Sërish Vjen Marsi, e Mua më Vjen të Qaj e Më vjen të Shaj!

Në kujtim të komandantit për idealet e të cilit u nisa për luftë.

Një fotografi e publikuar këto ditë nga shokët e Njësisë Speciale “Arbri”, më solli në kujtesë një ngjarje shumë të lavdishme. Në përvjetorin e rënies së komandantit Adem Jashari në Blinajë të Lipjanit ishte organizuar njëri nga aksionet më të mira të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

18 vjet pas kësaj ngjarjeje, nisem për në Prekaz për të nderuar komandantin dhe familjen e tij të rënë.

Në hyrje të Prekazit dëgjoj tingujt e këngës e cila çdo vit na sjell në mendje sakrificën e Jasharëve. Nuk duhet edhe shumë dhe melodia ndryshon në kokën time-në kujtesë më vijnë vargjet e këngës rebele “më vjen të qaj e më vjen të shaj”

I dëshpëruar nga ajo çfarë shoh në organizimin për të kujtuar Adem Jasharin, nisi të mendoj.

Marsi vjen çdo vit, e bashkë me të edhe Epopeja e UÇK-së.

Duke kujtuar lavdinë, “Nata e Zjarreve” do duhej të ishte kulmi i epopesë. Ndoshta edhe është, por me sytë e mi nuk e pashë.

Manifestimi ishte gjithçka tjetër, por jo edhe manifestim ku nderohen komandantët.

Nuk mund ta kënaqim veten dhe të themi se nderuam Jasharët duke ndezur zjarr me benzinë.

Marsi i Epopesë, do duhej të kishte se paku një organizim që do mbahej në mend deri në marsin tjetër.

Si artist, kur e mendoj manifestimin e epopesë në mendje më vijnë skena të mëdha, si “San Remo”, “Eurovision”, për të mos shkuar aq larg sa të themi se do ishte një organizim Oscari.

Unë ende nuk e di a ka këshill organizativ. Nëse po, kush janë, kush i zgjedh. Për më tepër, këtë vit u duk sikur na zuri në befasi, sepse veç dy ditë para se të fillojë manifestimi, u bë një lajm dhe informatë që edhe këtë vit do organizohet.

A e dinë këta të shkretë se për organizimin e Srebrenicës – jo për t’i krahasuar ngjarjet mes tyre sesa për nga rëndësia përkatëse e secilës sipas vendeve – përgatitjet fillojnë 3-4 muaj më herët dhe po atëherë bëhen edhe njoftimet dhe e gjithë kjo bëhet lajm botëror, apo për ne kjo s’ka rëndësi.

Në Prekaz të krijohej përshtypja se të gjithë ishin të mendimit “Edhe këtë vit me rëndësi që mos me na hup reni dhe në fund me thënë edhe ky vit shkoj”. Seriozisht marre!

Askush nuk kish mendu që mundet me ra shi. Për fat të mirë përroska afër varrezave nuk ishte fryrë si lumi që vërshoi Skenderajn atë ditë.

Për mysafirë të mos flasim.

Liderët nuk e denjësuan manifestimin. E rëndësishme që dy ditë më herët para dhjetëra kamerave e të ndarë vendosën kurora lulesh mbi varrin që i mungonin gjysma e shkronjave të emrit të legjendarit.

Njëjtë edhe komandantët, në vend se të ishin në krye të qytetarëve, ata mbase ishin strukur në ndonjë qebaptore në Skenderaj për të bërë plane për debatet e ardhshme televizive ku po diskutohet se kush e kishte më shok e kush e tradhtoi Legjendarin.

E ju këshilli organizativ nëse veç jeni, a nuk ju duket dështim as Pandeli Majkon nuk mundët ta sillnit në këtë përvjetor.

Sa poshtë ka ra katuni, t’mjerët na të gjallët!

Duke i pasur në mendje ato çfarë ndodhën para 18 vjetësh, vazhdoj të mendoj se Epopeja do duhej të ishte festë, dasmë, gëzim, sepse krejt këto për ne te vdekshmit aty e kanë rrënjën.

Fatkeqësisht edhe këtë vit një klishe e keqe. Një copy-paste nga vitet e kaluara, një organizim shpejt e shpejt, aq sa as posterin nuk patët kohë ta ndryshoni. Shyqyr dikujt i kishte ra në mend që duhet posterit t’i ndërrohet viti.

Përsëri nga larg dëgjohet “sërish vjen marsi”, e në drejtim të pishtarëve sulen ushtarët me flakadanë, e krahas tyre disa të tjerë të veshur me çizme të “sarihta të llastikut”.

Sërish vjen marsi, e vjen pranvera, për të rënët, të gjallët bëhen copë.

Nisi të mendoj pse nuk u vazhdua tradita, e pse nuk u tentua që ky manifestim të shkojë më lart. Duke e ndjekur logjikën e djaloshit me çizme të sarihta të cilit nuk i pritej që flakadanët të ndizeshin nga Garda e Nderit mund ta paramendoni për një moment 4 Korrikun e Amerikës ne duar të një “anonimusi”. Paramendojeni që në ceremoninë qendrore te 4 Korrikut, fishekzjarrët te shkrepeshin sipas logjikës personale te ndonjë stafi ndihmës të ceremonisë.

Fatkeqësisht në Prekaz zjarri kryesor u ndez para kohe, ndërsa organizatorët e paralajmëronin ndezjen në kohën kur zjarri tashmë kishte nisur të hapej edhe në livadh.

Mos të flas për tekniken dhe regjinë aty-MIZERABLE.

Ai vend, perveç tjerash dhe para se gjithash ka nevojë për dashuri, ka nevoje për ne. Ai vend ka nevoje për respekt.

Natyrshëm, s’po mund te përgjigjem në shume pyetje:

A thua vërtet nuk dimë?

A thua vërtetë nuk duam?

Apo, na kanë mbetur këmbët e arushës në dorë dhe tash marre mos ta vazhdojmë traditën?

A thua, komandantit do i pëlqente t’i shihte ushtarët e tij tash në FSK me çizme të shqyera?

Dhe për fund, a nderohet apo, çnderohet komandanti duke ia dhezur flakadanin me “çizme të sarihta”?