Rritja ekonomike - Foto: REL/Shutterstock

Rimëkëmbja: Orientimi kah prodhimi dhe eksportet

Masat për menaxhimin e pandemisë COVID-19 të Qeverisë së Kosovës për kufizimin e lëvizjes së lirë kanë ndikuar negativisht në ekonominë e Kosovës. Vendet e punës janë humbur, të hyrat dhe shpenzimet e shtetit janë kufizuar, por edhe qarkullimi i parasë në ekonomi ka rënë. Por, janë rritur dërgesat e diasporës që i kanë neutralizuar deri në një masë efektet negative të pandemisë. Pavarësisht se pandemia nuk ka përfunduar, ekonomia ka filluar ta rimarrë veten.

Të dhënat tregojnë se në pesë muajt e parë të këtij viti kemi rritje eksponenciale të eksporteve, rritje të të hyrave nga Dogana e Administrata Tatimore dhe rritje të qarkullimit të bizneseve. Këtë vit pritet të rikthehet rritja ekonomike, nëse nuk do të kemi një valë të re të infektimeve me COVID-19. Por, fatkeqësisht nuk pritet të ketë një rritje ekonomike të mjaftueshme për të normalizuar dy parametra: shkallën e lartë të papunësisë dhe nivelin e lartë të deficitit tregtar.

Rritja e punësimit dhe zbutja e deficitit tregtar do të marrë shumë kohë dhe mund të ndodhë vetëm nëse e kemi një politikë të qartë për ndërrim të strukturës së ekonomisë, pra ekonomia që aktualisht bazohet në konsum dhe import të orientohet kah prodhimi dhe eksporti.

Për të diskutuar për prioritetet e qeverisë së re për rimëkëmbjen ekonomike, D4D në sallonin e së martës ka ftuar tre panelistë: Mimoza Kusari Lila, Deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës; Visar Vokrri, Drejtor për Programe në Institutin Riinvest dhe Valmira Rexhëbeqaj, Ekonomiste/Drejtore në REX Consulting Group.

Pako e rimëkëmbjes 2.0

Me shpalljen e pandemisë dhe vendosjen e masave kufizuese, Qeveria e Kosovës vitin e kaluar kishte miratuar pakon emergjente përmes të cilës qeveria kishte ndërhyrë në disa sektorë të ndjeshëm të ekonomisë dhe shoqërisë. Nga panelistët u tha se pako e ndërhyrjes emergjente, për shkak të zhvillimeve politike, nuk ishte zbatuar e plotë duke ndikuar negativisht në ekonomi.

Më pas, Qeveria e re në muajin gusht e kishte iniciuar një pako të rimëkëmbjes por miratimi i ligjit që i hapi rrugë zbatimit të masave të parapara ishte bërë vetëm në muajin dhjetor të vitit 2020. Vonesat e ndërhyrjes së shtetit në ekonomi kanë bërë që të rriten humbjet e bizneseve.

Nga panelistët u tha se përkundër që ndikimi i pandemisë në ekonomi ishte asimetrik, qeveria i kishte trajtuar gjithë sektorët në mënyrë të njëjtë. Kjo ka bërë që të përkrahen njëjtë bizneset që kishin rritje të qarkullimit për shkak të pandemisë, si marketet e barnatoret, ashtu dhe ato biznese që kishin rënie të qarkullimit apo mbyllje totale. Kjo ndërhyrje e qeverisë krijoi disbalanc në ekonomi.

Përveç kësaj, Ligji për Rimëkëmbje ende nuk është zbatuar në plotëni. Panelistët tërhoqën vërejtjen se mos-zbatimi i plotë i masave të parapara në ligj mund të ketë pasoja negative në ekonomi meqë bizneset e qytetarët me të drejtë kanë krijuar pritje dhe kanë bërë plane duke marrë parasysh se një ligj është miratuar dhe ka hyrë në fuqi.

