Romët, Ashkalinjtë dhe Egjiptasit e Kosovës kanë nevojë për ndryshime të vërteta
Kushtetuta e Kosovës garanton vende në Kuvendin e Kosovës për romët, ashkalinjtë dhe egjiptasët, megjithatë ky fakt nuk ka ofruar një zë të vërtetë për këto komunitete.
Romët, Ashkalinjtë dhe Egjiptasët në Kosovë vazhdojnë të përballen me dallime shoqërore, të rrethuar nga varfëria dhe papunësia, një çështje e nënvizuar edhe nga Raporti i Progresit i Komisionit Evropian 2020 për Kosovën.
Pjesëmarrja e ulët në arsim paraqet një sfidë reale për përfshirjen e përgjithshme të këtyre komuniteteve në shoqëri. Anketa e fundit e Treguesit të Shumëfishtë të UNICEF-it shpërfaqi një hendek të konsiderueshëm në pjesëmarrjen në arsim midis fëmijëve nga këto komunitetet krahasuar me popullatën e përgjithshme.
Pandemia COVID-19 ka paraqitur pengesa të tjera në arsim, dhe kuptohet që situata aktuale vetëm sa e forcon ciklin e egër të varfërisë në të cilën ndodhen këto komunitete. Sa për ilustrim, pothuajse një e treta e romëve, ashkalive dhe egjiptasëve të dokumentuar zyrtarisht në Kosovë janë regjistruar në një lloj skeme të ndihmës sociale, krahasuar me një të shtatëmbëdhjetën e popullatës së përgjithshme.
Sidoqoftë, që nga themelimi i tij, Kuvendi i Kosovës gjithmonë ka qenë prezent me përfaqësues nga komunitetet Romë, Ashkalinj dhe Egjiptasët. Kushtetuta e Kosovës e garanton të paktën një deputet nga secila prej këtyre komuniteteve dhe një ulëse shtesë për cilindo komunitet që merr më shumë vota.
Tutje, kushtetuta garanton që komuniteteve etnike jo-shumicë nuk u ofrohet vetëm pjesëmarrje por pushtet, pasi deputetët që mbajnë ulëse të rezervuara në Kuvend janë në gjendje të stopojnë çdo ndryshim të Kushtetutës duke refuzuar mbështetjen e tyre. Pozitat brenda Qeverisë së Kosovës parashikohen gjithashtu për komunitetet etnike jo-shumicë, duke përfshirë pozita të tilla si ministra, zëvendësministra dhe madje edhe zëvendëskryeministra.
Është një nivel i përfaqësimit politik që nuk gëzohet nga komunitetet rome. Në shumë pjesë të Evropës Qendrore dhe Lindore, Romët përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të popullsisë, por kryesisht mungojnë në vendimmarrjen politike lokale dhe kombëtare. Ndërkohë ‘Romët në Evropë’ – një term ombrellë që mbulon një gamë të gjerë të etnive – përshkruhen rregullisht si një nga grupet etnike më të drejta të mohuara politike në kontinentin evropian sot.
Sidoqoftë, nga qytetarët jo-shumicë të Kosovës, ulëset në Kuvendin e Kosovës shihen si ‘pseudo-demokraci’, të cilat shërbejnë vetëm si dekorim politik dhe nuk ofrojnë asnjë mundësi reale për të ndikuar në politikë.
Ekzistojnë me dhjetëra dëshmi nga njerëz të emëruar në pozita të rëndësishme dhe me ndikim, përfshirë pozita të tilla sikurse ajo e Zëvendësministrit ose Këshilltarit të Kryeministrit, gjë që demonstron se këtyre përfaqësuesve, edhe në rast se do të donin të kontribuuonin, nuk u është dhënë hapësira, koha apo vlerësimi.
Ndikimi politik i komuniteteve etnike te margjinalizuara është bërë i padobishëm, ndërkohë që përgjegjësia që u vihet atyre është e barabartë. Kush do ta kishte menduar që një votë nga një përfaqësues i komunitetit ashkali do të përcaktonte fatin e një qeverie të Kosovës, siç ishte rasti me z. Etem Arifi dhe qeverinë në largim të Hotit?!
