër edhe sistemi patriarkal, janë mbizotëruese në shumicën e shteteve të botës. Dominimi i saj anembanë nuk është arsyetim – por duhet të ishte alarmante.

Sot, një grup aktivistësh dhe aktivistesh nga Tirana po organizojnë një tubim për ta ‘thyer heshtjen’ e dhunës ndaj grave në Shqipëri. Sidoqoftë, në këtë anë të kufirit, debati mbi rrahjen sistematike të grave, përdhunimet dhe neglizhimin e tyre ende nuk ka zënë fill në mënyrë konstruktive.

Burrat dhe gratë duhet ta hapin një debat të çiltër mbi atë se kush po rrihet e përdhunohet e kush po i kryen rrahjet e përdhunimet. Ky debat nuk do të jetë i rehatshëm dhe do të kërkojë të gjithë fuqinë dhe njerzillëkun për të pranuar dhunën që e kryejmë dhe e tolerojmë, dhe përmes tolerancës e përforcojmë.

Atë e përforcojmë përmes mënyrës se si flasim, shpërndajmë përmbajtje në internet, mënyrës se si i rrisim fëmijët tanë dhe i trajtojmë bashkëmoshatarët. Kjo përfshin shakatë që i bëjmë në internet dhe në përditshmëri, dhe të tallesh me një grua që qëllohet në pikë të ditës, apo rrëmbehet dhe përdhunohet nga ish-dashnori i saj – kjo pra është një shaka njëmend e trentë.