Ndërkohë, në debat u diskutua edhe për masat afatshkurta që pritet të ndërmarrë Qeveria e Kosovës. Përfaqësuesit e Kuvendit paralajmëruan se shumë shpejt do të dërgohet në Kuvend një pako e re e rimëkëmbjes së bashku me rishikimin e buxhetit të vitit 2020. Detaje të kësaj pako nuk janë dhënë, por është thënë se ajo synon që të mbajë konstantën e rritjes ekonomike, ta zbusë papunësinë dhe ta rrisë punësimin. Dialogu për ndryshim të pagës minimale do të nisë në vjeshtë e ajo mund të merret me rritje vetëm vitin e ardhshëm.

Industrializimi

Disa prioritete janë listuar edhe në programin e Qeverisë së Kosovës. Në program janë listuar ndërhyrjet e qeverisë për të rritur konsumin, kryesisht duke e rritur pagën minimale, hequr tatimin për nivelin e pagës minimale dhe duke përkrahur bizneset e reja dhe në veçanti bizneset e udhëhequra nga gratë. Nga folësit u përmend që programi i qeverisë nuk është i detajuar, nuk ka plane se si do të realizohen ato ide dhe as nuk ka shpjegime kah do të sigurohen financat për ta realizuar atë. Duke qenë kështu, qeveria duhet të hartojë sa më parë edhe një plan të detajuar për zbatim të programit qeveritar.

Kosova e ka humbur një mundësi dhe hapin për të ndërruar strukturën e ekonomisë duke e orientuar kah prodhimi dhe eksporti. Pandemia ishte një mundësi e mirë për të nisur këtë reformë në ekonomi, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Kosova duhet të ketë një vizion të industrializimit të ekonomisë, në mënyrë që të rritet prodhimi dhe eksportet. Njëkohësisht, Kosova duhet të punojë me vendet e tjera të rajonit për të krijuar instrumente për të adresuar me kohë secilën barrierë që hasin prodhimet gjatë eksportit. Kosova duhet të aplikojë masa reciproke ndaj secilit shtet në mënyrë që të mbrojë prodhimet e saj. Njëkohësisht duhet të punohet në finalizim të marrëveshjes së lirë me vendet e EFTA-s për të përmbyllur tregtinë me vendet e Evropës.

Gjithashtu, gjatë diskutimit u përmend roli i diasporës në ekonomi. Diaspora është një aset shumë i rëndësishëm për planin e rimëkëmbjes, marrë parasysh ndikimin që ka drejtpërdrejtë në ekonominë e Kosovës qoftë përmes dërgesave të parave, shpenzimeve direkte që i bëjnë në Kosovë por edhe përmes investimeve dhe dërgesave të gjësendeve. Por, qeveria e re duhet të trajtojë diasporën në atë nivel që ajo e meriton. Remitencat kanë shkuar kryesisht në konsum, rrjedhimisht në konsum të produkteve të importuara- pra ato para sërish kanë dalë jashtë. Nga panelistët u tha se qeveria e Kosovës duhet të rimendojë që të riorientojë një pjesë të remitencave në investime, pra të kthehen në qëllim të zhvillimit ekonomik në vendit.

Formalizimi i ekonomisë mund të jetë një prej burimeve të financimit të projekteve të parapara në programin qeveritar. Aktualisht ka një informalitet të lartë e kjo më së miri mbështetet me studimin e bërë nga OECD-ja i cili thotë se niveli i të hyrave në Kosovë është në nivel prej 26% e GDP-së krahasuar me rreth 40% sa e kanë vendet e rajonit dhe 45% mesatarja e të hyrave në vendet e BE-së. Ndërkohë, qeveria është e vendosur që të çojë përpara projektet e saja për themelimin e Fondit Sovran, Bankës Zhvillimore dhe Agencisë Zhvillimore. Bazat e Fondit Sovran do të vendosen në fund të këtij viti kur do të bëhet shuarja e AKP-së.

Sallonet e së martës janë një nismë javore e Institutit Demokraci për Zhvillim (D4D). Diskutimi mbledh rreth vetes ekspertë e analistë, politikanë e publicistë për të reflektuar dhe kërkuar konsensus mbi temat e përzgjedhura.

Për shkak të situatës së ballafaqimit me pandeminë, Salloni është transmetuar direkt në facebook të D4D-së.