Varfëria dhe nënvlerësimi gjithashtu ndikojnë dukshëm në drejtimin që e marrin përfaqësuesit politikë nga këto komunitete. Një gjë e tillë shpesh e kufizon ndikimin e tyre në role të vogla dhe në kërkesa për përfitime personale për veten e tyre ose një grup të ngushtë individësh përreth tyre, në vend që të përfaqësojë interesat e zonave elektorale të tyre.
Cilat janë shanset që një (ose të gjitha) nga nëntë partitë politike dhe iniciativat e qytetarëve që garojnë për katër vendet e rezervuara në Kuvendin e Kosovës për Romët, Ashkalinjtë dhe Egjiptasët, pasi të zgjidhen, të heqin dorë nga ndikimi politik për përfitime të vogla personale – për një pozitë të zëvendësministrit, këshilltarit në një ministri, apo për disa tenderë të dhënë për miqtë dhe të afërmit?
Kur flitet për procesin demokratik, mungesa e informacionit dhe varfëria nënkupton po ashtu se këto komunitete në Kosovë shpesh është jan te cenueshme nga keqpërdorimet elektorale, përfshirë blerjen e votave dhe madje edhe mashtrimet e drejtpërdrejta. Për shumë prej atyre që votojnë, zëri i tyre rrezikon të ndalohet ose të manipulohet, ndonjëherë edhe përmes frikës dhe dhunës.
Kohëve të fundit janë shfaqur disa pretendime se Lista Srpska po tenton të ndikojë në zgjedhjen e deputetëve në radhët e komunitetetit jo-shumicë të etnisë joserbe të Kosovës në mënyrë që ta rrisin fuqinë e tyre parlamentare. Sidoqoftë, ajo që ka qenë neglizhuese në këtë diskutim është se partitë politike që përfaqësojnë komunitetet Romë, Ashkalinj dhe Egjiptasët janë manipuluar gjithmonë nga partitë kryesore për çështje që asnjëherë nuk i kanë shërbyer interesave të këtyre komuniteteve, dhe madje edhe më pak atyre të shoqërisë në përgjithësi.
Kjo është arsyeja pse anëtarët e ketyre komuniteteve në Kosovë kanë pak ose aspak pritje që partitë politike të cilat i përfaqësojnë ata, do të sjellin ndryshimin për të cilin shpresohet.
Politika ndikon në jetën dhe mirëqenien e të gjithëve, por pasojat e dështimit ndihen më shumë nga komunitetet që janë më të margjinalizuara. Kjo është arsyeja pse pjesëmarrja politike është jetike – në mënyrë që njerëzit, veçanërisht ata që janë më të cenuarit, të kenë zërin e tyre në qështjet publike dhe të ndikojnë në politikëbërje në atë mënyrë që t’u përgjigjet nevojave të tyre.
Ka me qindra kandidatë romë, ashkali dhe egjiptias që garojnë për vetëm katër ulëse në Kuvendin e Kosovës, një fenomen në vetvete i çuditshëm. Pavarësisht kësaj, secili prej këtyre kandidatëve duhet ti vë në pah nevojat e vërteta në zonat e tyre elektorale, si dhe të shoqërisë në përgjithësi.
Përfaqësuesit e këtyre komuniteteve duhet të kenë objektiva përtej interesave personale, për të kuptuar se një ulëse në Kuvendin e Kosovës nuk është thjesht një pozitë e mirëpaguar dhe të dëshmojnë se pjesëmarrja politike është çelësi i përfshirjes së përgjithshme. Vetëm në këtë mënyrë mund t’i dërgohet mesazhi Ballkanit dhe Evropës më gjerë, se për një zë më shumë, ia vlen të luftosh!
Ilustrimi: Jete Dobranja për Prishtina Insight.
Pikëpamjet e shprehura në pjesën e Opinion janë vetëm të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e BIRN.
Isak Skenderi është drejtor ekzekutiv i OJQ-së ‘Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve.’