Rrëfimi i personit që iu infektua i vëllai me COVID-19

 

Në shtrat lidhur për oksigjen e nxorëm vëllanë nga autoambulanca dhe me forcë shtymë në përpjetën e lehtë për të hyrë në Infektive.

Gjëja e parë që vërejta duke hyrë në Infektive janë rendi i furgonëve të funeralit që janë në pritje të kufomës së radhës. Ndoshta për shkak të ngjyrës së zezë së tyre, mbishkrimin “FURGON FUNERALI”, punës që bëjnë apo gjitha këtyre së bashku – frika më kaploj.

Brenda Infektives në pranim personat e veshur nga koka deri në këmbë në të bardha. Fytyra nuk iu shihet nga maska. Skena është e njëjtë sikur në serialin e Chernobylit. Frika kaloj në nivel tjetër.

Deri sa unë jam i humbur në çdo gjë që po ndodh dhe deri sa nën zhurmat e rrotave të shtratit të oksigjenit jam duke u munduar me kuptu se si ndodhi që vëllai kaq shpejtë humbi zotësinë bazike të trupit – të merr frymë… motra kujdestare ndërpret këto mendime me zë të lartë, dhe të qartë, duke përsëritur disa herë pyetjet pasi që edhe ajo po kupton konfuzionin i cili është brenda kokës time.

Nga pranimi, përmes një lifti të madh, kalojmë nëpër një korridor të gjatë i cili ishte aq i pastër dhe vizëllues sa që m`u duk sikur akull patinazhi.

Përderisa unë jam duke ecur si një mumje, stafi mjekësor më duken sikur ata mekanikët në pit-stopin e Ferrarit. Çdo gjë para syve të mi po zhvillohet me shpejtësi dhe përpikëri të rrufeshme.

Pas pak minutave vëllai është tani i shtrirë në dhomën e Infektives. Stafi mjekësor është rreth tij duke siguruar që të pranoj kujdesin e nevojshëm. Pasi që më njoftuan për gjendjen e vëllait dhe hapat para nesh, dalin nga dhoma sikur trimat për në betejën e radhës.

Vëllai është në gjendje stabile, por nuk mund të merr frymë pa aparat oksigjeni, nuk mund qëndrojë në këmbë apo të shkoj në toilet vet. Bisedojmë shkurt dhe më thotë që ka dhimbje në gjoks sa herë që merr frymë. Pa zgjatur, e le rahat të pushon.

Tani e observoj dhomën.

Dhoma është shumë e pastër dhe shtretërit janë të rinj. Dritaret janë të gjata dhe po lejojnë plotë dritë nga jashtë. Aparatura mjekësore duket e re. Ashtu edhe dollapat. Dhoma ka një ballkon të madh dhe një pamje të këndshme.

Këto observime i ndërpreu vetëtima. Fillon shiu. U ndjeva i lehtësuar. Nuk di pse, iu gëzova shiut. Edhe vëllai po shoh, mbrapa maskës së oksigjenit, se po buzëqesh.

Dera kërciti. Me shpejtësi po futet pacienti i radhës në dhomë. Ndihmova aq sa munda që të rehatohet në shtrat. E shikoj – është një i moshuar i cili duket në gjendje edhe më të rëndë se vëllai im.

Rreth tij, engjëjt e veshur në të bardhë. Me sjellje të jashtëzakonshme, e me profesionalizëm edhe më të madh.

Kur përfunduan me pacientin, shkuan me shpejtësinë e njëjtë që kanë ardhur përsëri mbrapa në betejë.

E shikoj shoqëruesin e të moshuarit që sapo erdhi. Duket i humbur sikur unë. Shkëmbyem ca fjalë kurtoazie.

Nuk kaloj shumë kohë dhe erdhën motrat për të ofruar trajtimin e rregullt pacientëve.

Po i shikoja deri sa po kujdeseshin. Njëra nga to doli jashtë dhe u ul në karrigen e ballkonit sa për të marr pak frymë dhe dritë diellit që përsëri kishte dal. Bisedova me të, më interesoj kush ishte, që sa është këtu në infektive dhe si po e përballon gjithë këtë. Përgjigjet e saja ishin modeste dhe plotë mirësjellje.

Ka ardhë nata. Para meje janë tani këta monitorë që tregojnë gjendjen e pacientëve. Interesante si ndryshojnë perceptimet për jetën. Ka plotë gjëra deri me sot që kam konsideruar të rëndësishme. Tani nuk ka më. Këta monitorë janë e vetmja gjë e rëndësishme.

Nata është e qetë. Zhurma e vetme që është diku në mes irritueses dhe e frikshmes është zhurma e monitorëve të zemrës dhe e aparateve të oksigjenit. Zhurmat e tyre nuk ndërpriten asnjëherë. Sikur janë aty për t’na kujtuar ftohtësinë dhe ashpërsinë e virusit COVID19.

Po mundohem të racionalizoj çdo gjë që po ndodh. Vëllai është në gjendje stabile, por nuk mund të merr frymë pa aparat oksigjeni. Mjekët kanë ofruar gjithë kujdesin që munden, dhe tani thjeshtë duhet pritur. Duhet pritur përfundimin e betejës së COVID19 dhe organizmit të vëllait tim.

Në këto momente mendoj edhe për raste më të rënda se vëllai im. Sa vështirë mund ta kenë ata.

I ulur këtu para këtyre monitorëve, dhe zhurmës irrituese të aparateve të oksigjenit, mendoj edhe për ata që thonë se ‘ky virus nuk është asgjë, është thjesht grip’. S`di çfarë t’iu them atyre.

Ndoshta, gjëja e vetme që iu kisha thënë është – eja këtu, ulu afër meje. Flasim së bashku se si ndodhi që një 38 vjeçar për 10 ditë humbi fuqinë që të merr frymë. I shikojmë bashkë këta monitorë. Dëgjojmë bashkë këtë zhurmë ferri që vie nga aparati i oksigjenit. Dëgjojmë ulërimën e njerëzve që në aktin e fundit të tyre refuzojnë edhe oksigjenin vetëm që vdekja t’i shpëtojë nga e gjithë kjo. Dalim në ballkon dhe shikojmë se si futet kufoma e radhës në furgonin e funeralit.